Edhe po të ishte errësirë, më duket se do të vërehej shkëlqimi i syve të tij, ngjyrën e njërit prej të cilëve e kishte të ndryshme nga tjetri, edhe pse nuk i vërehej shumë, e lëre më tash që rrezet e diellit të pasditës i binin lehtazi në fytyrën e tij, tek e cila nëse vëreje me kujdes, arrije t’i dalloje goxha ca rrudha që po i theksoheshin dita ditës.

Por, ky shkëlqim i syve të tij nuk ishte shkak i ngjyrave interesante të tyre. Ishte shkak i asaj që po sodiste jashtë. Përmes xhamit të dritares së gjysëm hapur, shihte pemën e vjetëruar, njëra degë e së cilës lëvizte ngapak, derisa poshtë saj luhatej Bora, vajza e tij, e cila ishte pak vite më e vogël se sa Lisi, i cili po e shtyente jo me shumë vrull.

Litarët që mbanin ulësen prej dërrase, në të cilën ishte ulur Bora, i këputën si me gërshërë, kënaqësinë që ishte duke përjetuar, derisa po shikonte fëmijët e tij.

… Atëbotë, e njejta degë nuk lëvizte. Ajo ishte e kërrusur dhe dukej sikur mbi vete mbante barrën e tërë dhimbjeve të njerëzve të botës. Ndoshta edhe qau atë ditë kjo degë, por ç’e do që ne njerëzit nuk jemi aq të aftë të shohim dhimbjet as të llojit tonë, se lëre më ato të një dege që e quajmë të pashpirtë, edhe pse të tillë jemi bërë vetë ne.

Por jo, në fakt ajo nuk mbante asnjë barrë mbi vete, e cila e shtypte që ajo të kërrusej, por ajo që mbante nën vete, e tërhiqte drejt tokës, duke e lakuar trupin e saj të trashë, edhe pse të njomë asokohe, rreth 33 vite më parë.

Një litar, i ngjashëm si ky që i ndërpreu kënaqësinë kur e vërejti derisa po shikonte fëmijët, i kishte ndërprerë jetën babait të tij, kur ky ishte 8 vjeç, e këtij i kishte ndërprerë buzëqeshjen fëmijërore të cilën s’arriti ta shijoj më asnjëherë. Ndoshta, vargu Hyjnor “mos e vrisni veten tuaj”, apo lotët e syve të mi të vockël e të pafajshëm, që nuk e kuptonin edhe aq mirë atë që shihnin, nuk do ta lejonin babain tim të merrte këtë vendim të egër për veten, por shumë më shumë të egër edhe ndaj nesh, sikur ai të kishte mundësinë t’i shihte pak para aktit që bëri”, mendoi burri, duke u mbështetur në karrige, pasi ishte afruar fare pranë dritares, më parë kur po shikonte fëmijët dhe degën e pemës.

Iu kujtuan vaji i nënës dhe gjyshes, në atë ditë tepër të kobshme për të gjithë familjen. Edhe një jetë e re po te na dhurohej nga fillimi, edhe po të kishte mundësi të na kthehej babai, prapë nuk do na e mbyllte plagën e asaj dite, e cila vazhdon edhe sot.

“Zoti edhe mund të të falë, babë,” tha me vete burri që po zbriste shkallët për të dalë tek fëmijët, “thonë se mëshira e tij, ia tejkalon zemërimit, dhe do të lutem për këtë, edhe pse vetë ende nuk kam arritur të të falë, që më solle në botë për t’më braktisur shumë shpejt”.

Sapo doli iu hodh Lisit në përqafim dhe i tha: “Ky lis që kemi në oborr, dikur më ka marre diçka shumë të rëndësishme nga jeta bir, por ama ty Lis, asnjë lis i botës nuk do të mund të të ndaj nga unë, për aq sa Zoti do të më jap jetë.”

Leni nje re