Vdekja s’vjen duarbosh për gratë

Shkruan Ada Halilaj

Duhet të vritet një grua që njerëzit e këtij vendi të luajnë me mjeshtëri rolin e të tronditunit.

Duhet të filmohet trupi i saj i shembun mbi trotuar, i gjymtum mbi dyshemenë e kuzhinës, i tretun si mbeturinë nga kati i katërt i pallatit, i përgjakun mbi sedilen e makinës, i torturum në vendin e punës apo i lidhun për së vdekuni në një dhomë hoteli periferik sepse turma, mbi shtratin e ekspertizës morale, don me pas një kufomë të freskët për një reagim sa ma natyral.

Duhet të vritet gruaja në sytë e fëmijëve, nanës e babës, komshive, kalimtarëve, ditën për diell o natën për hanë. Duhet t’i dalin shpirti vendit nga plumbi i një pistolete pa leje, nga tehu i pafalshëm i një thike buke, nga sëpata, çekiqi, nga duart në fyt, nga breshnia e grushtave të mlleftë. Duhet t’i lexohet emni në kronikën e zezë të ditës apo në faqen e parë të gazetave të së nesërmes e fotografia e saj e fundit prej së gjalli duhet të xhirojnë në ekranet e tana televizioneve, duhet t’i gërmohet jeta me kuriozitet të dhunshmën e me dhimbje artificiale.

T’i kontrollohet facebooku, të merren në pyetje shoqet e ngushta, koleget, mesuesit e fillores, plakat e lagjes e deri te kamerieri i lokalit ku e ndjera pinte kafen zakonisht, sepse vdekja s’vjen duarbosh për gratë…vdekja asht veç seanca hapëse e një gjyqi popullor që nuk i bjen gongut derisa të konsumojnë çdo abuzim të mundshëm me jetën. Derisa të shpartallojnë dyert e privatësisë në kërkim të një njolle të vjetër që i egërson ujnat e mortit.

Turmës nuk i mjafton kurrë një fajtor. Sipas saj nuk vritet kot një grua prandaj pyet me za të lartë: A ishte e ndershme ajo grua?A kishte vese?A ia përgatiste dreken të shoqit?A i hidhte kripë mjaftueshëm gjellës?A e kundërshtonte fjalën e burrit?A i shpenzonte lekët e tij?Nëse punonte vetë, ku e çonte rrogën?A ishte e pastër? Këmisha e tij a hekurosej rregullisht?A i përgatiste supë me perime të freskëta fëmive?Ku e kishte mendjen ajo grua?A dilte shpesh?Me kë shoqnohej?Me kë fliste në telefon?Për ku nisej me makinë mbas muzgut?Kë mendonte në shtrat?Si bënte dashni?
Jeta për gratë meritohet me kritere.

Duhet të vritet një grua, nga dora e një burri, që fabrika e moralistave shqiptarë të ndezin motorrat e punës me zell. Ngushëllimet mediatike vlojnë. Aktorët e mëshirës inskenojnë të disatin funeral virtual. Secili kryen adetin me një status për të, se kështu e don rendi e trendi i ditës.
Shkruan edhe ai burri i jargavitun në divan, me telefonin në njenen dorë e telekomanden në tjetrën, ndërkohë që pret t’i bajnë zà e shoqja kur buka të shtrohet në tryezë e mundësisht të përtojnë edhe me i çu të pasmet prej vendit. Shkruan edhe ajo grua që djalin e vet nuk e len as me marrë një gotë ujë vetë se “asht nana për këtë punë”…ose motra, ose gruaja, ose vajza, ose shërbëtorja, por jo ai…se burrat nuk çohen kur ka gra përreth. Shkruan ai djali që sapo ka kërcënu të dashtunen e tij me dhunë nëse s’ja hap telefonin.S hkruan edhe ajo vajzë që mbasi ka ba paqe me bashkëshortin e saj, harron me forcë se dje në këtë orë duart e tij i zhgulnin flokët sepse kishte guxu me dal pa i marrë leje. Shkruajnë ato të rinj o të reja që kur organizohen protesta kundër dhunës ndaj grave, fshehen mbas një gishti e preferojnë ma mirë të ndryhen nëpër lokale e të flasin për filtrat e instagramit sesa të dalin në shesh me fytyrë e identitet, për lirinë e mohume e për të drejtat e nëpërkambuna. Këto individë, pa kauza e pa ndërgjegje, kanë fytyrën e këtij populli:paftyrësinë.

Këtu, gratë vriten çdo ditë.Ma shumë se një herë, nga mëngjesi deri në darkë.Plumbi asht veçse ikja e pakthyeshme, i fundit që ua depërton mishin.
Grave u vritet e drejta e zgjedhjes, liria, dinjiteti e andrrat.Fshehin hematoma nën mangë të gjata e rrathë pagjumësie nën gjyslykë. Durojnë e durojnë. Mos me idhnu prindërit. Mos me prish familjen. Mos me u sjell nëpër gojë të botës.

Këto vrasje janë ma shumë se vrasje. Janë krime patriarkale, të përligjuna nga një traditë meskine në inçest me një shoqni fanatike, aktive në dhunë e pasive në revoltë. Këto vrasje janë atentate të mirëfillta ndaj grave që e duan lirinë dhe nuk i strukë asnjë frikë.

Ndërkohë ju vrasësit i keni në shtëpi. Edhe viktimat. Janë pjellë e barkut tuaj. I ushqeni me qumësht gjini derisa u dalin dhambët. Betoheni në krenat e tyne pa asnjë ndjenjë të qartë.Ua shpërfytyroni rritjen.I shndërroni në përbindësha me maskë njeriu e në borëbardha infantile e mandej ulërini deri në çjerrje kur ju lëshojnë para kambëve prenë e rradhës apo kur kafshojnë mollën e helmume.

Vrasësi asht djali juaj. Ai i fuqishmi, ai i pamposhtuni, ai që vajzat i ndrron simbas stinëve, ai që i trajton si marioneta, ai trimi që s’guxon kush me ia ba fjalën dysh. Djali që leje jep e leje s’kërkon. Djali që e keni rrit si mbret, ia keni la kambët e pi ujin. Djali pronar, trashëgimtar, Zot shtëpie e kulete. Djalit që ia gufoni sedren mashkullore me liri të plotë. Djalit që e keni vesh me uniformën e policit. Djalit, në frymë të së cilit, varet çdo frymë tjetër.

Ju i vritni vajzat, ngadalë e me gjakftohtësi. I vritni e mandej derdhni lot kinematografikë mbi trupin e tyne.
Ju që vajzat e lira i quani të përdaluna. Ju që gjininë ua përmendni si barrë. Ju që i nxisni me hek dorë nga sfidat duke i bind se gratë s’duhet, se gratë s’munden. Ju që ua mbyllni dyert sepse “vetë e deshtën e vetë t’a mbajnë”. Ju që turpin, sherrin, faqen e zezë ua ngjitni mbas shpinde si shenjë paralajmëruese. Ju që i urdhnoni me hesht të parat e me fol të fundit. Ju që i detyroni të falin goditjen e parë, tradhtinë e parë, për hatër të fëmijëve dhe opinionit. Ju që divorcin e quani dështim. Ju që virgjërinë e keni vlerë kombëtare. Ju që dashninë e matni me xhelozi; pasionin me posesion;përkujdesjen me ngujim e lirinë me leje.

Ju vampirë të pangopun që do indinjoheni nga ky shkrim sepse nuk jeni të qetë me veten.
Nuk jeni të ndershëm me veten.Midis pushtetit dhe jetës ju zgjidhni pushtetin sepse s’jeni të lirë. S’jeni të pavarun. Jeni plastelinë e turmës.
Në turmë pikëlloheni.
Në turmë qani.
Në turmë vritni.
Andaj në turmë meritoni të dënoheni.

Leni nje re