Lironi Xhisielën

Nga: Ada Halilaj

Kur Blendi Fevziu e pyet Xh.M nëse asht e sigurtë që nuk ndodhet nën kërcënimin e askujt; kur Klodiana Lala e nxit vajzën, në një emision direkt, në sytë e mijëra teleshikuesve (përfshi këtu edhe të akuzuarit) të mos pranojë të mbahet peng por të marrë kurajon me thanë të vërtetën për veten dhe për të gjitha vajzat dhe gratë e tjera në të njajtën pozitë; kur Eni Vasili, në një lokal të Durrësit, përpara një kamere statike, kërkon që Xh. ta bindi që gjithçka po thotë nuk asht tjetër veçse përpjekje shfajësimi/justifikimi për Rexhep Rrajën, ish të dashurin, nga tmerri i asaj që mund të ndodhin nëse nuk flet siç e kanë mësu me fol; kur këta gazetarë drejtojnë pyetje të tilla, cila asht përgjigjja që presin në kthim?

Ku dojnë me mbërrit?

Mos ndoshta pretendojnë të jenë secili i pari që i shkul nga goja Xh-së verdiktin e shumëpritun pra pranimin që po, po e kanë kërcënuar, po e kërcënojnë ende dhe se gjithë deklaratat e saj të fundit janë pjesë e një plani të mirëpërgatitun ku asaj i kursehet jeta e të tjerëve u pastrohet reputacioni?

Ça asht kjo garë ç’njerëzore që televizionet dhe gazetarët po bajnë mbi kurrizin e vajzës? Po nëse realisht ajo i pranon kërcënimet dhe shpikjet, a janë të zotët këta individë ta mbrojnë siç nuk po ban as policia, as hetuesia, as shteti?

A nuk mjafton kur Xh.M me sytë lutës thotë:-Nuk dua të përdorem as nga mediat e as nga politika.
A nuk mjafton kur shprehet se mezi po pret të ikun jashtê Shqipnisë sepse ndihet e pafuqishme, fizikisht e emocionalisht, përballë vendit të saj?
A nuk mjafton që kur zonja Vasili i kërkon t’i tregojë ndihmën për të cilën ajo ka nevojë, e para që i vjen në mend asht ndihma psikologjike?
A nuk mjafton fakti që refuzon kategorikisht mbrotjen e policisë sepse, e para, e ka provu vetë impotencën e saj përballë pushtetit e së dyti, kjo do të vërtetonte përfundimisht hipotezën e kërcënimit, e kësisoj do vuloste edhe çertifikatën e saj të vdekjes?

Xh.M po vetëmbrohet me të vetmen mënyrë të mundshme, në një vend ku institucionet e mbrojtjes, sigurisë dhe drejtësisë kanë duart në xhepa e kryet në thes.
Xh.M po vetëmbrohet duke marrë përsipër gjithçka, që nga pasojat ligjore që vijnë nga dëshmi të rreme, tek urrejtja e shfrenume e opinionit publik që po shtrihet kudo, në statuse e komente virtuale, në artikuj gazete, në panele debatesh televizive, në mbrapaskenat politike e mediatike e deri te trajtimi nga viktimë në fajtore.

Ajo asht e vetëdijshme për sistemin ku ndodhet e nga i cili po gëlltitet prandaj preferon të vetësakrifikohet, të përqeshet, të përulet, të njihet ma mirë si vajzë e “poshtër” sesa si vajzë e vdekur.

Ju që jepni leksione jete nga kolltuqet e shtëpisë apo nga zyrat e shtetit e që bliheni e shiteni 10-herë në ditë, qoftë për një ngritje në detyrë, qoftë për një paketë cigare e që keni frikë edhe nga fytyra juaj në pasqyrë, si do reagonit nëse do iu kanosej jeta, jeta juaj, e prindërve, fëmijëve, vëllezërve e motrave tuaja në një sistem me zero mbështetje, mbrojtje e siguri? Do tërhiqeshit për të shpëtu lëkurën instiktivisht apo do pranonit të vriteshit për të vërtetën?
Personalisht, dyshoj në trimninë dhe burrninë tuaj.

E vetmja mënyrë për t’i mbijetu këtij sistemi kriminal, asht me iu nënshtru kriminelëve.
Digjeni kushtetuten qysh sot se këtu, demokracia, asht veç një rrenë e madhe për një popull të vogël.

Leni nje re