KULTI I BANALITETIT NË MEDIA

Nga: Marsi Simo

 Provoni të shkruani në mediat sociale një analizë në lidhje me një problematikë apo fenomen social, kulturor artistik etj., shanset për tu lexuar një shkrim i tillë është i ulët.

Nëse mendoni të publikoni një video qesharake ku dikush rrëzohet, i gjuan tjetrit apo një imazh sensual apo seksual mundësia për klikime do të jetë shumë herë më e madhe.

Kohët e fundit, ndër të tjera janë hapur  dhe portale të cilat konkurrojnë me njëra tjetrën për lajmin e fundit. Me dëshirën për të pasur sa më shumë klikime (hapje dhe lexim të lajmit) ndodh që jo pak herë publikojnë materiale të gënjeshtra, kronika të paverifikuara, foto të artistëve të shkrepura nga jeta e tyre private ose jo.

Poseduesit e këtyre portaleve harrojnë etikën dhe detyrën e gazetarit i cili është që të raportojnë gjithmonë të vërtetën dhe të jenë në shërbim të së mirës së publikut. Por, kjo gjë nuk ndodh, madje po shohim të kundërtën. Shpesh këta gazetarë janë të gatshëm të shesin çfarë do lloj lajmi duke nxjerrë përpara publikut foto të fëmijëve nën 18 vjeç, filmime me përmbajtje erotike apo pjesë nga jeta intime e njerëzve të ndryshëm ashtu siç ndodhi para pak ditëve.

Jemi të vetëdijshëm që shumë nga portalet në rrjetet sociale u mbulua me lajme mbi gruan që tradhtonte bashkëshortin. U hodhën shigjeta fjalësh dhe u bë ndëshkimi i saj publik. Jo vetëm kaq por iu bashkëngjitën dhe foto apo video, dhanë të dhëna nga më të hollësishme të cilat do ta shoqërojë atë grua dhe fëmijët e saj për gjithë pjesën tjetër të jetës. Asnjë nga gazetarët nuk mendoi për moralin e vërtetë apo për anën psikologjike të këtyre individëve.

Bota e medias duket se është kthyer në biznes. Kërkesa e shumicës mesa duket janë lajmet dhe përmbajtje të thjeshtë dhe “limonadë”, thashetheme dhe intriga. Oferta vjen menjëherë më pas, ku në vend që kjo shoqëri të edukohet me të bukurën dhe artin po bën hapa regresive. Titujt e lajmeve më të lexuara ende mbeten mbi martesën apo ndarjen e personave publikë, çfarë veshin apo si zhvishen njerëz të famshëm në plazhe, çfarë hanë dhe si e kanë arreduar shtëpinë “Vip-at” etj.

Çdo bisedë mbi kulturën dhe të bukurën duket e venitur. Eventet artistike nuk përbëjnë më një interes të lartë.

Nëse shoqëria mbush bisedat me diskutime mbi tradhtitë bashkëshortore të njerëzve që as nuk i njohin, harrojnë të kujdesen për familjarët e tyre. Nëse fëmijët preferojnë të lexojnë lajme telenovelash dhe jo kuriozitete mbi një shkencë të caktuar do fillohet të ndihet një e ardhme pa të ardhme. Nëse të rinjtë preferojnë të klikojnë materiale të papërshtatshme, dijeni që ende do ketë midis nesh njerëz të frustruar dhe me probleme personale.

Faji nuk mbetet jetim. Duket haptazi që është i të gjithëve. Së pari i ekspertëve që nuk dënojnë mediat që abuzojnë me të vërtetën dhe nuk ruajnë kodit e etikës.

Së dyti faji qëndron tek mediat të cilat kanë gjetur një rrugë të shëmtuar fitimi, por duhet ta dinë që është i shkurtër.

Së treti, faji është i shoqërisë që më lehtë e ka të përbuzë sesa të reflektojë dhe të kthejë vëmendjen tek arti e bukura dhe e  vërteta.

 

Leni nje re