Sikur t’mos ishim çika e gra!

Shkruan Nora Jusufi
Kujtimet e mia mbi jetën time janë të mjegullta. Shpesh nuk e di në kujtimet e mia janë të ndodhive reale, apo të fantazive të mia të kohës, apo edhe të interpretimit tim të tanishëm për diçka që më ka ndodhur në fëmijëri apo adoleshencë. Sidoqëtëjetë, ka gjëra që kur ndodhin të nguliten në kokë dhe shpesh të bëjnë sinjal për çdo hap që e merr. Veprat dhe fjalët kanë ndikim. Ato janë pjesë e trupit dhe mendjes dhe na bëjnë ata që jemi.
Vrasim shpirtra
E di që gjithmonë më ka vluar gjaku, kam pas opinione të forta, e shpërthime edhe më të mëdha dhe shpeshherë këto kanë çuar tek përpalsja edhe me arsimtarët e mi. Kisha shoqe në klasë që nuk dilnin me nota shumë mirë dhe poshtëroheshin duke u quajtur “ngelcajka”, apo edhe “lavire” – njëra arsimtare iu referohej disa shoqeve të klasës veç pse ishin pak më zhurmagji (druaj që arsimtarja e kuptonte mirë domethënien e kësaj fjale).
Unë çohesha në këmbë për të argumentuar me arsimtarët e mi, për t’u thënë se një ndër obligimet kryesore të tyre është t’i nxisin nxënësit për të mësuar, t’u japin vullnet e kurajo, të punojnë më shumë me ta kur ka nevojë – e jo të ju bëhen xhelatët kryesorë. Pastaj kjo vazhdonte edhe në shtëpi, se njëherë e një kohë, nëse arsimtari apo arsimtarja të ka thënë diçka – dajaku në shtëpi ishte i garantuar. A përfituan diçka? A mësuan më shumë shoqet e mia? A iu përmirësua sjellja shoqeve të mia? Apo na u pjek edhe më shumë ideja e të qenit “çikë e mirë” dhe të poshtërimit të çdo vajze që del jashta atyre vijave? Jo. Jo. Jo. E kjo e fundit me gjasë po.
Po pse bash unë pata kurajo të flas? Pse e morra rolin e avokates së klasës në moshë 12 vjeçare? Pse më bënin përshtypje këto padrejtësi? Pse flisja me aq pasion kur ua përmendja arsimtarëve të drejtat universale të fëmijëve? Sepse kisha aleaten në shtëpi.
Unë isha ajo nxënësja e mirë, me të gjitha notat pesë edhe pse arsimtarja e edukatës fizike ma falte notën anipse nuk kisha kapacitet ta kapërcej kalin e sallës sportive. Jam kundër vlerësimit të tillë, por ky sistem ishte atëherë dhe definitivisht e meritoja një notë më të keqe. Në mbledhjet e prindërve gjithmonë nëna ime shkonte për mua. Ajo ishte duke punuar tërë paraditen në një organizatë ndërkombtare duke bërë kampanjë dhe trajnime për higjienë orale e tërë pasditen në ambullantë apo ordinancën private dentare. Dhe prapë, si supergrua që është, shkonte të dëgjonte “qortimet” e kujdestarit se “Nora është shumë e mirë, por shumë problematike se po na përzihet qysh po sillemi me nxënësat e tjerë”. Dhe kjo vajzë e kthyer në grua që e quaj nënë ia kthente “Po pse duhet që një vajzë kaq e re të ju tregojë detyrat e juaja?” “Ajo e ka mirë, ju nuk guxoni të silleni ashtu me askënd dhe gjithmonë do ta ketë përkrahjen time dhe nëse kjo e bën problematike, aspak nuk e kam problem”.
Mua kjo grua më dha krahë.
E fatkeqësisht krahët e shumicës së vajzave në Kosovë iu priten shumë herët.
S’shohim përtej hundës
Sa e sa herë e dëgjoj veten, e nganjëherë më ngjason në një kasetofon të prishur duke e përsëritur një shprehje “mos jeto në fluskën tënde e të rrethit tënd të ngushtë” (edhe pse e di që shpeshherë edhe në po ato rrethe ka aq dallim në pikëpamje të vlerësimit të grave dhe burrave si qenie njerëzore e si pjesë të një sistemi shoqëror), kur më thonë se nuk është puna edhe aq keq dhe se po e bëjmë mizën bu’ll.
Argumenti që më mundon më së shumti dhe është i nivelit të diskutimit që mund të bëhet në një çerdhe për fëmijë është “Pse ty, ty kur të ka ndodh me të bo padrejtësi?”. E gjithmonë ua tregoj rastin që s’më kanë pranuar njëherë me një praktikë në një ministri pasi që veç e kishin përzgjedhur dikë. Apo rastet kur idetë që sapo i kam thënë, një burrë tjetër në tavolinë i ka parafrazuar një minutë më vonë dhe është duartrokitur figurativisht për idenë. Po, nuk është këtu qëllimi. Edhe nëse unë jam një grua më me fat dhe mua personalisht nuk më paska rrahur i dashuri, nuk më paska poshtëruar familja, më paskan trajtuar barabartë në punë, paskam fituar rrogë të njejtë më burra, vetëm pse mua nuk më ndodh diçka, s’do të thotë që nuk ekziston.
Duhet të shohim përtej hundëve tona.
“Çika jeme asht qurë veç sillet aty me mujtë e kisha vra, a djali jem asht për marak” – parafrazuar nga një grua, fjalët e së cilës më mbetën në kokë, edhe 15 vite më vonë. Isha me një shoqe në një kombibus për të shkuar në pishinë në Lipjan dhe në ulëset përpara dy gra po bisedonin. Se për çka flisnin saktësisht nuk e mbaj mend aspak, por fjalë të tilla dëgjova për tërë ato 20-30 minuta sa ishim duke udhëtu. Më vrau, mu thye zemra, më vinte për të qarë, po më shumë për t’ia çarë kokën asaj gruaje. Me t’vërtetë, më pushtoi një irritim, një inat, një flakë që më bëri të më dridhej trupi dhe të fantazoja sikur po iu vërsulesha asaj për ta vrarë fare. A nuk është ironike?!
Unë gjithmonë flas kundër dhunës, por në fund të fundit edhe unë jam kafshë e s’arsyetoj gjithmonë. Sigurisht që arsyeja fitoi dhe unë nuk fola e as nuk iu vërsula asaj gruaje, por e përmenda e e qajta tërë jetën vajzën e saj që u desht të rritej në atë shtëpi me atë poshtrim. Dhe mendoj, kjo grua me siguri ka përjetuar edhe vet këtë lloj sjelljeje, dhe thonë se si njerëz kemi tendencë të imitiojmë e të veprojmë bazuar nëpër ato që kalojmë.
Pesëmbëdhjetë vjet më vonë duke e ushtruar profesionin e hulumtueses në ekonomi, shkuam me një koleg timin në takim për t’i intervistuar dy menaxherë të bankave rreth fondit garantues kreditor. Unë kisha marrë barrën më të madhe për këtë hulumtim, por kolegu im më shoqëronte. Tërë kohën menaxherët iu drejtuan në emër atij, e shikonin në sy, ndërsa mua me një valvitje të dorës më thonin “kjo çika”. “Kjo çika” kishte emër, ishte ajo që kishte lënë takimin dhe u kishte kumtuar zotërinjve se për çfarë do të intervistoheshin si dhe për qëllimin e hulumtimit, ama prapëseprapë nuk qe e denjë për t’u thirrë në emër, e lëre më me ndonjë ngjatjetim.
Në ato pak raste që shohim ndonjë grua në emisionet debatuese televizive, më ka bërë përshtypje që grave të pranishme bashkëbiseduesit shpeshherë iu drejtohen në emër, ndërkaq burrave në mbiemër të përcjellur nga Zotëri apo Zoti. Ishim në një seminar ku erdhën dy deptuete për të na folur rreth rolit të grave në politikë dhe për shkak të afërsisë së tyre, shumica e pjesëmarrësve (pjesë e të cilëve isha edhe unë), filluan t’u drejtoheshin deputeteve në emër, ndërkaq ligjëruesit burra që i kishim i thirrnin Profesor Fisteku, qenë apo nuk qenë profesora, por asnjëherë nuk më ra në vesh t’i kenë thirrur në emër. Jo që jam për tituj, por kjo dëshmon sesa e vlerësojmë autoritetin profesional të burrave e sa të grave.
Feminizmi – kjo fjalë e ndytë
“Valla unë nuk jam feministe se mu kurrë kërrkush nuk më ka diskriminu” – fjalë që i dëgjoj shumë shpesh në çfarëdo muhabeti. “E pse s’po thuni humanizëm apo barazizëm apo edhe meninizëm, pra masi qenkëshit për mundësi dhe trajtim të barabartë në çdo sferë?” Epo, mirë, edhe vet u pata shpreh ca vite më parë se si unë jam ‘humaniste’ dhe se krejt çka du është me pa barazi. Mandej shpesh e dëgjoj veten duke u arsyetu se si nuk i urrej krejt djemtë e burrat, e as nuk i dua krejt vajzat e gratë, por e besoj edhe luftoj fuqishëm të drejtën e secilit e secilës të trajtohen barabartë.
Po pse pra feminizëm? Sepse nuk mundemi me harru faktin që gratë deri në vitin 1920 në Amerikë, tokën e ëndërrave, s’kanë guxu me votu (e lëre më për vendet tjera). Sepse, nuk mundemi me harru që gratë në Arabinë Saudite deri në qershor të këtij viti s’kanë guxu me vozit. Sepse, nuk mundemi me harru që gratë shqiptare me Kanunin e Lekë Dukagjinit s’kanë tagër për asgjë as mbi fëmijët e vet, as mbi shtëpinë e vet dhe po e “la burri”, veç teshat e trupit mundet me i marr, sa për ilustrim. Sepse, nuk mundemi me i mshel sytë rreth vrasjeve të përditshme të grave që shkojnë pa u dënu e as ndaj komenteve vrer-ndjellëse të shoqërisë tonë se si ato e kanë meritu. Sepse, duhet ta zhveshim veten prej thënieve të zakonshme si “e po, burri është për shtatë gra”, ose “duhesh mu mësu me gatu se s’t’merr ‘kush kështu, oj çikë”, e shumë e shumë tjera.
E jo, meninizëm, nuk i shkon për shtati e as nuk ka mi shku! Se edhe nëse ti nuk je (e konsideron veten djalë/burrë) kundër grave, po më vjen keq mik, po ti trajtohesh ndryshe veç pse ke lind me tipare biologjike tjera.
Sikur t’mos ishim çika e gra
Sikur t’mos isha grua, askush nuk do të ma përmendte nervozën kur do të shprehesha fuqishëm për ndonjë çështje që më instereson.
Sikur t’mos isha grua askush s’do të më thoshte qenke e pasjellshme.
Sikur t’mos isha grua askush s’do të më thoshte të mos bëja diçka që nuk i ka hije gruas.
Sikur t’mos isha grua askush s’do të më thoshte shumë mirë po vozitshe edhe pse je ‘femën’.
Sikur t’mos ishte çikë, ajo “gruaja e rrugës për në Lipjan” do ta donte e vlerësonte fëmijën e saj.
Sikur t’mos ishin gra, burrat nuk do të dilnin paç pas rrahjeve brutale të përditshme dhe vrasjeve makabre.
Sikur t’mos ishim çika e gra, jetët tona do të dukeshin shumë ndryshe.
Jo, ti vet s’duhet ta kesh përjetuar, për ta besuar, e për ta luftuar atë që qindra mijëra gra përjetojnë. Për ta vlerësuar qëndrimin e demonstrimin e shumë grave gjenerata para nesh që na mundësuan mua e ty, së paku të kemi liri të flasim për këto gjëra. Jo, mos më shit pallavra, duke më thënë s’jam feministe se s’më kanë diskriminu.

Leni nje re