”PUNË GRASH”

Shkruan: Ada Halilaj

Nëse të paktën një herë në jetë (prindërit, halla, daja, tezja, gjyshja, gjyshi, kojshia, një i njoftun i zakonshëm) nuk të janë drejtu me fjalët:çoju e ban ndonjë punë moj vajzë, a e ke ndërmend me shku në shtëpi të huaj ndonjëherë?… o je burrë, o nuk ke lind akoma!

Sapo kopështi i fëminisë nuk na i rrit ma lulet magjike dhe trupi rrëshqet si mjaltë nga bota e pafajësisë, ekzistenca jonë fizike dhe mendore kthehet në një ngjarje të pashmangshme: në grua.Byreku i parë, lavatriçja e parë, larja e parë e enëve, shpluhurosja e shtëpisë para festave apo ardhjes së miqve për vizitë përbajnë veçse gërmat fillestare të biografisë tonë. Ndëkohë që baba dhe vëllai, të shtrimë për shtatë palë qejfe në divan, shohin ndeshjen e vitit, ti e gjen veten me doreza plastike duke pastru banjon dhe pikat e urinës nëpër pllaka e nana jote në kuzhinë përgatit durueshëm vaktin e përditshëm.Vetëdija jote zgjohet nga gjumi e padrejtësia e situatës t’i ndez një e nga një llampat e tana të vërtetave.

Kupton që s’ka randësi prejardhja e një gruaje, s’ka randësi rruga që ke shtru me zgjedhjet e tua, s’kanë randësi nota e temës se diplomës apo dëftesa e shkollës së jetës, puna e mirëpagume që i jep vend e zà pavarësisë tande ekonomike apo asistenca e shtetit, s’ka randsi sa e realizume je si individ, sa herë ke fitu ngritje në detyrë a sa dyer të janë ba mure, sa çertifikata trajnimi të gozhdohen në dhomë, sa njerëz varen nga fjala jote dhe vendimet e tua në zyrë, s’kanë randësi paratë e kursyme apo tapia edhe në emrin tand, s’ka randësi a je një grua e ”lirë” apo viktimë e lojës patriarkale, s’ka randësi a lobon për të drejta të barabarta apo lutesh t’i mbijetosh urisë edhe një ditë tjetër, s’ka randësi a je dikushi apo askushi…sepse pasi çelësi të rrotullohet në bravë, para teje shpaloset bota e pafundme e punëve të shtëpisë. Ndërresat e palame, pluhni mbi sipërfaqet paditëse, tapeti me dromca buke të fshehuna nën thakë, këmishat me jakë të egër për tu hekuros, sirtaret lamsh në kuzhinë…..të përkasin ty, të presin ty. Nëse ke fat mund të punësosh një pastruese dhe një dado (grua edhe ajo)…në të kundërt të famshmet, të ripërtëritshmet, ”punët e shtëpisë” janë gjaja jote, taksa jote absolute si grua.

Sipas të dhanunave të INSTAT (për pinjollët e statistikave) 95 % e vajzave dhe grave të moshës 15-64 janë totalisht të përfshime në të gjitha kandet e punëve të shtëpisë, ndërsa për të njajtën grupmoshë përqindja e burrave asht vetëm 37 (në një kampion prej 2250 familjesh).

Ti mund të dalësh në mëngjes në të njajtin orar me bashkëshortin/partnerin/të dashtunin tand…të ktheheni në mbramje po në të njajtin tregues akrepash e ndoshta funksioni jot në punë mund të jetë fizikisht ose psikologjikisht ma i lodhshëm, ma me tension, ose i barabartë me ritmin e tij…por ankesat e tua janë memece dhe askush nuk të hek nga shpatullat barrën e larjes, shpërlarjes, hekurosjes, gatimit e me rradhë. Nëse asht xhentil, i vëmendshëm apo i ndjeshëm, burri jot mundet me u ndi pak në faj e me të shtri dorën në ndihmë, me shtru tryezën, me vu fëmijët në gjumë, me të përgatit kafen i pari e ti në kthim duhet ta falenderosh, ta shohësh me sy andrrimtarë e të vetëquhesh me fat…se fundja ku e gjen një si ai që del nga natyra e tij burrnore dhe prek punë (jashtë kalibrit) me dorë?(ironi). Shoqet e tua të thonë që ke lind me kemishë. Nana jote ban kryq e falenderon Zotin që burri që ke nuk i ngjan babës tand:i jep vedit, nuk rrin si pasha.Vjehrra jote, me një ndjenjë të përzime zilie dhe keqardhjeje për ”shfrytëzimin 8 me 2” që i ban djalit të saj, si me marifet len mbas shpinde fjalët: Eh ti, ti,ke qëllu në shenjë me djalin tem!

I njajti akt riluhet edhe atëherë kur e gjithë ekonomia familjare mbështetet ekskluzivisht mbi të ardhunat e gruas. Pra edhe pse burri gjendet i papunë ose me leje, përsëri pesha e mirëmbajtjes së shtëpisë bjen me forcë graviteti mbi kryet e gruas. Burri ndihmon me përzgjedhje aristokratike, mund të ”sakrifikojë” disa vlera të çmueshme por ama në ato territore prekin pakthyeshëm sedrën e tij prej shqiptari, nuk ven kambë…si përshembull mbledhja e rrobave të thata nga ballkoni.

-Ku janë pantallonat që kam ble vitin e kalum?

-Ku i len rrobat e dimnit?

-Ku janë pjatat e thella?

-Ku kanë humb këpucët e sportit?

Një tufë pyetjesh që fatkeqësisht na tingëllojnë familjare të gjithave ne janë prova reale që vetëm ti e njeh pllambë për pllambë shtëpinë ku jetoni të gjithë bashkë…të tjerët, o kanë probleme serioze me kujtesën ose kanë lëshu mbi ty detyrën e inventarit të përgjithshëm.Puna jote shpaguhet në rastin ma të mirë me përkëdheljet:të lumshin duart! ça do kishim ba ne pa ty…ose në rastin ma të keq me një arrogancë autoktone: hajt se s’ke ba ndonjë gja të madhe veç detyrën.

Por nëse shtëpia asht e të dyve, pasardhësit gjithashtu, pse kujdesi i plotë për shtëpinë kalohet mbi gruan dhe çdo kontribut i burrit duhet katalogu si një plus? S’don shumë mend për të kuptu që jeta në këtë vend, shkruan parathanie kryqëzuese në bazë të gjinisë. Je burrë, jeto si burrë. Je grua, shterroju si grua.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk duhet keqkuptu me propagandën e gabume që punët e shtëpisë janë të parandsishme dhe shtëpiaket s’janë veçse shtëpiake.Përkundrazi, me u kujdes për ambjentin në të cilin merr frymë, me ecë kambëzbathë në një dysheme sterile, me shkëlqy pllakat e shporetit dhe dollapi me kenë i organizum në kate të ndame asht kënaqësi, punë dhe dedikim në vetvete (edhe pse ndonjë stonim me rrëmujë tek-tuk nuk ka vra asnjëherë askënd). Ajo që dua të theksoj asht që krijimi i kësaj pastërsie dhe kënaqësie nuk duhet të jetë obligues vetëm për njenen palë ose vetëm për tjetrën. Nëse bashkimi ban fuqinë, pse të vazhdojmë ti presim gjanat me shpatë e ti kthejmë racionet në ligj? Kjo nuk do të thotë as që raporti duhet të respektojnë preçizionin. Gjithkush ban atë që mundet, pa prit me ia kujtu dikush tjetër, pa vu në pikëpyetje se kujt i takon kjo e ajo e ç’ka asht ma thelbësore: pa pretendu shërbim full-time.

Nuk duhet harru që edhe mbi mbi burrat me logjikë të shëndetshme barazie dhe vullnet të paprogramum ngulet një presion i konsiderueshëm i cili fryn furishëm nga të katër anët: nga syni kontrollues i opinionit që burrat i ngjit në fron e ua përligj nevojën për shërbëtore; nga edukimi familjar që në shumicën e rasteve nuk e orienton asnjëherë djalin kah përkujdesi shtëpiak; nga mbizotërimi i frikës tipike shqiptare që vërsul dyshimin se po i dhe gishtin gruas, ajo të merr krahun apo nga stereotipet e burrit me namuz që nuk ia lejon vedit përzimjen me punët e grave.

Morali?

Kuzhina nuk asht dhoma jote e lumtunisë (nëse nuk e vendos TI)

Shkopi i fshesës nuk asht shkopi jot magjik (nëse nuk e vendos TI)

Përparësja e bardhë nuk asht fustani i vetëm që ke (nëse nuk e vendos TI)

Nuk asht vetëm PUNA JOTE me mbajt shtëpinë xixë dhe me u turpnu e sikletos nëse dikush papritmas vjen kur ma pak e pret dhe gjen mbulesën e divanin jashtë vendit.

Nuk asht vetëm PUNA JOTE me u zgju e para, me përgatit çantat e fëmijëve, mëngjezin e shpejtë, me i përcjell në shkollë, me i marrë nga shkolla, me shku në tana takimet me prindërit, me ardh me vrap maratonomaku, me përgatit darkën, me la enët, me ba lavatriçen e rradhës.

Nuk asht vetëm PUNA JOTE me ba pazarin, me ndërru çarçafet, me prit derisa të gjithë të shtrihen në krevat e me mbyll sytë e fundit mbas mesnate.

Prandaj në dyshimin ma të vogël: a mos ndoshta po e teproj?A mos po pretendoj shumë? Mos gjithë kjo kambngulje për barazi po kthehet në diçka ma të madhe se unë? Vetëpërgjigju: JO. Nëse ti nuk arrin të kapërdish padrejtësinë, nuk don me thanë që je kryeneçe apo e lajthitun, por që padrejtësia asht vetë e pakapërdishme.

Shtëpia asht pasqyrë e gruas po aq sa edhe e burrit apo pjesëtarëve të tjerë të familjes.Ndamja e humnershme dhe diskriminuese në punë GRASH apo punë BURRASH masakron ditën për diell jo vetëm barazinë gjinore por edhe respektin për njeriun dhe kapacitetin e tij…sepse në fund respekti për tjetrin asht vetë zemra e njerëzimit.

Leni nje re