Gratë kosovare shënuan 8 Marsin Ditën Ndërkombëtare të Gruas

Shkruan: Florijeta Dernjani

“Marshojmë . S’festojmë” , “8 Marsi me kravatë” ishin  disa nga pankartat që simbolizuan marshimet e grave këtë 8 Mars.  Marshimet edhe pse ishin modeste sa i përket numrit tëpjesëmarrësve, ato u zhvilluan në disa qytete të Kosovës si në Prishtinë, sheshi “Zahir Pajaziti” , Prizren sheshi “Shatërvan” , Ferizaj, Teatri “Adriana Abdullahu”, Malishevë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas një grup prej katër vajzash ka vendosur  3billborde nëpër kryeqytet , të inspiruara  nga filmi “Three billboards outside Ebbing, Missouri”. Ato kanë vënë emrat e Diana Kastratit, Zejnepe Bytyqit dhe tek njëra të shkruara fjalët: “Edhe sa thirrje të humbura”. Diana Kastrati dhe Zejnepe Bytyqi , të dyja të vrara nga bashkëshortët e tyre në mënyra të ndryshme.

Sipas të dhënave të shoqërisë civile nga viti 2008 e deri sot më shumë se 15 gra janë vrarë nga burrat e tyre, mbi 20 mijë gra kanë raportuar për dhunë në familje, dhe mbi 68% e grave kanë përjetuar dhunë në forma të ndryshme. Po ashtu për nder të ditës së gruas edhe krerët e partive politike dhe kryetarët e komunave organizuan tubime me qëllim urimi.

Sa i përket një dokumenti strategjik, Kosova është në fazën e punimeve të hartimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore, i cili përcakton synimet, masat dhe akterët kryesor që janë përgjegjës për arritjen e barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës sociale, ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore dhe kulturore për gratë dhe burrat në Kosovë, në vitet 2017-2021.

Aktivitete ndryshe nga më lartë, për nder të 8 Marsit zhvilluan edhe sallonet e bukurisë për gra në Kosovë, duke dhuruar zbritje shërbimesh, e disa edhe shërbime falas. Restaurantet organizuan mbrëmje muzikore për gratë, e disa madje me dy ndërrime, ditën dhe mbrëmje.

Historia e shënimit të 8 Marsit si Dita Ndërkombëtare e Gruas

Më 8 Mars 1857, një grup punonjësesh të tekstilit morën vendimin që të dalin të protestojnë rrugëve të New York për kushtet e mjerueshme të punës. Po atë vit në po atë muaj, New York ishte qendra e një tjetër proteste. Një grup grash kërkuan paga të njejta me burrat, reduktim të orëve të punës deri në 10 orë dhe një kohë për të ushqyer me gji fëmijët e tyre. Gjatë kohës sa po bëhej kjo protestë rreth 100 gra u dogjën në një fabrikë pambuku , që i’u atribua pronarit të asaj fabrike si përgjigje ndaj protestës. Në vitin 1910 Clara Zetkin, feministe, propozoi në Konferecën Ndërkombëtare të Grave Punëtore të mbajtur në Danimarkë, që 8 Marsi të shënohej si Dita Ndërkombëtare e Gruave Punëtore. Më shumë se 100 gra e miratuan dhe u vendos që 8 Marsi të shënohej si Dita Ndërkombëtare e Grave Punëtore, e cila aktualisht shënohet si Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Kjo datë për herë të parë u manifestua më 1911 në Gjermani, Austri, Danimarkë dhe Zvicër. Në ato kohë kërkesat e mëdha të grave kishin të bënin me të drejtën për të votuar dhe punuar në kushte më të mira pune .

UN Women e krijuar në korrik 2010, është organizata e OKB-së e përkushtuar për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. UN Women u krijua për të përshpejtuar progresin në përmbushjen e nevojave të grave dhe vajzave në mbarë botën. UN Women mbështet Shtetet Anëtare të OKB-së, ndërsa vendosin standarde globale për arritjen e barazisë gjinore dhe punon me qeveritë dhe shoqërinë civile për të hartuar ligje, politika, programe dhe shërbime të nevojshme për të siguruar që standardet të zbatohen në mënyrë efektive dhe të përfitojnë me të vërtetë gratë dhe vajzat në mbarë botën. Sesioni i 62-të i Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Statusin e Grave (12-23 mars) do të fokusohet në temën,“Tani është koha. Aktivistët ruralë dhe urbanë transformojnë jetën e grave”. Festimi dëshiron të tërheqë vëmendjen për të drejtat dhe aktivizmin e grave rurale, që përbëjnë më shumë se ¼ e popullsisë botërore dhe 43% e grave që i kushtohen bujqësisë në botë .

Si u shënua Dita Ndërkombëtare e Grave në disa vende të botës

Shqipëri – 8 Marsi u shënua në Tiranë me një seri aktivitetesh. Një rrjet organizatash në mbrojtje të të drejtave të grave dhe dhjetëra aktivistë marshuan në sheshet e Tiranës me thirrjet ‘barazi’ dhe ‘dinjitet’. Kërkuan mbështetje për gratë e dhunuara, parandalim të martesave të hershme, ndihmë ekonomike për gratë kryefamiljare, barazinë në politikëbërëje dhe vendimmarrje, si dhe akses falas në drejtësi dhe më shumë mundësi punësimi. Ndërsa në mbrëmje u mblodhën vizitorë në qendrën kulturore Tulla, ku u hap ekspozita: “Gruaja në pullën dhe monedhën kombëtare”. Ekspozitë në të cilën u paraqit një koleksion i rrallë pullash, monedhash dhe kartëmonedhash të koleksionuesit Julian Demeti për të pasqyruar rolin e gruas në këto produkte shtetërore.                                                  Për nder të kësaj dite bashkia e Tiranës kishte vendosur që transporti publik të ishte falas për të gjitha gratë dhe vajzat .

Spanjë– Për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas natën e 8 Marsit organizatat feministe spanjolle u bënë thirrje të gjitha grave për një grevë të përgjithshme dhe sindikata për demonstrate, kurse marshimet janë bërë ditën e 8 Marsit. Moto e marshimeve janë bërë rreshtat e një poeme të publikuar nga një shkrimtar i ri për nder të festës: “E heshtur nuk je më e bukur” .

Dhjetëra sindikata kërkuan grevë 24h e të tjerë ndalesë 2h. Grupet feministe në Spanjë kërkuan nga gratë që më 8 Mars të mos shpenzonin para dhe të shpërfillnin detyrat e ditës. Kështu Gazeta prestigjioze ElPais publikoi një video ku shfaqej mungesa e stafit sepse punonjësit e mbështetën grevën. Po ashtu shkaku i grevës “Renfe”, kompania hekurudhore kombëtare anuloi më shumë se 100 udhëtime. Nga greva feminste u mbuluan gjerësisht edhe programet e mëngjesit të radios dhe televisionit ditën e,  ku prezantueset femra shënonin mungesë. Nisur nga kjo, një prezantuese televizive, Ana Rosa Quintana, përkrahëse e grevës, nëTwitter postoi: “Nëse gratë ndalojnë , le të vihet re “.

Statistikat e Eurostat për Bashkim Europian , tregojnë se në Spanjë gratë paguhen 13% më pak në sektorin publik dhe 19% më pak në sektorin privat sesa homologët e tyre meshkuj. Në vitin 2016 të ardhurat bruto për orë në BE të grave ishin mesatarisht 16.2 % më të ulëta sesa të meshkujve .

Shtetet e Bashkuara të Amerikës – NewYork konsiderohet të jetë qendra nervore e festimit të Ditës Ndërkombëtare së Gruas. Një paradë u mbajt duke kaluar në disa nga rrugët më tërëndësishme, ku përveç se u thirr për të drejtat e gruas u thirr edhe për të drejtat e homoseksualëve. Organizatorët kërkuan që gratë të mungojnë së paku një orë në vendet e punës dhe t’iu bashkohen paradës. Po ashtu për nder të kësaj dite  NewYorkTimes botoi nekrologjitë e 15 grave të famshme, për të cilat nuk u publikua asgjë kur vdiqën.

Mbretëria e Bashkuar – Dita Ndërkombëtare e Gruas këtë vit në Mbretërinë e Bashkuar përkoi me 100 vjetorin e fitimit të së drejtës së votimit femëror. Në Muzeun e Londrës, nga 2 shkurti 2018 deri më 6 janar 2019, paraqitet një ekspozitë përkujtimore, përfshirë medaljen e grevës së urisë të Emmeline Pankhurst. Në Londër iu qasen artit dhe grave në sajë të ekspozitës “Shero”, organizuar nga Lon-Art. Në këtë ekspozitë gratë artiste përdoren kreativitetin e tyre për të dhënë zë dhe vënë në qendër të vëmendjes heroinat që janë heshtur dhe injoruar gjatë gjithë historisë. Marshimi i madh për të përkujtuar datën u mbajt të shtunën (ditëpushimi ) . Vetëm nëAngli dhe Uells rreth 100 gra vriten çdo vit nga partneri ose ish-partneri.Britanikët njihen edhe për jobarazi pagash mes gjinive. Ndryshimi i pagave është 14.4% në favor të meshkujve, sipas të dhënave të fundit zyrtare. Niveli i pabarazisë është zvogëluar për vetëm 0.8% që nga viti 2011, kështu që barazia gjinore do të zgjasë 40 vjet, sipas llogaritjeve të TUC.

Francë – NëDitën e Ndërkombëtare së Gruas, mijëra protestues kanë marshuar nëpër rrugët e qyteteve franceze duke kërkuar respektimin e të drejtave të grave dhe për të shmangur ngacmimet, vuajtjet, sulmet, pabarazinë e pagave dhe përbuzjen sociale. Marshet u shënuan me motot #JoLule #Drejtësi , “8 Marsi nuk është festë . Nuk duam dhurata , por të drejta dhe paga të njejta”. Tek pagat u vu theksi, sepse gratë franceze përballen me një pabarazi pagash prej 25%. Për nder të kësaj dite edicioni i së enjtes i gazetës Liberation u shit me dy çmime: 2 euro për gra dhe vajza dhe 2,50 euro për meshkuj.

Itali -Gratë nga Lëvizja NonUnaDiMeno organizuan për Ditën Ndërkombëtare të Gruas një grevë të përgjithshme që ndikoi veçanërisht në transportin, shkollat dhe universitetet. Grevës i janë bashkuar ato me kontrata të përhershme dhe të përkohshme, bursistët, të papunët, studentët dhe sipërmarrësit. Po ashtu, përfaqësuesit e një projekti të quajtur “100 gra kundër steorotipeve”, u takuan në Romë për të promovuar një platformë online që sponzorizon gra eksperte të fushave të ndryshme.

Gjermania – Njëri nga vendet e para që e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Gruas më 1911. Lëvizja feministe organizoi lexime, ngjarje, shfaqje filmash dhe punëtori të ndryshme. Ndërsa në Berlin aktivitetet për emancipimin e gruas u njohën me çmime. Parlamenti ilustron pabarazi me 31% te grave në mesin e deputetëve që paraqet shifrën më të vogël në 19 vitet e fundit. Ndërsa sa i përket hendekut të pagave sipas Eurostat (zyra për statistika në BE) , gratë në Gjermani fitojnë mesatarisht 21.5% më pak se burrat .

Argjentina – Aktivistët socialë kërkuan që gratë t’iu bashkoheshin grevës ose të ushtronin veprime të zhurmshme në vendet e tyre të punës në orën 11:00. Ndërsa në qendër të Buenos Aires u bë një marshim nga qindra mijëra njerëz. Dy nga arsyejet ishin edhe ligji i paraqitur në kongres që do ta ilegalizonte abortin dhe dukuria e  vrasjes së një gruaje çdo 30 orë .

Islanda–Konsiderohet si vendi me më së shumti barazi gjinore. Kjo dëshmohet më së miri me çertifikatën e barabartë të pagës. Në Islandë Ligji kërkon që  kompanitë me 25 punonjës ose  me më shumë të marrin një “certifikatë të barazimit të pagave” që tregon se punonjësit gra dhe burra  në role të njëjtja paguhen njësoj. Ky është një standard i ri që kërkon kompanitë të auditohen për të marrë certifikatën. Ndërmarrje të mëdha me 250 apo më shumë të punësuar kanë kohë deri më 31 dhjetor të këtij viti për të marrë certifikatën, ndërsa afati zgjatet deri në fund të 2021 për të vogla (mes 25 dhe 89 punëtorë). Ata që nuk respektojnë ligjin do të përballen me gjoba të përditshme deri në 50,000 kurora islandeze (rreth 400 euro). Dallimet e pagave duhet të justifikohen nga niveli arsimor, përvoja ose përgjegjësia.

Ky ligj ka për qëllim t’i japë fund hendekut të pagës “të pajustifikuar” që nuk i përgjigjet asnjë prej këtyre faktorëve, por vetëm ndryshimi gjinor.

Pabarazi pagash mes burrave dhe grave ekziston edhe në sport. Revista FORBES publikoi listën e 100 sportistëve, që  në 2017 morën të ardhurat më të larta në botë. Nuk ka gra në top 10, as në top 20, duhet zbritur tek pozicioni 51 për të gjetur një dhe të vetmen grua, tenisten Serena Williams. Nuk ka më gra në këtë listë, sepse sipas FROBES sponzorizimi i sportit të grave është vetëm 0.4% e totalit .

Të drejtat e gruas cënohen kudo në botë, ku më shumë e ku më pak, si në kohërat e më hershme ashtu edhe të tashme. Këtë më së miri e pasqyron Lëvizja kundër abuzimeve dhe që ndihmon gratë të shpjegojnë rastin e tyre me hashtagun #MeToo#MeToo është një lëvizje që është bërë virale që nga tetori i vitit 2017 në rrjetet sociale duke ndihmuar gratë që kanë vuajtur nga abuzimi për ta raportuar dhe shpjeguar përvojën e tyre.

Fushata për tu dhënë një zë viktimave të abuzimit seksual ishte iniciuar nga Tarana Burke disa vjet më pare. Ndërsa disa muaj më parë, ishte aktorja Alyssa Milano e cila ftoi gratë nga e gjithë bota për të raportuar rastet e abuzimit dhe ngacmimit seksual në Twitter.                                                                  Ishte viti 1996 kur aktivistja Tarana Burke dëgjoi dëshminë e abuzimit të një vajze nga një i afërm dhe nuk mundi të përballonte dhe  filloi edhe Lëvizjen #EdheUnë, përqendruar te gratë e reja që kanë qenë viktima të abuzimit, agresionit ose shfrytëzimit seksual. Si aktivistja Tarana Burke dhe aktorja Alyssa Milano janë amerikane, kështu që mund të themi se Lëvizja #MeToo ka lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

#Time’sUp është një tjetër fushatë me pothuajse të njëjtin qëllim. E nënshkruar më 1 janar të këtij viti, paraqet një  fushatë kundër abuzimit seksual dhe pabarazisë gjinore në botën e showbiz-it. Më shumë se 300 gra në Hollywood (aktore, këngëtare, shkrimtare dhe prodhuese) i janë bashkuar iniciativës ‘Time’s Up ‘, e cila kërkon të luftojë abuzimin seksual  ndaj grave dhe të garantojë një barazi sociale. Iniciativa u njoftua në ‘NewYorkTimes’ me anë të një letre të nënshkruar nga të gjitha këto gra, në të cilën thuhej se janë të vendosura për t’i dhënë fund ngacmimeve të gjera seksuale në industrinë e argëtimit dhe në të gjithë sektorët .

Përderisa gratë europiane përkundër faktit se jetojnë në kushte më të mira, ditën e 8 Marsit e shënojnë me marshime, protesta, demonstrata, madje madje edhe me greva. Edhe në vendin me më së shumti barazi gjinore si Islanda, 8 Marsi shënohet me aktivitete të ndryshme, si ngritje zëri për ti eleminuar edhe ato pak jobarazi ekzistuese. Gratë kosovare më shumë kanë festuar sesa kanë marshuar për të drejtat dhe pabarazitë ndaj tyre.

Kjo ilustrohet nga numri i pakët i marshuesve dhe nga numri i madh i  mbrëmjeve të organizuara pothuajse në të gjitha restaurantet kosovare. Kjo është një dukuri jo vetëm e këtij viti, gjithmonë gratë kosovare kanë pasur këtë tendencë shënimi të festës së tyre.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) nga rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e tretë 2017 , del se 2/3 e popullsisë janë popullsi në moshë pune, ku përfshihen moshat 15-64 vjeqare. Punësimi më i lartë është tek meshkujt me 48.1%, ndërsa punësimi tek femrat është 12.5% . Sipas AFP shkalla e papunësisë është 30.2%. Papunësia më e theksuar është tek femrat me 38%, krahasuar me meshkujt 27.8%.

Duke pasur parasysh këto të dhëna bëhet akoma më e vështirë të kuptohet se ku e gjejnë motivin për të festuar në kaq përmasa të gjera. Duke pasur parasysh dhunën, abuzimin dhe vrasjet që i bëhen grave, ato vazhdojnë të marshojnë në numër simbolik.

Motoja e marshimeve duket se doli e kundërta “ Më pak marshuan, më shumë festuan”. Hedhin valle një natë në vit, e mbyllin sytë 364 ditë.

Vetëm gjeografikisht gjendemi në Europë sepse mendërisht dhe kulturalisht po e dëshmojmë se jemi larg. Ndoshta edhe të ndodhurit në “kafaz” ka bërë të vetën .“I shëtituri=I dituri”, fjalë popollore që i përshtatet më së miri kësaj situate. Kemi bërë se çka kemi bërë deri më sot, tani me mundësite që na ofron qasja me teknologjinë, duhet ta marrim shembullin më të mirë e ta përkthejmë në veprime të frytshme .

Leni nje re