Rrëfimi i Liburnit, si vendosi të bëhet Mami dhe përvoja e parë në sallën e lindjes

Liburn Dema konsiderohet si mashkulli i parë në profesionin e Mamisë në historinë e shëndetësisë në Kosovë. Dema ka rrëfyer për Gazeta Shneta vendimin e tij për të studiuar këtë fushë të mjekësisë, përvojën e parë në sallën e lindjes si dhe këshillat që ua jep pacienteve.

Bujar Vitija

Profesioni Mami-burrë sipas Muzeut të Shkencës në Britaninë e Madhe, ka filluar në vitin 1700. Ata kanë marr pjesë në lindjen e grave dhe ndryshe janë konsideruar si mjekë të grave shtatzëna.

Burrat filluan të studionin për anatominë  moderne dhe përdornin edhe pinca mjekësore për lindje të vështira të cilat ishin shpikur nga familja Chamberlen në vitet 1600, por që u mbajtën të fshehura deri në vitin 1750.

Këto pinca madje u bënë sherr që mamitë gra të ankoheshin për qindra burra konkurrent në profesionin e tyre, i cili tashmë ishte bërë mjaft fitimprurës, shkruan Gazeta Shneta.

Tashmë në Britaninë e Madhe nuk është e jashtëzakonshme që një burrë të punojë mami. Janë mbi 100 që ushtrojnë këtë profesion, krahas 31 mijë grave.

Por ky profesion nuk konceptohet njëjtë edhe në vendin tonë. Në Kosovë është vetëm një burrë-mami, i cili ka filluar punën vetëm para 2 javësh në klinikën e Gjinekologjisë në QKUK.

Për Liburn Dema, nëna ka qenë arsyeja pse ai vendosi për këtë profesion, i pari djalë që nisi rrugëtimin drejt diplomimit për Mami.

“Sakrifica e nënës, vështirësitë që hasin nënat gjatë sjelljes në jetë të fëmijës. Kjo ka qenë arsyeja që unë vendosa të bëhem Mami”, thotë ai.

Liburni kujton hyrjen e parë në sallën e lindjes dhe një mami me përvojë e cila ia kishte lehtësuar punën.

“Ka qenë mjaft e vështirë herën e parë në sallën e lindjes, mirëpo nuk mund ta përshkruaj momentin kur unë isha pjesë e disa njerëzve që dëgjuan për herë të parë zërin e një jete të re. Nuk ka ndjenjë më të bukur sesa kur lind një fëmijë”, thotë ai.

Liburni tregon sesi pacientet e thërrasin me titull doktor, pasi siç shpjegon ai, nuk janë mësuar të shohin një mashkull në rolin e mamisë.

Dema tani është bërë vet baba, por fatkeqësisht nuk ka mundur të marr pjesë në lindjen e fëmijës së tij. Megjithatë, ai tregon se sa është angazhuar që t’ia lehtësojë shtatzëninë gruas së tij, shkruan Gazeta Shneta.

Njëjtë këshillon edhe burrat tjerë, të cilëve iu bënë thirrje që të bëhen pjesë e procesit të shtatzënisë dhe pas lindjes së fëmijës, në mënyrë që gratë ta kalojnë më lehtë këtë periudhë.

Liburni si mami, thotë se më e mira për gratë dhe fëmijën është lindja natyrale. Fillimisht nëna do ta ketë më lehtë pas lindjes, pasi nuk do të përballet me vështirësitë e operacionit, ndërsa për fëmijën është më e shëndetshme të lind në mënyrë natyrale.

Dema është edhe nënkryetar në Shoqatën e Mamive të Kosovës. Aty tregon një ndodhi kur erdhën disa mami zvicerane në një vizitë.

“U befasuan për të mirë kur iu tregova se jam mami. Ato kishin përshtypjen se në një vend si Kosova, nuk mund të ketë mami mashkull”, ka rrëfyer Liburni.

Magbule Elezi: Duhet ta fuqizojmë rolin e mamisë

Kryetarja e Shoqatës së Mamive të Kosovës, Magbule Elezi, e vlerëson shumë angazhimin e Liburnit. Ajo thotë se në klinikën e Gjinekologjisë nuk ka pasur reagime negative për të, por megjithatë janë befasuar për shkak të gjinisë.

“Jo për faktin se është burrë, por sepse ka vendosur që të studiojë një profesion shumë të rëndësishëm dhe që kërkon shumë angazhim”, thotë Elezi.

Ajo kërkon që roli i mamisë të fuqizohet, në mënyrë që nënat të informohen më shumë për procesin e shtatzënisë.

“Nëse roli i mamisë do të fuqizohet edhe me ligj në Kosovë, atëherë mamia ka me qenë ajo që e përcjellë shtatzëninë dhe çdo shqetësim tjetër të nënës”.

“Ne ende nuk kemi kompetencë për edukimin dhe trajnimin e nënave. Kur të kenë kontakt të pandërprerë me neve, nënat nuk do të kenë nevojë të shkojnë te gjinekologu më shumë se 4-5 herë, e qe momentalisht po ndodhë e kundërta dhe madje nuk i marrin të gjitha informacionet”, thotë Elezi.

Ajo vlerëson se është pikërsisht mungesa e informimit, arsyeja që po rritet numri i lindjeve cezariane.

“Janë disa gra të cilat dëshirojnë të lindin me operacion, për mos me ndie dhimbje dhe me kry më shpejt. Mirëpo shumica prej tyre thonë se sikur ta dinin se sa e vështirë është përballja pas lindjes, do të kryenin lindje natyrale”, deklaron Elezi.

Kryemamia e Kosovës shpreson që roli i tyre të ndryshojë nga viti i ardhshëm. /Gazeta Shneta/

Leni nje re