Aktivistja Adriana Kelmendi, sinonim i njeriut që lufton çdo ditë për barazi gjinore e sociale

Shkruan: Fatbardhë Kiqina

Të shumta janë gratë shqiptare që po luftojnë për arritjen e barazisë gjinore dhe po mundohen t’i çlirojnë burrat e gratë nga zinxhirët të cilët ua ka vendosur shoqëria. Por, kur ato e dhurojnë tërë këtë kontribut larg vendlindjes, vështirësitë sa vijnë e shtohen dhe barra e kësaj lufte bëhet më e rëndë.

Me vendosmërinë e saj, të gjitha këto pengesa i ka shkelur e tejkaluar aktivistja dhe politikania, Adriana Kelmendi, e cila përpjekjet për përmirësimin e pozitës së gruas, nuk i ndaloi asnjëherë.

Adriana momentalisht është e punësuar në organizatën humanitare “Volkshife”, në Departamentin e Azilkërkuesve, ku konkretisht aty udhëheq Shtëpinë e Grave, të cilat kanë rënë pre e dhunës.

Përveçse humaniste, ajo është nënkryetarja e parë e aktivistëve socialdemokratë nga Austria e Epërme në Parlamentin Evropian. Është kryetare e Këshillit të Prindërve në Shkollën Evropiane dhe kryetare e Unionit të Femrave Shqiptare në diaspore.

E i tërë ky bagazh angazhimi e aktivizimi, natyrisht se ka zënë fill diku.

“Duke u nisur nga fakti se gratë kanë qenë të detyruara për një kohë të gjatë të luftojnë për njohjen dhe pranimin e tyre si qenie të plota njerëzore, për pranimin e të drejtave të tyre themelore, si dhe duke e ditur se fatkeqësisht kjo luftë ende nuk ka përfunduar, mua me shtyri që të filloj të merrem me mbrojtjen dhe përkrahjen e gruas në të gjitha sferat e shoqërisë”, tregoi ajo.

Ajo numëroi edhe disa nga arsyet që ende i mbajnë gratë dhe vajzat shqiptare në stadin e të qenit inferiore ndaj gjinisë tjetër.

“Në thelbin e të gjitha këtyre pabarazive është një emërues i përbashkët: gruaja ka fuqi të pabarabartë në marrjen e vendimeve në lidhje me jetën e tyre, edukimin dhe zhvillimin, në zgjedhjen e vendeve të punës, në zbatimine burimeve të veta, të cilat do të kontribuojnë për një jetë më të mirë të familjes dhe komunitetit lokal”, sqaroi Adriana.

Sipas saj, edhe përkundër ligjeve të miratuara në letër, barazia gjinore në trojet shqiptare lë shumë për të dëshiruar, dhe kjo, në të gjitha instancat.

“Duke filluar  nga fusha e arsimit, shëndetësisë, punësimit dhe pjesëmarrjes në jetën politike, të drejtat e grave qëndrojnë vetëm në letërdhe të paimplementuara në jetë.

Roli tradicional i burrit si shtyllë e familjes ende është çështje dominante në shoqërinë kosovare. Në anën tjetër, gratë  në vendimmarrje përfshihen me një kuotë shumë të ulët. Ndërkaq, gratë në biznes, të cilat mund të kenë ndikim të madh në zhvillim ekonomik, ende nuk janë në nivelin e duhur”, shpjegoi Adriana.

Për të, barazia do të ekuilibronte jetën dhe do të largonte përgjithmonë stereotipat gjinorë e barrën që e kanë gjinitë në bazë të rregullave që i ka krijuar shoqëria ndër shekuj.

“Të sfiduarit e stereotipave për rolet gjinore dhe krijimi i mundësive të barabarta në punësim, si për burra, ashtu edhe për gra, do të ndihmonte po ashtu që ngadalë të bëhet zhvendosja e rolit tradicional, ku burri shihet si shtylla e familjes, i cili pritet t’ia kushtojë jetën e tij punës për të siguruar mirëqenien e familjes, duke e privuar kështu nga pjesëmarrja në jetën familjare. Gjithë kjo do t’i lironte pjesshëm nga barra kryesore e vendimmarrjes, duke ua lehtësuar kështu përgjegjësitë, sepse një mentalitet i bazuar në stereotipa gjinorë vetëm sa i skllavëron si gratë, ashtu edhe burrat brenda atij mentaliteti”.

Nga larg, Adriana e përcjellë mesazhin tek të gjithë njerëzit, për t’u mobilizuar, për t’u bashkuar dhe për të luftuar të keqen që vjen nga stereotipat që kanë prejardhje gjinore, pasi ajo beson se barazia gjinore është një prej vlerave thelbësore të një shoqërie demokratike, e cila do të transformonte pozitivisht mënyrën e të jetuarit, jo vetëm të grave, por edhe të burrave.

 

 

Leni nje re