Kosova, në prag të ndryshimit të ligjit për ndarje të pasurisë familjare

Shkruan: Fatbardhë Kiqina

Në Kosovë, gratë martohen, lindin e rritin fëmijë, përkujdesen për shtëpinë e shumë punë të tjera, që në shoqërinë tonë nuk konsiderohen si punë, por njëkohësisht, i tërë ky angazhim shpesh ua pamundëson atyre edhe ushtrimin e profesionit.

Të gjitha këto, në raste të divorceve, nuk kanë asnjë vlerë, sepse de facto, puna brenda shtëpisë nuk konsiderohet të jetë punë, ani pse as ligji aktual nuk e thotë të kundërtën.

Megjithatë, me nismën e aktivistes Luljeta Aliu, nga ky vit pritet që Ligji për Familjen të ndryshojë, përkatësisht, ai do të plotësohet me një nen shtesë për njohjen e barasvlefshmërisë së punës në familje, përmes përcaktimit të qartë se, në raste të ndarjes së çifteve, pasuria e përbashkët të ndahet në dy pjesë të barabarta, duke mos lënë kështu hapësirë për ta keqinterpretuar e shfrytëzuar në dëm të grave këtë zbrazësi ligjore.

“Në kërkesën time kam propozuar që neni 47, mbi pasurinë e përbashkët, të plotësohet me një paragraf, i cili përcakton se puna në familje, pra puna në shtëpi me fëmijë dhe me mirëmbajtje të shtëpisë, si dhe puna fitimprurëse jashtë shtëpisë, të jenë të barasvlefshme”, sqaroi Aliu.

Sipas saj, mangësia e këtij ligji dhe pastaj manipulimi me të, në raste të ndarjes së pasurisë, po shkakton një zingjirë problemesh të tjera për gratë e divorcuara.

“Ligji e përcakton se bashkëshortët janë pronarë të barabartë në pasurinë e përbashkët, pa marrë parasysh a ka punuar gruaja apo ka qëndruar në shtëpi me fëmijët. Fatkeqësisht, praktika ligjore po vepron ndryshe. Kjo bën që gratë të pësojnë një degradim social dhe të humbasin edhe të drejtën të kujdesen për fëmijët, ngaqë gjykata shpeshherë fëmijët ia beson prindit i cili ka kushte ekonomike më të mira”, u shpreh ajo.

Nismëtarja e kësaj iniciative thotë se, ndonëse për burrat nuk duket të jetë ashtu, megjithatë ky ligj do të kishte efekte pozitive për të gjitha palët.

“Kjo kërkesë nuk është vetëm në favor të grave, por edhe të burrave dhe fëmijëve sepse ligji nuk bën dallime mes burrave dhe grave. Ka raste kur gruaja e kërkon pjesën më të madhe të pasurisë, megjithatë kërkesa nuk bën dallime”, theksoi Aliu.

Për tërë këtë situatë të krijuar, ajo vlerëson se fajtor është edhe sistemi i drejtësisë në Kosovë, i cili, sipas saj, i diskriminon qëllimshëm gratë.

“Këto keqinterpretime dhe manipulime me ligjin ndodhin në mënyrë sistematike nëpër institucionet e drejtësisë. Ne si shoqëri nuk guxojmë ta lejojmë një diskriminim sistematik nga vetë sistemi ynë i drejtësisë, vetëm për faktin se nuk i kemi qartësuar mirë dispozitat ligjore”, shtoi Aliu, teksa e paraqiti edhe nevojën që kjo kërkesë të mbështetet në kuvend, sidomos nga gratë.

“Besoj të marrë përkrahje nga grupet e grave deputete, sepse shumica prej tyre janë vetë nëna dhe e dinë rëndësinë e prindërimit dhe vlerën e punës së grave në shtëpi”.

Ndryshe, Aliu thotë se e ka marrë këtë iniciativë, pasi që e konsideron si një obligim dhe detyrëqytetare, me qëllim që brezat e tanishëm të vetëdijesohen dhe brezat e ardhshëm mos tëballafaqohen me problemet e njëjta me të cilat po përballet shoqëria kosovare në ditët e sotme.

E nëse kjo ndryshon, Kosova do të bëhej shembull për shumë shtete të tjera të botës, që punën brenda familjes e vlerëson dhe konsideron si kontribut.

Leni nje re