Ngacmimi seksual një nga format e dhunës ndaj grave

Njëra nga format më të shpeshta të dhunës ndaj grave është ngacmimi seksual. Ngacmimet seksuale manifestohen në mënyra të ndryshme qoftë në rrugë, vende publike, shkolla, institucione private, publike, në vendin e punës etj.

Në fushatën e fundit “Me too” e cila kishte për qëllim raportimin dhe rrëfimin e përvojave të ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale pas publikimit të skandalit të ngacmimeve seksuale të themeluesit të Weinstein Compny, Harvey Weinstein, fiton përshtypjen që çdo i dyti burrë është ngacmues seksual apo përdhunes.

Ky fenomen, për ironi, është i përhapur nga vitet 70′ pas një revolucioni seksual, i cili fatkeqësisht liroi vetëm burrat nga përgjegjësia dhe frika dhe këto ua la vetëm grave.

Çfarë është ngacmimi seksual? The Equality Act of 2010 e ka këtë definim: “sjellje të padëshirueshme të një natyre seksuale që ka qëllimin ose efektin e shkeljes së dinjitetit të dikujt, apo krijimin e një ambienti frikësues, armiqësor, degradues, poshtërues apo fyes”. Përfshin komente të pahijshme apo komente sugjestive, prekje të padëshiruara, kërkesa për seks dhe shpërndarje të pornografisë. Ndërsa sipas sociologut Anthony Giddens, ngacmimi seksual, në vendin e punës mund të përcaktohet si shfrytëzim i autoritetit, ose i pushtetit të punës, për të imponuar kërkesa seksuale”

Se nga ngacmimi seksual në vendin e punës është nga llojet më të përhapura e tregon edhe një raport i kryer nga ‘The TUC dhe Everyday Sexism’ ku zbuloi se 52% e grave kishin përjetuar një formë të ngacmimeve seksuale në punë, gati një e katërta ishte prekur pa deshirë, një e pesta kishte përjetuar një akt me të avancuar seksual.

Raportimi i ngacmimeve seksuale është mjaft i vogël sipas raportit te the TUC ngase raportimi i tyre nuk ka efekt, zakonisht asgjë pas raportimit nuk ndryshon dhe se gjendja vetëm sa përkeqësohet; gratë humbin vendin e punës, pra dëmtohen në karrierë etj.

Pastaj, problem tjetër se përse nuk raportohen ngacmimet seksuale është konteksti kulturor, ku zakonisht nuk u besohet, dhe ku viktimat trajtohen si fajtore dhe sulmuesit shfajesohen, dhe pikërisht kjo ndoshta është një nga arsyet pse ngacmimet dhe abuzimet seksuale ndodhin kaq shumë. Dhe arsyeja pse fushata “Me too” është shumë e dobishme është se përveç që po na e kujton se sa serioze është gjendja, sa shumë të përhapura janë ngacmimet dhe abuzimet seksuale është se edhe po i çliron gratë nga turpi dhe po i nxitë të dënojnë dhunën që po u ndodhë dhe po ua imponon shoqërisë që këtë fenomen ta trajtojë seriozisht dhe që shoqëria ta luftojë atë.

Në Kosovë dhe Shqipëri nuk kemi ndonje hulumtim apo studim për ngacmimet seksuale dhe nuk e dimë me siguri se si është gjendja reale, por duke u bazuar nga hulumtimet ndërkombëtare dhe informacionet e përgjithshme nuk është e vështirë për ta kuptuar se gjendja është alarmante, duke e ditur se çdo gjë kontrollohet nga burrat, se sa patriarkale është shoqëria dhe se sa të pa zbatuara janë ligjet.

Kjo sepse në Kosovë ngacmimi seksual sanksionohet me ligj. Sipas Ligjit të Republikës së Kosovës Nr. 2004/2 për Barazi Gjinore theksohet:

“2.6. Sulmi dhe ngacmimi seksual paraqesin diskriminim gjinor. 2.7. Ngacmimi përfshin çdo formë të sjelljes që ka për qëllim ose që paraqet cenim të dinjitetit personal. 2.8. Ngacmimi seksual përfshin çdo formë të sjelljes së padëshiruar seksuale verbale dhe joverbale, fizike ose simbolike, që në të njëjtën kohë ka për qëllim ose paraqet cenim të dinjitetit personal”. /a.a

 

*Ky shkrim është pjesë e serisë së shkrimeve në kuadër të projektit “Politikat lokale nga perspektiva gjinore”, realizuar nga blogu Barazia dhe mbështetur nga fondacioni Friedrich Ebbert Sttiftung.

Leni nje re