Brutaliteti dhe perversiteti i gjuhës virtuale

Shkruan: Lulzim Shabani

Brutaliteti por edhe perversiteti, sidomos në komente, në shoqërinë virtuale kosovare nuk përbën më diçka të jashtëzakonshme, për më tepër ka raste kur ka lexueshmëri dhe pëlqyeshmëri më të madhe se sa vet lajmi

Gjuha e përdorur dhe imazhet e prezantuara në mediat dixhitale, gjithnjë e më shumë po bëhen objekt i rëndësishëm studimi në ditët e sotme. Monitorimi apo mirëadministrimi i këtyre mediave, paraqet një sfidë me të cilën po përballen ato, ndërsa hartimi i kornizës ligjore e cila do të trajtonte dhe rregullonte këtë segment aq të rëndësishëm të shëqërisë sonë, tani për tani nuk duket as në horizont.

Sot informacioni online shpërndahet në eter fare lehtë, pa më të voglën përgjegjshmëri dhe askush nuk pyet për pasojat, etikën apo llojin e komunikimit ose ndërveprimit që pastaj ushtrohet për atë informacion. Në ditët e sotme, në shoqëritë në tranzicion, pra edhe në shoqërinë  kosovare, është shumë relative nëse më shumë përbën lajm gënjeshtra apo e vërteta. Për të qënë tablloja edhe më e rënduar, bashkëjetesa e gënjeshtrës me të vërtetën në teknologjinë komunikuese virtuale po bëhet gjithnjë e më e lehtë. Fjalët të cilat fillojnë me një shkronjë dhe vazhdojne me tri pika, e pranuam apo jo, po bëhen kulturë komunikimi, sidomos në komentet që pasojnë pas leximit të informacionit. Ky lloj komunikimi, tashmë i kthyer në ekspansion shoqëror me të gjitha përmasat e dhunës verbale e psikike, ka tendencen e shtrirjes dhe po paraqet një kërcenim serioz për shoqërinë kosovare e cila deri me tani është treguar e pafuqishme që ta trajtoj këtë problematikë, përmasat e së cilës do të duhej të ishin shqetësuese.

Kohëve të fundit, por edhe javët në vijim, kur jemi në prag të balotazhit për zgjedhjet lokale, sigurisht se do të jemi të bombarduar nga postimet e akterëve apo grupimeve politike të cilat natyrshëm do të shkaktojnë reagim të oponentëve të tyre politik. Gjuha e përdorur nga ata, jo në të gjitha rastet është e pranuar apo konform standardeve minimale etike. Brenda vokabularit të tyre politik ka edhe porosi, informacione apo edhe mesazhe të cilat shkaktojnë reagime ose komente nga më të ndryshmet. Brutaliteti dhe perversiteti i përdorur, sidomos në komente janë shumë herë më të theksuara dhe më të pranishme duke prodhuar një cikël ndërveprueshmërie konfliktuoze e cila shpesh po di ti kalojë edhe kufinjë e absurditetit. Ky brutalitet dhe perversitet, sidomos në komente, në shoqërinë virtuale kosovare nuk përbën diçka të jashtëzakonshme, për më tepër ka raste kur ka lexueshmëri dhe pëlqyeshmëri më të madhe se sa vet lajmi. Është momenti i fundit  që mediat online të marrin përsipër mirëadministrimin e komenteve sepse në të kundërtën kjo vrazhdësi e gjuhës virtuale në mediat online do të vazhdojë të  nëpërkëmbë dinjitetin e atyre që në këto media ndërveprojnë për të mirën e publikut. Komentimi në mediat dixhitale gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një kontrast me idenë origjinale të ndërveprimit. Kjo vjen për arsye të mungesës së burimeve njerëzore që kanë portalet të cilët do të mund të angazhoheshin në filtrimin e komenteve, por në ndonjë rast vjen edhe për shkak të politikës editoriale, që lejon qëllimisht komente të rënda që adresohen kundër forcave politike apo personazheve të një grupacioni të caktuar politik, që potencialisht mund të jetë mbështetës financiar i medias së caktuar. Mediumet mund të ndërrojnë emër, pronarë, dizajne e protokole për të ju përshtatur teknologjive dhe mendësive të reja e të vjetra dhe për të shpërfaqur në këtë galaktikë eternale perversitetin e vullgaritetin, në këto kohë e në këtë ambinet që po quhet botë online. Kur nuk ka ligje, norma e kulturë sjelljeje, kjo galaktikë eternale e njeh në mënyrën më perfekte gjuhën e cila lëndon, sfidon e acaron shumë më shumë se gjuha e përdorur ballë për ballë ose sy me sy. Në vendet të cilat tani më kanë zhvilluar dhe kultivuar këtë mënyrë komunikimi, për fyerje, fjalor apo imazhe të tilla çfarë ne shohim në çdo sekondë, minutë apo orë dite, portalet dhe mediat  e papërgjegjshme do të gjobiteshin, apo edhe do të mbylleshin, konform mekanizmave ligjor.

E drejta për të respektuar e mos cenuar apo lënduar tjetrin gatë interaktivitetit virtual, në të gjitha foltoret,  tavolinat e debatit, e poashtu edhe në mediat online sot, është e drejtë  universale.

Në tregun modern dixhital të ndërveprimit online mbizotëron mendimi se rezultatet e zgjedhjeve, ashtu si edhe komentet në postimet e akterëve politik, përfshirë ketu edhe oponentët e atyre partive politike të cilët komentojnë, janë vet fytyra e demokracisë së atij vendi.

Edhe pse mund të mos ju pëlqejnë akterët politik, apo rezultatet e zgjedhjeve, gjithashtu mund të mos ju pëlqejnë edhe komentet e fansave apo oponenteve të tyre, peversiteti dhe vullgariteti në komente nënkupton se ne si shoqëri kemi hequr dorë nga demokracia dixhitale e cila konsiderohet si vlerë kryesore në shëqërinë informative.

Ndërveprimi i lexuesve me mediat përmes internetit, ka për mision interaksionin i cili do ti kontribonte kultivimit të debatit publik  dhe zhvillimit të vet demokracisë dixhitale.

Leni nje re