Mitrovica ngrit çështjen e analfabetizmit të lartë tek gratë

04.10.2017

Në debatin e radhës në Mitrovicë, me temën “Politikat lokale nga perspektiva e grave”, të mbajtur sot prej orës 12:00, të ftuara dhe prezente për të diskutuar bashkërisht ishin përfaqësueset e të gjitha partive politike që garojnë për ta marrë qytetin, përvec asaj të AKR-së, partisë që qeverisë me Mitrovicën që katër vite. Përfaqësueset e kësaj partie, refuzuan t’i përgjigjen ftesës e cila ka për qëllim identifikimin e nevojave dhe problemeve bazë që prekin jetesën e grave, kryesisht të atyre nëpër zonat rurale, dhe qytete më të varfëra për nga zhvillimi dhe hapësira.

Dihet se gjendja e grave në Kosovë është e mjerueshme, si nga aspekti ekonomik, por edhe social. Në shumë komuna  të Kosovës, gratë nuk kanë çasje as në shërbime elementare siç janë kujdesi intim shëndetësor, e deri tek mungesa e ujit, si problem shumë i madh, që detyron gratë në bartjen e ujit prej puseve të thella…

As komuna e Mitrovicës nuk qëndron ndryshe kur bëhet fjalë për harmonizimin e ligjit për Barazi Gjinore, që thotë se çdo njëra gjini duhet të përfshihet me 50% në organet drejtuese komunale, problematikë të cilën e shtroi për diskutim Merita Meshekrani Mripa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidate për asamblenë komunale në Mitrovicë. Ajo shprehi pakënaqësinë e saj se si qeverisja e AKR-së nuk ka përfshirë më tepër se një grua në vendimmarrje, në këtë rast në drejtoritë komunale.

Valbona Sadiku nga Partia Demokratike vuri theksin tek harmonizimi i dokumenteve ligjore në fushën e barazisë gjinore, si dhe foli për projektet që ajo zotohet, me mbështetjen e subjektit të saj, se do të realizojë. Ndër tjerash përmendi se do të tërheqin donator për implementimin e projekteve të ndryshme dhe do të krijojnë hapësira për të zhvilluar kapacitetet e grave. Ajo tregoi se sa me rëndësi është ndërmjetësimi i organizatave joqeveritare me bizneset private për të rritur punësimin tek gratë, subvencionimin e bizneseve të grave, si dhe ndarjen e granteve.

Vajzat edhe gratë sot diskriminohen qysh në familje, kur së pari, sa i përket shkollimit, djemtë janë të favorizuar, dhe gëzojnë privilegjet e të marrit arsimimin që kërkohet për tu integruar në shoqëri, tha Shkëndije Halimi nga Lëvizja Vetëvendosje!, ku ndër tjerash, ngriti edhe si çështje kyçe që ka nevojë për trajtim edhe çasjen e vajzave në trashëgimi, ku si rrjedhojë e kësaj ato janë kategoria më e varfër e shoqërisë.

Sigurisht, vështirësia në vendimmarrje është çështje që preukopon të gjithë, e edhe Shkëndijën e cila përmbylli fjalën e saj të rastit me nevojën për të investuar në shëndetin e grave, me ç’rast, hulumtimet tregojnë se gratë dhe vajzat nuk e marrin as mjekimin bazë.

Kur jemi tek çasja e grave në mjekimet bazë, përveq kancerit të gjirit i cili po merr jetën e shumë vajzave dhe grave, Mimoza Obrazhda, nga Partia Alternativa, përmendi edhe menopauzën tek grate si shkaktarë serioz i vdekjes së grave, ku ndër tjerash theksoi se nuk është vetëm çështje mundësie për t’iu çasur shërbimeve mjekësore, por edhe mungesa e  vetëdijësimit, në të cilin me siguri se kontribuon edhe shkalla e lartë e analfabetizmit në mesin e grave.

Analfabetizmi tek gratë u tha se ende qëndron në shkallë të lartë, dhe duhet ekzistuar domosdo masa të cilat, të paktën, i mësojnë gratë të shkruajne dhe lexojnë, në cilëndo moshë që janë ato.

 

Leni nje re