Ada Halilaj: televizioni shqiptar një edukator i paditun dhe mëndjekyçun

Nga Ada Halilaj

Për t’u përplas hundë me hundë me shkaqet dhe pasojat e pabarazisë gjinore në Shqipni, mjafton që me pultin e televizorit (dhe me durim të hekurt) të ndalesh te një program i zakonshëm i pasdites.

Përshembull rastësisht po ndiqja një intervistë ku prezantuesja (grua) kishte ftu në studion e saj minimaliste dhe me ndriçim modern, një figurë relativisht të njohun të politikës shqiptare dhe jo vetëm (grua gjithashtu). E para pyetje që mi rrudhi vetullat ishte jo e papritun faktikisht, meqë në të gjitha intervistat ku të ftume janë gra të suksesshme në karrierë nuk mungon kurrsesi kurioziteti publik për me dit se si arrin një grua me i dhanë kohën e duhun zhvillimit profesional, mëmësisë, bashkëshortit, shtëpisë, detyrimeve familjare.

Në dukje kjo pyetje mund të mos ia vrasin veshin askujt, përveçse kur kujtohesh se një burri (në të njëjtat kushte dhe në të njëjtën studio) nuk do i drejtohej kurrë një klishè e tillë. Meqë unë nuk besoj te supergratë dhe te shkëlqimi pa rënie (gratë janë njerëz dhe jo hyjni) nuhas një seksizëm impulsivisht të pavetëdijshëm i cili jep mesazhe të gabume edhe atëherë kur niset me qëllime të mira.

Nuk asht admirues copëtimi në 4 i grave, as sfilitja sa andej këndej që askush mos të ankohet për asgja; që fëmijës të mos i mungojë prania e nanës; që bashkëshorti të mos kërkojë vëmendje te gratë e tjera; që shtëpia ti ngjajë reklamave të Mondo Convenienza-s; që figura publike të jetë e pastër si xhamat e larë me Vetril. Nuk ka çelës për këtë ekuilibër. As bravë. As lavde. Ka  lodhje, vrap, stres, pasiguri, presion. Dhe kjo asht e padrejtë sepse gruaja nuk ka pse t’i bajnë të tana vetë dhe vetëm e për ma tepër nuk ka pse ndihet në faj të pashmangshëm nëse diçka i mbet përgjys.

Prandaj burrave u kursehet kjo pyetje monotone sepse përtej kostumit të hekurosun, përtej fytyrës me 8 orë gjumë, përtej mëngjesit të gjetun gati mbi tavolinë, fshihet gruaja-nanë e cila i mbulon me përpikmëri dhe bollek tana rolet e mundshme, për t’i dhanë atij të drejtën dhe justifikimin e mungesave familjare.

Gjatë pjesës së dytë të intervistës, transmetohet xhirimi i një pasditeje blerjesh me të ftuarën e cila në pritje të fëmijës së dytë (vajzë) hyn në dyqan dhe thotë: -Tani DUHET të spostohem te veshjet ngjyrë rozë për vajzën.

DUHET?!

Pse zgjedhja e një veshjeje DUHET detyrimisht të respektojnë ndarjen e ngjyrave sipas gjinisë? Pse që në barkun e nanës fëmijët duhet të ndjejnë peshën e diskriminimit gjinor? Pse që pa dalë në dritë na caktohet ngjyra e përshtatshme, loja e preferume, sjellja e duhun? Pse kategorizimet paraprijnë lindjen tonë? Pse lejojmë kaq lehtësisht që fëmijët tanë të dhunohen nga ligjet e një industrie-pasqyrë e kërkesës popullore? Dhe PSE një mesazh i tillë duhet të dalin në një ekran të ndjekun masivisht nga gratë e për ma tepër nga vetë goja e një gruaje që shihet dhe shitet si model emancipimi???

Asgja personale me zonjat në fjalë, përkundrazi pikërisht se i vlerësoj profesionalisht më vjen edhe keq që me fuqinë televizive dhe politike që gëzojnë nuk arrijnë të dalin prej rreshtave të së zakonshmes mendësi patriarkale dhe fyese për identitetin e çdo gruaje.

Pak orë ma vonë, në një program analog me të parin (veçse këtë rradhë personazhet janë burra) intervistuesi pyet aktorin e ftum: -Si asht Xh-ja si nuse shtëpie?
Pra, a lan, a pastron, a hekuros, e kujdeset gruaja për shtëpinë siç veç asaj i ka hije.
Xh-ja asht një kangtare e njoftun dhe e talentume, por kjo si duket kalon në plan të fundit për intervistuesin. Nuk ka randsi as me ditë se si asht i ftuari si burrë shtëpie sepse burrat me B të madhe shtypi nuk lëvizin nga divani…ajo që veshët shqiptarë dojnë me ndigju asht përmbushja e shërbimit shtëpijak të një nuseje të re, pra a e kalon Xh-ja proven e nusërimit dinjitoz.
Kaq e thjeshtë. Kaq seksiste.

Emancipimi, edhe njëherë, nuk matet me dekorin e një studioje të re, as me shkollimin jashtë vendit, as me çertifikata mirënjohjeje, as me rritjen në gradë apo me sa zero mbaron rroga mujore. Emancipimi dhe zhvillimi njerëzor shkon përtej atij intelektual. Asht guximi me pa larg asaj që na indoktrinojnë me pa!

E si përfundim, televizioni shqiptar jo vetëm që asht një rrenë e madhe (sikundër kudo) por sidomos një edukator i paditun dhe mëndjekyçun, fatkeqësisht i besueshëm për një publik që ngihet me pak e hiç!

Leni nje re