“Për mua, shkolla është një deja vu”

Nga Lediona Braho

Këto ishin fjalët e Jaelit 6-vjeçar kur i ati e pyeti pse nuk e pëlqente shkollën, fjalë që do ta bënin të rriturin të mendohej pak çaste para fëmijës së tij, që prej vetëm pak javësh kishte nisur klasën e parë të një shkolle publike në kryeqytet. Të një shkolle “të zakonshme”, të jem më e qartë. Këtu, “e zakonshme” ka kuptimin e një shkolle që zbaton një kurrikulë standarde, për të gjithë fëmijët e që nuk ka (ende?) akomodime të posaçme për fëmijë të veçantë.

E bëra sqarimin sepse Jaeli është një fëmijë i veçantë. Ai ka lindur në muajin gusht 2012, fëmijë i dy prindërve intelektualë. Babai i Jaelit është mjek kirurg, kurse nëna punonjëse sociale. Të spikatur në profesionet e tyre, dy njerëz me botë të pasur shpirtërore, të dashuruar me shikim të parë e prej asaj dite të dashuruar përjetësisht, u bekuan me djalin e tyre të dytë, i cili lindi në term dhe me shëndet të plotë. Mirëpo, rruga e vogëlushit do të ishte e ndryshme nga ajo e shumicës së fëmijëve të tjerë. Ai do fillonte të fliste fjalët e para në shqip në 6 muaj, në anglisht në 18 muaj dhe në frëngjisht e rusisht në 2 vjeç. Interesi i Jaelit ishte vazhdimisht i zgjuar për të mësuar gjëra të reja. Mësoi alfabetin në 2.5 vjeç dhe të lexonte në 3 vjeç. Jo vetëm në shqip, por dhe në anglisht. Përpinte me sy e mendje çdo informacion të ri. Prindërit e vunë re këtë prirje të natyrshme të fëmijës dhe i blenë libra për fëmijë më të rritur: enciklopedi, libra në gjuhë të huaj, libra me kuriozitete, etj. Gradualisht, Jaeli filloi të qëndronte gjithnjë e më gjatë para kompjuterit për të zhbiruar internetin. Gjente lloj-lloj informacionesh rreth kozmosit, biologjisë, shkencave të natyrës dhe i riprodhonte ato me një shpejtësi e saktësi të habitshme. Prindërit e shihnin përditë tek rritej me një ritëm shumë më të shpejtë se fëmija i parë. Ndiheshin sa krenarë aq dhe jo të përgatitur përballë nevojave e dëshirave të fëmijës. Ai i befasonte përditë. Brenda pak kohësh filloi të kundërshtonte e të ankohej se nuk e kuptonin, ndaj prindërit filluan të lëshonin pe, t’i jepnin më shumë liri e të kënaqte nevojën e tij të pamasë për dije.

Siç thashë në krye, Jaeli ka filluar në shtator të këtij viti klasën e parë, në një shkollë publike. Që në ditët e para, ai përpiu pjesën më të madhe të njohurive të librit. Kishte pak interes për të tjerët dhe më shumë interes për dijen. E dini çfarë ndodhi pas kësaj? Madje, që ditën e dytë të shkollës? Mësuesja kujdestare e quajti Jaelin “fëmijë autik”. Para kohe. Pa e njohur. Nxitimthi. Gabimisht kryekëput.

Ajo që ndodhi më pas ishte një kalvar vuajtjesh për prindërit, por sidomos për Jaelin. Dhe ky zinxhir pati pothuaj këtë formë:
Jaeli nuk e pëlqeu shkollën që në ditët e para, sepse nuk i pëlqeu mënyra sesi e trajtoi mësuesja – Mësuesja njoftoi prindërit duke e quajtur Jaelin “fëmijë autik” sepse ai reagonte duke mbyllur veshët ndaj zhurmës – Prindërit e Jaelit të shqetësuar biseduan me mësuesen dhe i rrëfyen asaj se ai ka disa aftësi më të avancuara sesa mosha e tij, madje se ka mësuar këtë e atë gjë shumë para kohe – Mësuesja insistoi që ai duhet t’i bindet asaj në klasë dhe nuk duhet të plotësojë ushtrimet e faqes 20 kur klasa është akoma te faqja 5… Mësuesja insistoi fort e bindur në kokën e saj se Jaeli duhet të bëjë atë që bëjnë fëmijët e tjerë…

– Dhe prindërit që ngritën supet dhe tundën kokën në shenjë pajtimi, edhe pse e dinë shumë mirë e prej kohësh që JO, fëmija i tyre NUK ËSHTË SI GJITHË TË TJERËT….

(vazhdon)

Leni nje re