Nevojë emergjente për të rrëzuar normat tradicionale mbi shëndetin riprodhues dhe seksual

Shkroi :Fjolla Vukshinaj

“Jo,në orën e biologjisë gjithmonë e kemi kaluar pjesën e kapitullit për shëndetin seksual dhe riprodhues”, ishin reagimet e shumicës së vajzave të cilat ishin ftuar për të diskutuar rreth shëndetin riprodhues dhe seksual, takime këto të organizuar nga organizata “Gruaja Bashkëkohore”, në Prizren.

Sot në Kosovë, në një shoqëri ku mbizotërojnë normat e moralit dhe ndershmërisë, është akoma stigma për të folur rreth shëndetit riprodhues dhe seksual. Kjo bëhet akoma më e vështirë kur edhe për profesionistët shëndetësor është një temë tabu.Në shumë artikuj në media të ndryshme, kemi lexuar dhe jemi tronditur nga sjellja e personelit shëndetësor kur një grua ka shkuar për vizitë tek gjinekologu.Pyetja “A je e martuar”, është bërë tani njëfarë mënyrë “implicite” për të ditur nëse gratë janë seksualisht aktive. E që në fakt pyetja që duhet t’ju bëhet është “A jeni seksualisht aktive”.Të njëjtën gjë e përjetojnë edhe burrat shqiptarë. Më tronditëse se kjo është dëshmia e keqtrajtimit të grave sa i përket riprodhimit.

Një grua lindi në korridorin e Qendrës Klinike Universitare në prill të këtij viti, dy vite më parë edhe një grua tjetër lindi në të njëjtën mënyrë, një tjetër vdiq në Spitalin Rajonal të Gjilanit disa orë pas lindjes.

Se sa është proces kompleks tregon fakti se të drejtat e shëndetit riprodhues dhe seksual, si të drejta themelore për njeriun vazhdojnë të jenë akte ende të panjohura, të papranueshme, dhe në momentin kur dikush flet për këtë, shndërrohet në guxim.

Ndonëse, në përgjithësi ka një një kornizë të përshtatshme institucionale dhe të politikë bërjes ( që lidhen me  të drejtat e shëndetit riprodhues seksual, por janë disa probleme të ndërlidhura që po e pengojnë implementimin e kufizuar të kornizave ligjore. Vullneti i kufizuar politik, ndërgjegjësim shumë i ulët brenda Qeverisë dhe profesionistëve mbi te drejtat e shëndetit riprodhues dhe seksual dhe fondet e kufizuara kanë ndikuar që t’i forcojnë akoma më shumë normat tradicionale – kulturore. Në anën tjetër shumë nene në ligje të caktuara shprehin pafuqinë e grave në shëndetin riprodhues. “Ligji për Ndërprerjen e Shtatzanisë”, neni 1, përkufizimi ABORT fare nuk përfshinë arsyet ekonomike dhe shoqërore si arsye legjitime për të abortuar. I njëjti ligj Kosovar po ashtu ka gabime terminologjike; në vend të “gruas” përdoret termi “femër”. Për këtë duhet një reformë e plotë institucionale, apo një revolucion institucional dhe shoqëror.

Ndonëse institucionet kanë stagnuar në këtë drejtim, qëndrimet në shoqëri kanë filluar të ndryshojnë. Muaj më pare disa vajza lansuan aplikacionin “Shneta” – si aplikacioni i parë në Kosovë për edukatën seksuale, shumë artikuj edukativ të publikuar në media, ligjerata joformale etj.Prandaj, duhet një avokim i fuqishëm për ngritjen e fokusit qeveritar drejtë shëndetit riprodhues,  përfshirë këtu avokimin për ofrimin e shërbimeve për shëndetin riprodhues në kuadër të pakos bazike së shërbimeve shëndetësore dhe ndarjen e linjës buxhetore për kontraceptivët modern.

Organizata “Gruaja Bashkëkohore” implementoi  projektin : “Shëndeti dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese” mbështetur nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe financuar nga “ADA”-Austrian Development Agency.U mbajtën takime me vajzat e reja me qëllimin rritjen e vetëdijes për rëndësinë e shëndetit seksual dhe riprodhues.

 

 

Leni nje re