Gjyqi i Larry Nassar i drejtuar nga gjykatësja Rosemarie Aquilina, shembull për sistemin gjyqësor

“Unë sapo nënshkrova mandatin tënd të vdekjes”, i tha Aquilina Nassarit, më 24 janar ndërsa lexoi dënimin e tij mbi akuzat për abuzimin e të paktën 150 vajzave, të cilave i dha trajtim mjekësor në rolin e tij si mjek për ekipin kombëtar të gjimnastikës së SHBA-ve dhe universitetit të Michiganit. Nassarit, 54 vjeç, iu dha një dënim prej 40 deri 175 vitesh për akuzat e abuzimit seksual, plus dënimin 60-vjeçar që ai e kishte marrë tashmë për akuzat e mëparshme federale për pornografi fëmijësh. Disa nga dëshmitë rrënqethëse të atleteve të abuzuara mund ti lexoni këtu: historia-ime.com

“Aq sa ishte nder dhe privilegj të dëgjoja motrat e mbijetuara, është nderi dhe privilegji im t’ju dënoj. Sepse, ju zotëri, nuk meritoni të dilni nga burgu, kurrë më,” Aquilina i tha Nassarit.

Gjyqi është bërë i famshëm pasi ishte një nga rastet më të mëdha të abuzimit seksual në historinë e sportit. Por gjithashtu e rëndësishme – dhe shumë më inkurajuese – ka qenë mënyra se si Aquilina ka qenë një avokate për viktimat e sulmit seksual, ndërsa drejtonte rastin.

Përgjatë gjithë gjyqit, Aquilina ka qenë e rreptë për mbajtjen e Nassarit përgjegjës për të gjitha krimet e tij.

Ajo i lejoi të gjitha deklaratat e viktimave – më shumë se 160- që të lexoheshin në gjykatë nga të mbijetuarat dhe familjet e tyre, duke u siguruar që secila të kishte kohë për t’u përballur me abuzuesin e tyre. Ajo gjithashtu e vendosi Nassarin të ulet në vendin e dëshmitarit dhe jo në tryezën e mbrojtjes, në mënyrë që dëshmitaret të mos kishin nevojë të ktheheshin prapa për të bërë kontakt me të gjatë deklaratave të tyre.

Kur Nassar u ankua për këto vendime, duke pretenduar se ai nuk ishte “mentalisht i aftë” të duronte dëgjimin e dëshmive të viktimave të tij, Aquilina u bë e famshme brenda një nate, duke flakur poshtë kërkesën e Nassarit për të bllokuar deklaratat e grave.

“Duhet të them se kjo nuk vlen as sa letra në të cilën është shkruar”, tha Aquilina ndërsa mbante deklaratën e Nassarit. “Juve mund t’ju duket e ashpër që të rrini këtu e të dëgjoni, por asgjë nuk është aq e ashpër sa ajo që viktimat tuaja duruan për mijëra orë në duart tuaja”.

Aquilina gjithashtu ka vendosur një shembull të mahnitshëm se si t’i trajtojmë të mbijetuarat e abuzimit me dinjitet dhe respekt.

Empatike sa ç’është dhe e ashpër, deklaratat e saj ndaj të mbijetuarave kanë qenë të sinqerta dhe inkurajuese, pa një grimë turpi apo dyshimi.

“Unë jam një e rritur dhe po dëgjoj, dhe më vjen keq që u desh kaq kohë”, tha Aquilina pasi gjimnastja olimpike Aly Raisman lexoi një deklaratë të fuqishme duke dënuar jo vetëm Nassarin, por organizatat dhe individët që e lejonin atë të mbante pozicionin e tij edhe kur vajzat u ankuan për sjelljen e tij.

Për një grua tjetër, ajo tha: “Lëre dhimbjen tënde këtu dhe dil të bësh gjërat e tua madhështore”.

Qasja e saj – e neveritur krejtësisht nga abuzuesi dhe empatike ndaj të abuzuarave – ka nxitur një valë reagimesh në mediat sociale që kanë dashur prej kohësh të kishin një zë si Aquilina në sistemin gjyqësor amerikan.

Dhe nuk ishte vetëm Aquilina që ishte e gatshme të ofronte mbështetje për të mbijetuarat.

Ata që dhanë deklarata kundër Nassarit morën ndihmë nga Preston, një qen terapeutik i cili ishte i gatshëm të përshëndeste dhe ngushëllonte secilin person pasi kishin mbaruan dhënien e deklaratave të tyre.

Labradori i zi kishte veshur një shami blu gjatë gjithë procesit që i sinjalizonte atij se ishte “në detyrë” dhe përgjegjës për të siguruar ngushëllim për dëshmitaret, shpjegoi kujdestari i tij.

Prezenca e Prestonit është vetëm një nga mënyrat me të cilat viktimat e Nassarit janë mbështetur gjatë gjithë gjyqit – duke u dhënë respektin dhe burimet që u nevojiten.

Është një tragjedi që krimet e Nassarit u lanë pandëshkuar dhe u injoruan për kaq shumë vite, por ky gjyq dëshmon se bota po lëviz në drejtimin e duhur.

Shumë viktima të sulmit seksual refuzojnë të dëshmojnë për shkak të trajtimit shpesh të ashpër dhe emocionalisht të vështirë që marrin në duart e sistemit ligjor. Trajtimi që këto dëshmitare morën në sallën e gjyqit të Aquilina-s, dëshmon se gjërat po ndryshojnë.

Aquilina po i tregon botës sportive, dhe të tërë të tjerëve, një rrugë se si t’i nderojmë të mbijetuarit e abuzimit dhe ti bëjmë abuzuesit e ardhshëm përgjegjës për veprimet e tyre – para se ata të bëhen Nassarët e ardhshëm./A.A./Historia-ime.com

/upworthy.com

Leni nje re