Qasja dhe disiplinimi i fëmijëve të moshës 1-3 vjeç

Në takimet e zakonshme me prindër vërejë shpesh-herë mungesë të informatave bazike rreth qasjes së duhur ndaj fëmijëve të kësaj moshe.
Në parim e gjitha çka ofrohet prej prindërve por edhe edukatoreve në çerdhe është modeli tradicional i edukimit e që fatkeqësisht pak kush ka provuar t’a modifikoj e të informohet për teknika bashkëkohore [lexo: pozitive] të disiplinimit.
Komentet e tipit “është e vogël”, “ka kohë”, “po më dhimbset me disiplinu”, “nuk kupton hala” tashmë janë të stër-njohura në mentalitetin tonë.
Nga këto komente nënkupton që disiplinimi i fëmijëve vazhdon të shikohet si një përbindësh që u :            “bërtet”, “godet” apo “u jep urdhëra të prera fëmijëve”.
Por, në fakt disiplina (pozitive) ka qëllime shumë paqësore e edukative. Të disiplinosh do të thotë : të ndërtosh marrdhënien e duhur me fëmijën tënd, të kuptosh kërkesat e moshës në fjalë, të orientosh apo ri-orientosh sjelljen e fëmijës, të ndihmosh fëmijën të pavarësohet, t’i ndihmosh të bëhet e vet-përgjegjshme e të mendosh për përgatitje afatgjatë të jetës së saj.
Disiplina është proces që nuk përfundon me një orë punë në ditë. Kërkon kohë, përkushtim e shumë durim . Ndodh në çdo moment që kalojmë kohë me fëmijët: në shtëpi, në rrugë, në çerdhe, me familjarët, në dyqane etj.
Disiplina bashkë me teknikat e saj, ua lehtëson prindërimin poqëse informohemi mjaftueshëm e këshillohemi me profesionist të edukimit për fëmijëri të hershme.
Në disiplinë trajtohen kërkesa të përditshme të fëmijëve si: disiplina e gjumit, e ushqyerjes, disiplina gjatë veshjes, në supermarket, disiplina për jetën, disiplinimi i sjelljeve shqetësuese (kafshimi, shtyerja, e goditura), apo si të trajtohet inatosja, ardhja e një bebeje të re në familje, pse të vegjëlit marrin lodrat nga duart e njëri-tjetrit, pse fusin objekte të huaja në gojë, a duhet t’u përgjigjemi me shpejtësinë e dritës secilës kërkesë së tyre qofshin këto kërkesa të paarsyeshme e t’iu përforcojmë këto zakone jo të lakmueshme. Kjo pra është disiplina.
Nga praktikat personale në disa familje ku kam trajtuar sjelljet e fëmijëve e i kam këshilluar prindërit se si t’i disiplinojnë të vegjëlit e tyre (kryesisht) të fazës parashkollore, devijimi në edukim gjithmonë ndodh për shkak të disa parimeve edukative që prindërit nuk i respektojnë.
E para prindërit nuk njohin kërkesat e fazës së caktuar, së dyti marrëdhënia prind-fëmijë është shumë e varfër (urdhëra të prera, pa u thelluar në botën e tyre), së treti prindërit si premtues të rrejshëm, së katërti mos-bashkëpunimi i prindërve në mes veti (që në shkencën pedagogjike njihet si parim i unitetit, kur të gjithë njëzëri bashkëpunojmë në të mirën e fëmijëve) dhe jo siç ndodh te ne zakonisht, njëri prind aprovon e tjetri refuzon kërkesat e tyre) , prindi si model kontradiktor që kërkon shumë nga fëmijët, ndërsa vet është model jo i duhur për të, si dhe mos- qëndrimi pas i fjalëve të vet-thëna (rreziku kur prindërit humbasin autoritetin karshi fëmijëve).
Prandaj, përpara se të edukojmë fëmijë, le të punojmë-edukojmë vetën, të lexojmë e të këshillohemi me njerëzit që e trajtojnë shkencën pedagogjike me seriozitet, të përmirësojmë stilin tradicional të edukimit që neve na është ushtruar dikur e të jemi shembull për fëmijët tanë. Kur ata kanë një model shembullor në familje e çerdhe, sjelljet e dëshiruara rrjedhin edhe natyrshëm.
 Nga Blerina Lila – Pedagoge

Leni nje re