Me u feju a mos me u feju, kjo është çështja?!

Nga: Brigela Demaj

Sigurisht, çështjet e dashurisë përbëjnë nji temë interesante për shumicën dërrmuese. Kush nuk do të donte me ndigju mbi shpallje publike të mardhënieve romantike, drama, divorce, tradhëti e me rradhë?

Gjithsesi, në kulturën shqiptare, çështja që shtrohet asht tjetër. Cila gja e çon nji opinion te tan me e konsideru fejesën si nji ndër eventet ma të randsishme në jetën e nji vajze, në mos ma të randsishmen?

Në fakt, tan jeta jonë si vajza nuk asht asgja përvecse fazë para-përgatitore për kyt ditë.
“Shoqet tuja janë nana fëmijësh”- më tha nji i afërm para pak kohësh, si me më kujtu rolin që duhet të kem në jetë, atë të bashkëshortes e të nanës.

Ajo që më lëndoi, nuk ishin pritshmëritë e këtij të fundit, sepse asht i vetëdijshëm që me shumë mundësi kam me i pa une kapakun e arkivolit përpara se me më pa ai mu vellon e famshme të bardhë të virgjinitetit.

Kjo ishte nji ndër shumë momentet në jetën teme ku kujtohem mbi atë çka përjetojnë vajzat përreth meje, sidomos ato që jetojnë në zonat rurale, ku fejesa në shumë raste asht e vetmja shpresë e tyne për nji jetë ma të mirë.

Në këto zona, djali pretendent paraqitet në shpi bashkë me familjen “me pa vajzën”…vajzën që u shërben, u pjek kafet e mban sytë poshtë, e cila shqyrtohet a ja vlen si mall, mandej vendoset nga pala tjetër nëse denjojnë me ardh prapë, kësaj here “me e lyp”.

Kujt me ja lyp? Babës, sigurisht, skllavopronarit të saj. Kështu, dy burra, njeni djal i ri e tjetri burrë pak ma i moçëm, ulen në tavolinë e bien në ujdi, vendosin kushtet e në fund i shtrëngojnë dorën njeni-tjetrit të kënaqun që kanë ba nji marrveshje kaq të mirë.

Baba asht i sigurt që vajza e vet nuk asht kurvë e imorale, nji arsye legjitime sipas Kanunit të Lekës për të cilat mundesh me e nda grun…apo me e dënu si ke qef, deri dhe me e vra. Pra, baba e ka mallin e mirë e asht i gatshëm me u betu për të.

Nëse malli rezulton i keq, ai nuk pranon me ja kthy,  pranon turpin e përpiqet me rifitu nderin e hupun në sytë e botës, tu shpall publikisht që ai mall nuk hyn ma në derë të tij.

Nderkohe, djali, që në shumicën e rasteve asht në fakt, burrë,por që asht mendjehapun dhe nuk e ka problem diferencën në moshë me të fejumen e re të sapo dalun nga bankat e shkollës (shkollës së mesme, në rastin ma të mirë), i garanton të zotit të mallit se vajzën e ka në dur të sigurta.

Kështu, bihet dakort që ky bashkim ku marrin pjesë tetan familjarët e të dyja palëve, asht i përjetshëm, do të thotë, kjo as që përmendet,sepse merret e mirëqenë.

Këto vajza të reja, që andrrat ma të bukura të cilat u asht leju me pas, janë ato të nji dasme të madhe, nji velloje e nji strehe bashkëshortore, mashtrohen prej këtij komploti të ndym të kësaj shoqnie që i trajton në rastin ma të keq si objekt seksi, e në rastin ma të mirë si…bashkeshorte.
Këto vajza të reja që i prezantojnë me edukimin e me shkollën si nji mënyrë me shty ditët deri sa të vijnë koha me u feju, mbesin të padituna, pre të lehta të burrave që, meqë ra fjala, e dijnë mirë ça bajnë.

Në fakt, ata i preferojnë vajzat e padituna, kështu munden me mbajt dhe nusen e mirë e të urtë, por dhe dashnoren që, le ta thona kshu..”din pak ma shumë”.

Këto vajza të reja, viktima të komplotit që ngrejnë burrat për me i mbajtë në pozicionin që ata dëshirojnë, atë të trashëgimtar-mbartëses, skllaves së seksit, shërbëtores e përgjegjëses për lumturinë e familjes e të fisit, njohin vetëm këtë realitet.
Asht detyrë e secilës prej nesh që e ndijm peshën e patriarkatit e gëzojmë empati për vujtjet e vajzave e të grave, që me çdo mundësi që kena, në çdo rast që na ofrohet, në çdo mënyrë të mundshme, me i prezantu me realitete të tjera.

Vajza, nëse vjen nji ditë e ora e fejesës ban tik-tak, arratisnju prej penxheres, pshtyni në surrat çdo burri që përpiqet me ju tregu vendin e protestoni ndaj këtyne ujdive të neveritshme!

Nëse jashta penxheres duket e frikshme, ma besoni, asht ma e frikshme mrenda penxheres, në shtrat me nji krijesë mitologjike gjysëm derr-gjysëm njeri, i cili pret prej jush me rënku nga kënaqësia sa herë asht “në qef”, i cili pret prej jush me i la carapt e brekët, me i gjet gjithmonë në vendin e duhun, i cili ju ofron nji punë vullnetare impenjative 24-orëshe, për të cilën ju shpërblen me nji penis gjysëm të çum.

Atje jashtë penxheres, vetëm atje, mundeni me njoft vedin, e me zbulu e përjetu realitete të tjera, ku lumtunia ka plot emra të tjerë përvec emrit burrë.

Liria asht ma e shtrenjtë se buka, ma e shtrenjtë se ajri, ma e shtrenjtë se fmija që mban në krahë për herë të parë.

Qofshi të lira.

Leni nje re