Së pari truprojat, pastaj tuxharët.

Shkruan: Egzon Kryeziu

Së pari truprojat, pastaj tuxharët.
Krejt thjeshtë, zotëria zbret prej veturës me xhama t’zinjë.
Të gjithë buzëqeshin.

Veç ca hapa tutje, në kazanin e plehrave, një burrë mbi të tridhjetat i kërkon të bijës të mbledhë së pari kanaçet, pastaj copat e plastikës.
Shishet e Alkoolit prej qelqi nuk i mbledhin.

-Verë ?- tha zonja me të zeza.
-Po si!
-Për popullin.
-Për popullin -thanë tuxharët.
Gotat s’u pinë të tëra, më tepër zgjati degustimi.
Nuk u fol gjatë, pazari u krye shpejtë.
Tuxharët prapë buzëqeshën.

Vajza e vogël e zeshët, u afrua drejtë eskortës, njerëzit me kollare ndoshta mund t’i falnin diçka.
S’i dhanë gjë.
E përzunë!
-Bab, ka shumë njerëz ktu, nesër kazani ka me u kan plote, ndoshta lën’ edhe kanaçe.
-Po Babit, kta pos bërllogut s’lajnë gjâ mbrapa.

Vajza që gjithë kohën vishet si aristokrate dhe që di të heshtë në mbi 20 gjuhë, foli.
Por s’tha gjë.
U siguruan mirë që buzëqeshja të dukej sa më natyrale, u afruan edhe tuxharët edhe ata u zgërdhinë.
Shkrepën fotografinë.
-U ble-thanë tuxharët.
-U shit-thanë të tjerët.

U shitën edhe kanaçet, diku pak më tepër se 3 euro.
Buzëqeshja e burrit me të bijën nuk u fotografua.Ajo shihet çdo ditë rrugëve si buzëqeshje mbijetese…

Eskortat me alarme vazhdojnë të enden qytetit, për popullin gjithmonë.
Për më tepër bërllog, për më tepër mbijetesë.

Leni nje re