Pavarësia ekonomike dhe ndërlidhshmëria e saj me jetën profesionale të gruas

Shkruan: Xheneta Musliu

Teksa po filloja të shkruaja për pavarësinë ekonomike të gruas – mu kujtua vetja dhe jeta e shumë vajzave të reja si unë – të cilat është dashur të punonin vazhdimisht dhe “me mish e shpirt” për të përfunduar studimet dhe për t’i financuar ato. Natyrisht kështu ka shumë.

Si të reja dhe akoma pa përfunduar studimet ne jemi obliguar të punojmë në punë të ndryshme të sektorit privat për të mundur të paguajmë shpenzimet e udhëtimit, semestrit, banimit e kështu me radhë. Kjo nuk na ka bërë më pak të afta – përkundrazi na përgatiti për të vlerësuar fillimisht vehten, për t’u sfiduar dhe për të mësuar se si të menaxhonim jetën/studimet me ato para që fitonim.

Këto dyja ndoshta na janë dukur pak – e nuk ka munguar ndjekja e ndonjë trajnimi, seminari apo punëtorie – sepse kemi synuar të forcohemi dhe të mos vonohemi me hapin e përgatitjes sonë profesionale për karrierë.

Kur përfunduam studimet me sukses – luftuam për t’u kyçur qoftë me praktika/intershipe apo në forma të ndryshme në organizata, shoqata, sektore publike apo private për të filluar karrierën tonë. Gjithë kjo për të vazhduar stadin e të pasurit mjete financiare për vehte dhe për të regjistruar nivelin e mëtutjeshëm të studimeve. Sepse me nivelin fillestar nuk mjafton të mbetesh në vend – duhet të arrish të përfundosh nivelin edhe më të lartë për të ruajtur vendin e punës ku je. Ndërsa ti duhet të punosh fortë, e duhet të shfrytëzosh edhe pauzën e edhe vikendin tënd për të përfunduar punimet dhe detyrimet e tua të studimeve. E gjithë kjo natyrisht dhe pamvarësisht stresit – bëhet me qëllim për të ruajtur pavarësinë tënde ekonomike dhe rrjedhimisht për të ndihmuar jetën tënde profesionale.

Lufta dhe avokimi nga gruaja për gruan prej jetës personale deri tek ajo profesionale ka marrë hov pozitiv në vitet e fundit.

Kjo ka ndihmuar shumë gruan për të ngritur zërin dhe për të luftuar për të drejtën e saj, për t’u vlerësuar se përfaqësimi i saj është i rëndësishëm dhe kontributi i saj duke filluar nga shoqëria e deri në instanca të larta është i pakontestueshëm.

Shumë vajza/gra natyrisht se u linçuan, u nënvlerësuan, u maltretuan në rrugën e tyre për pavarësi ekonomike dhe për të pasur vend meritor në shoqëri. Edhe përkundër që u përballën me mentalitet patriarkal dhe shoqëri konservatore – motivi dhe shpresa për të parë vehten në vend më të mirë tejkaluan çdo rrethanë.

Fakti që fatkeqësisht kemi gra që ëndrrën e tyre e lanë anash për të u fokusuar në familje të saj (duke u kërkuar nga bashkëshorti i saj për një gjë të tillë) – ka gra të cilat edhe pse bënë familje gjetën bashkëshort tejet përkrahës. Kisha raste nga praktika kur një grua ndiqte një trajnim të lidhur me biznesin e saj të ri derisa bashkëshorti kujdesej për djalin e tyre tre-muajsh.

E gjitha qëndron në gjuhë të përbashkët komunikimi. Kjo nuk arrihet lehtë. Për atë vajzat e reja duke e parë sfidën dhe punën e tyre sistematike për të arritur në jetë – nuk duhet të lejojnë që lehtë dhe shpesh të shkelen nga një individ. Mirëqenia dhe përfaqësimi yt njerëzor është mbi të gjitha. Njoh gra të cilat falë karakterit të tyre të fortë dhe vullnetit për punë nuk lejuan të luanin me vendosshmërinë e saj për të punuar dhe për të pasur para për jetën e saj. Kjo nënë në fund të fundit është shembulli më i mirë ideal për djalin apo vajzën e saj – se si mund të arrish në jetë duke u mbështetur në forcat e tua dhe duke luftuar për ëndrrën tënde. Për askënd dhe për asnjë arsye nuk meritohet që imazhi yt prej gruaje të ndryshohet për qejfin e dikujt tjetër. Ju luftuat për vehten dhe ju jeni fituesi më i madh i saj.

 

Leni nje re

Artikuj të ngjajshëm