Për gratë që s’mund të tregojnë…

Shkruan: Rreze Abdullahu

Ai i bërtet për çdo ditë, se gjella s’ka qëllu e mirë; i bërtet çdo ditë sepse nuk i gjen pantollonat ku i ka lënë kur ka rënë si “kali në lloq”; i bërtet çdo ditë se fëmijët po grinden, po qajnë, po lodrojnë nëpër shtëpi, veç bërtet, bërtet e kurrë s’pushon, sepse kjo është detyra e tij prej burri: gruaja t’i vdesë në këmbë, sepse “burri burr e gruaja grue” kanë thënë të moçmit – arsyetohet bota. Ai veç bërtet…

Ai e rrah shumë shpesh. E rrah saherë ajo lodhet, e s’ka pikë fuqie për tu marrë me fëmijët sepse presioni e ka lodhur për vdekje; ai e rrah kur ajo nuk gatuan një pite, apo nuk i’a hekurosë pantollonat; Ai e rrah sepse ajo nuk po e dëgjon nënën dhe motrat e tij, kur ato e porosisin, sikur ajo të jetë shërbëtore, ose kur ato i thonë që ajo mos të flejë pasdite dhe ajo ka shumë nevojë të pushojë vetëm pak. Ai e rrah sepse ajo nuk është në disponim për tu veshur si ‘nuse’ deri sa u servir çajin atyre dhe mysafirëve; ai e rrah edhe sepse kur kanë ardhë në kafe gratë e fqinjëve ajo s’ka qëllu me grim dhe ‘vjehrrës’ i është ‘marrë fytyra. Ai e rrah sepse ajo refuzon t’i veshe dimijat e të shkojë në ‘Ditë t’grave’, sepse asaj nuk i pëlqejnë këto gjëra.

Ai e rrah sepse ai mendon se gruaja e tij, prona e tij e sigurtë dhe e përhershme është e pabindur dhe e  ‘parespektueshme’, nuk e respekton nënën e tij, motrat, traditat e kanunin.

Ai e rrah sepse asaj i cingëron telefoni pas ores 22:00, sepse ajo e përdorë facebook-un, sepse ajo i ka folur nje kolegu fakulteti në rruge; e rrah sepse nje burre i ka bërë ‘like’ në facebook, sepse një burrë tjetër në rrugë i ka thënë: ‘ta hangsha p**in”, e rrah sepse dikush i rrejshëm i ka shkruar ne facebook se deshiqon ta q*je. Ai e rrah, e rrah dhe e rrah, për të gjitha këto arsye…

Ajo lodhet gjithë ditën, dhe kërkon vetëm pak gjumë, me e kotë shpirtin e vujtun e robërinë e përditshme, e ai e përdhunon, ia fut pa e pyet, pa e dashtë ajo, pa e ndje ajo, sepse ai është burrë dhe kur t’i qohet atij, ajo e ka për detyrë me i’u bind; me i hapë këmbët e me pranu se kjo është detyra e saj; ta q*ejnë.

Ajo përdhunohet gati se çdo natë, asaj i drejtohet me emra të grave që i sheh kafeve ku gruaja e tij e ka të ndaluar të shkojë; ajo rrahet edhe në seks, se pikërisht aty, atij ‘trimit’ i kujtohet se ajo e paska pasë një simpati në shkollë të mesme dhe s’qenka komplet e pastër,e vyrtytshme dhe e moralshme.

– “Ha, kurvë e keqe bre, se me pasë kanë e mirë s’em kishe ra hise mu.”- ajo i duron këto fjalë për cdo ditë.

Ajo i shpërndan statuset e mija dhe shpejtë i fshien ato sepse nuk ndihet e sigurtë, por më thotë se kur më lexon mua, ndihet më e fortë; ajo m’i pëlqen të gjitha statuset e mija dhe reagon me ‘love’ gati se në të gjitha ato shpesh herë duke pasë frikë se ‘ai po e merr vesh’; ajo thotë se do të donte të ishte si unë, sado që i them se edhe unë jam pak ‘ajo’, por ajo se beson sepse lexon ndryshe e kujton se unë jam ‘superfuqi’, pa i rënë në mend se shumicën e herave përplasem mes mureve të dhomës sime, pa e gjetë kurrë nji vend në këtë botë, por luftoj sepse rrethanat dhe kushtet e mija janë më të favorshme se të saj; ajo thotë se s’do të donte të martohej kurrë nëse do ta kthente kohën pas, por koha s’kthehet dhe ajo rri aty ku është tani, në këto momente, ndoshta duke hapur këmbët dhunshëm derisa unë po shes historinë e saj, dhe juve po u vije keq për të dhe për ato tjerat, kudo që janë, e që janë shumë, duke më shkruar se ky është shkrimi më pkëllues që ato/ata kanë lexuar ndonjëherë, dhe duke harruar komplet se ky nuk është shkrimi më pikëllues që ato kanë lexuar, por është realiteti më pikëllues dhe i zymtë i shumicës së grave shqiptare, madje edhe i vetë atyre që pikëllohen, revoltohen e bërtasin.

Ndërkohë që ajo vazhdon më shkruan për çdo ditë, duke besuar tek unë dhe fuqia ime përtej fjalës, gjë të cilën nuk e kam,e paqëlim, plot frustrim bëhem këshilluesja më e keqe në bote, egoistja më e madhe në botë, sepse për çdo ditë i them që ta qojë në dreq atë monstrum.

Por, ajo s’ka ku të shkojë, sepse s’ka asgjë, veç atyre dy fëmijëve, që në këtë rast janë barra që duhet ta jetoj mbi supe sa të ka jetë. Ata dy fëmijë janë dhuna që ajo duhet të durojë çdo ditë, janë përdhunimet, e ndoshta një ditë i bëhen edhe vrasje…

Ajo duron e duron, dhe në fund e pranon se kjo është normale, është normale sepse ai është burrë, dhe ajo është grua. Grave su kanë hije shumë gjëra e burrin s’duhesh me zemëru. Kështu na kanë mësu në shtëpi, në shkollë, në lagje e kudo…

Dhe ndërohë që ne e fajësojmë se s’po bën asgjë për jetën e saj, e gjykojmë dhe e kryqëzojmë, ajo e paudhë në atë shtëpi e atë jetë, krejtë në fund, për t’ia vu vulën mjerimit të jetës së saj, kur përfundimisht s’ka më kah t’ia mbajë, e poston një foto në facebook me burrin e saj, dhe e shkruan:

– ….. ti je jeta ime. <3

 

Leni nje re