Ndjeke zemrën

Shkruan: Lyra Goga

Një ndër vendimet më të rëndësishme në jetë është të zgjedhësh degën të cilën do e studiosh. Varësisht se në cilin fakultet shkon, kjo e vulosë të ardhmen tënde.

Për këtë gjë kaq të rëndësishme duhet të vendosësh në një moshë shumë të re, në një kohë që as veten nuk e njeh mirë. Sikur kjo të mos mjaftonte, është edhe ndikimi i madh ngajashtë. Të gjithë të vërshojnë me sygjerime nga më të ndryshmet, fillojnë pritshmëritë e shoqërisë. Poashtu ka raste që prindërit e bëjnë zgjedhjen për ty, sepse si të rritur ata e dinë më mirë. Fundja, janë vetëm disa fakultete qëvlejnë, vetëm me disa fakultete me të cilat mund të lavdërohesh para të tjerëve. “Djali/vajza po më studion mjekësi” – thonë me një pamje që shndrit nga krenaria. Përpos mjekësisë, ndoshta edhe tekniku i’avlen. Nëse ke qenë nxënës i mirë as nuk ke pse lodhesh me diçka tjetër.

E çka ndodh nëse ti nuk pajtohesh me këto zgjedhje? Me gjithë ata studenta që zgjedhin artet liberale siç janë gjuhët, letërsia, filozofia, matematika dhe shkencat shoqërore? Sesa e vështirë është t’i zgjedhësh këto do e provoj nga eksperienca ime.

Gjatë viteve shkollore kam pasur notat e mira në të gjitha lëndët. Sigurisht nuk më kanë pëlqyer të gjitha, thjesht kam punuar shumë. Gjatë viteve në gjimnaz isha përkushtuar në kimi, fizikë e matematikë. Këto të fundit kishin lënë në hije lëndët që vërtetë më flinin në zemër, gjuhët dhe letërsinë. Sidoqoftë nga fundi i shkollës së mesme kuptova se dua të vazhdoj studimet e larta për Gjuhë dhe Letërsi Angleze. Isha e lumtur. Më në fund vendosa! Mrekulli.

Veçse ndodhi një problem i vogël. Kjo nuk u miratua nga të tjerët. Familjarët ende insistonin që duhet të merrem me diçka lidhur me mjekësi. Arsimtarët poashtu. Madje një prej tyre me nënqeshje më tha “Po ikë prej shkencës a?”Ose të tjerët që më pyesnin se çfarë fakulteti tjetër do regjistroj, sepse sigurisht anglishtja vetëm nuk është e mjaftueshme. Më kujtohet aq mirë dëshpërimi në fytyrat e të gjithëve kur u tregoja zgjedhjen time.Sigurisht që më kujtohet diçka që më pat lënduar aq shumë!

Gati-gati sa nuk përfundova në ndonjë fakultet “t’hajrit” veç për me i përmbush pritshmëritë e të tjerëve.Tani kur mendoj këtë, më duket qesharake sesi kam lejuar të lëkundem nga persona që nuk kanë pasë asnjë njohuri rreth degës që unë doja. Si kam mundur të mendoj që e kanë mirë? Por isha në një moshë të brishtë. Sidoqoftë, përçudi, nuk u ndikova prej të tjerëve dhe ndjeka zemrën. Më doli më mirë  sesae kisha imagjinuar. E gjeta veten si asnjëherë më parë. Është vendimi më i mirë që kam marrë në jetë. Çka në fillim e pashë si turp, mu kthye në krenarinë më të madhe.

Edhe sot talljet lidhur me studimin e kësaj dege vazhdojnë. Vëllau ende është i bindur që i kam harxhuar 4 vite të jetës duke mësuar përralla. Fatmirësisht nuk mërzitem më. Përkundrazi, jam shumë e lumtur që kam marrë kurajon të ndjekë zemrën kur të gjithë i kam pas kundër. Nëse kam mësuar diçka nga e gjithë kjo është që gjithëmonë duhet ndjekur zemrën. Duhet vlerësuar gjykimin personal më shumë se fjalët e të tjerëve. Veç ti e din çka vërtetë dëshiron. Akush nuk mundet me ditë çka është e mirë për ty, më mirë sesa ti vetë. Mos u ndiko nga të tjerët në gjërat e rëndësishme, assessi!

Para se të vendosësh për diçka mendo se çka të pëlqen ty, se cilat janë pasionet e tua. Përshtatu ndaj botës tënde, jo botës së jashtme! Nga ana tjetër edhe shoqëria duhet të ndryshoj. Mjaft u fiksuat me tituj. Jo, nuk është e rëndësishme që të të bëhet fëmija doktor e inxhinier. E rëndësishme është që të bëhet doktor i mirë, inxhinier i zoti, e kjo arrihet vetëm nëse ka interesim të vërtetë për atë fushë. Sot rrallë gjen persona të aftë në fushën e tyre. Të gjithë e bëjnë punën si me inat, sikur t’i kishte detyruar dikush ta zgjedhin atë. Eh po, pikërisht kjo ka ndodhur! Ata ndoshta kanë shkuar në një degë që nuk u ka interesuar, por ka qenë e duhura në sytë e shoqërisë. Kanë synuar vetëm një diplomë, jo dituri.Titujt fitohen, por ku mbeten pasioni, shpirti, kreativiteti, origjinaliteti, entuziazmi? Si pasojë, gjendja është ashtu si është. Nëse e bëni diçka pa dashuri, nuk ka fryte. E dashuria nuk imponohet nga të tjerët, atë e gjenë nëse i qëndron besnike vetes tënde.

Krejt fakultetet janë të barabarta. Të gjitha ato kërkojnë njësoj punë e përkushtim. Po, po, të gjitha, e jo veç mjekësia. Të gjitha kanë një rol thelbësor në shoqëri. Mos e gjyko dikë se çka studion, por si e studion atë. Askush nuk është më i mirë se dikush tjetër falë fakultetit që e vijon. Nëse do vlerësoheshin edhe artet e shkencat shoqërore, këto degë kaq humane, jam e sigurt që edhe jeta do ishte më e bukur. Sepse kemi nevojë për mësues të mirë, për psikologë të  mirë, për shkrimtarë, filozofë, mendimtarë, artistë… Një mjek të shëron trupin, një poezi, një copëz fragmenti prej një libri, një këngë, të shëron shpirtin. Të mos e nënvlerësojmë asnjërën prej tyre.

 

 

 

Leni nje re