Jona Neziri: Ti ke nji za të cilin duhet t’a shfrytëzosh

Ti ke nji za të cilin duhet t’a shfrytëzosh sa herë ka me t’u cënu vërtetësia e së drejtës tande.

Ti duhet të flasësh, atëherë kur të thonë me heshtë sepse je grua ose vajzë.

Ti duhet t’a ngresh zanin në tema për të cilat të është thanë me folë shumë ngadalë ose mos me folë hiç- se është turp, se femrat nuk dijnë, se femrës si duhet llaf po veç punë.

Ti duhesh me qeshë pafund e me za. Ti nuk je objekt seksual ose pronë e dikujt që “t’ka marrë” në shtëpinë e tij- po të kanë detyru me e mendu këtë. Prandaj edhe je qujtë “rrob i shtëpisë”, e s’ke pasë vend në “oda burrash”.

Ti nuk je fasadë e bukur e nji objekti bosh, po ti je shtëpi që strehon njerëz brenda teje e rreth teje.

Sa herë kanë me të shtypë, brenda teje duhet me lindë nji forcë as ma pak e as ma shumë se sa nji mal, e malin kush s’e njeh, humbë brenda tij- i pafuqishëm për luftë, sepse kurrë mali nuk e ka sfidu njeriun.

Ti nuk duhet të shtirresh si e dobët kur të vjen me u ba e fortë, edhe kur të ngjesin epitete si “burrërore”. Gjithçka që ti je, është e shenjtë, është tempull, është zanë, është e natyrshme dhe e pashoqe.. Andaj ti duhet me i qëndru besnike vetes dhe krejta atyre që sakrifikojnë çdo ditë diçka për me e rujtë komoditetin fragjil të nji mentaliteti shtypës e diskriminues.

Ti ke nji za të cilin duhet t’a shfrytëzosh sa herë ka me t’u cënu vërtetësia e së drejtës tande.

Leni nje re