Unë jam Moza

Nga: Kismete Hyseni

Nuk e njihja asnjërën prej grave që merreshin me mua.

-Edhe pak të kuq në faqe! – thoshte njëra, dhe me një furçë më vezhgatke nëpër fytyrë.
– Edhe nishanin midis ballit!
– Pastaj pikat nëpër faqe. Thoshte tjetra.

Kështu, herë njëra e herë tjetra, ma korrigjonin hijeshinë. Kur u pashë në pasqyrë, më kishin përçudnuar, sa i ngjaja krejt tjetërkujt. Do ta tremb Fisin. Mendova!

Fis, quhej i fejuari im. Kishim këmbyer letra dhe fotografi, por nuk ishim parë asnjëherë. E kishim lënë të shiheshim këtu! Por, ai akoma nuk po dukej.
Fisi ishte djalë me letra, edhe me shkollë. I lindur në Evropë. Kurse për mua ishte i gatshëm të jepte krejt çka kishte. Edhe Kosovën! Kështu më shkruante.

Këto fjalë më silleshin nëpër kokë kur u larguan mysafirë, ndërsa unë po prisja, pa e ditur se kë!
Muzgu shtrihej ngadalë. Daullet binin me zë të shterur. Vetëm lodrës akoma i dridheshin çamparet.
Zemra më rrihte fort. Në kokë me sillej refreni i këngës: Lulije je e jona. O, e, o. E jona. O, e, o. Lulijeee, o e o.

Brram, u dëgjua një krismë. Pa ditur se çka duhej të bëja, u ngrita në këmbë. -Ç’bëra? – thashë më vete. – Kush është Fisi? -a do t’i pëlqej Fisit? – a do të më dojë?
Brram, u dëgjua krisma përsëri dhe dera u hap.
– Fisi?! – thirra unë. Kur pashë se hyri një burrë dhe po më afrohej.
– Cili Fis?! – tha ai, dhe, u ndal përpara meje.
– A je ti Fisi? – e pyeta e sigurt se ai s’mund të ishte Fisi, nuk ngjante fare me djalin që kisha parë në fotografi.
– Unë jam Moza! – thashë me zë të vogël.
– Sigurisht. Ti duhet të jesh Moza! – ma ktheu duke i fërkuar dy gishtërinjtë e dorës, që tregonin se kishte dhënë para.
– Për ty jam Fahredin! – më tha.
– U shtanga! Bota u shemb, dhe ra mbi mua!
– A e more vesh? – më pyeti dhe e shtrembëroi fytyrën. Tash u njohëm. A po? – tha dhe qeshi ftohtë.
– Si? –Po Fisi që më shkruante letra? – pyeta unë e habitur.
– Shiko ti çikë, s’ka ma as Fis, e as farë! – Unë të kom pru në Gjermani. Pra në Dojçland.- A po merr vesh? Këtu ke kulm mbi krye, ke edhe bukë, edhe ujë boll. Edhe kunorë do të vejmë së shpejti, vetëm sa të shkurorëzohem prej gruas së parë. Kaq! Çka do ti më shumë? A? Fol? – m’u ngërdhuz, dhe u bë all në fytyrë.
-Oh! Jo! Jo! – klitha e tmerruar.- Ik! Ik! – bërtita unë dhe nisa të qaja me nga-shërim.
-Dua të kthehem në shtëpi!
– Dua të kthehem në Kosovë!. Atëherë thirra deri në kupë të qiellit: – Oj nanë! Oj nanë! Më mashtruan!..
– Oj nana ime! Oj nana ime! Oj nana ime!!!… Sigurisht britma ime është dëgjuar deri atje. Tha Moza.

Leni nje re