Poezi nga Ada Halilaj

Jam shpia e grave të egra
jam britma e tyne hakmarrëse
asgja të mëndafshtë s’kam
përveç përtypjes.

Jam pyll që pret me lind kafsha e parë e dimnit
Për orën në zemër,
jam një kafshatë jetë e vdekje bashkë

vritem nga ata që s’më vrasin
vras ata që s’vriten
Deri n’gju më mbërrin qielli
zogjtë e tij në sqep më sjellin uri të largët,
uri që më josh,
uri që më banon.

sytë më rrinë në vend
por jo shikimi
teshat më veshin prapë
prapë
si një kukull të mitun
m’mësojnë me kja.

Por inç për inç
dhimbje për dhimbje
lëndinë për lëndinë
trupi jem hup copa të vjetra
kile të shterrshme andrrash.

ky trup që s’ma xen ma shpirtin
as kjo dhomë
as ky qytet
që natën e tij nuk përzin me temen.

Jam goja e grave të egra
jam korja e bukës në ujë
nuk mbytem
nuk zbutem
nuk hahem
shpërbahem.
Më duhet me e zgjanu mishin
me i tjerr eshtnat
me e zbraz gjakun në një enë të bardhë
me u liru dursh
kambsh
me u lanë me m’tretë
mandej me u shtri mbi lumin që qesh nga malli
për të palëvizshmen e gjallë.

Jam shpia e grave të marra
jam dielli i prishun në pjatë
jam cehre e frikshme
jam mur
pa micën mbi bark
pa këmishën e forcës
pa vetminë që zien mbi zjerm,
pa flokët e mi të përjetshëm

jam mur
jam shpi.

Leni nje re