Të dëshiroj lumturi babi

Nga: Njomza Hajradini

Në vendin ku unë linda zakonisht të gjitha familjet që jetonin aty i kishin fëmijët djem, e ndonjëhere ndodhte që me pasë edhe vajza edhe djem , mirëpo e rëndësishme ishte që numri i fëmijëve të gjinisë mashkullore të ishte sa më i madh, sepse nëse dominonte numri i vajzave, atëherë për atë familje ishte një lloj torture: “deri sa t’ia jepnin dikujt at’ rob”. “A thu ka me e martu najkush” ; “I bani 18 vjet e don me na mbetë n’derë , s’po e lypë kush”.

Këto ishin mendimet që i preukuponin ata, e kur një vajzë kërkonte shkollim apo të pavarësohej nga familja e saj, ajo vajzë shquhej për rebelizëm; kur ajo dashuronte dikënd fshehurazi ajo shquhej për kurvëri.

Baba jem ishte i vetmi person në lagjen ku unë u rrita , i cili kishte 4 vajza dhe 1 djalë. Mirëpo për fatin tim të mirë dhe të motrave të mia , babi asnjëherë nuk u ndje keq pse ishim aq shumë vajza, përkundrazi, ai gjithmonë e thoshte se: “ vajzat janë pasuria e kësaj bote”.

Sa mirë ishte të ndegjoja prej babit ato fjalë në nji kohë kur shumica e baballarëve dëshironin tmerrësisht shumë që gratë tu lindin djem apo më mirë të themi “trashëgimtar” të fisit të tyne. E ajo çka as sot nuk mundem me e kuptu është se cilën pasuni e fisni me e trashëgu?

Koha kaloi e ne u rritëm; vëllau jem po shkollohej njësoj sikurse edhe ne , ishim një familje e lumtur; babi dhe mami po na ofronin gjithçka për një shkollim sa më të mirë. Kur isha 16 vjeçe mami ndërroi jetë . Dhe e gjithë barra ra mbi babin . Edhe pse ishte shumë e vështirë, babi asnjëherë nuk u rrëzua, ai u bë babë e nanë për ne. Sa e vështirë me i lujtë të dy rolet , por sa mirë babi dinte t’i menaxhonte situtata . Gjithkujt besoj i ka rënë rasti me pasë punë me njerëz që dijnë me i futë hundët në puntë e huaja, ashtu ndodhi edhe me neve, ku “dashamirët” filluan me u interesu me gjetë “ gru” për babin , se ai është burrë e burrat s’bën me mbetë pa u martu; duhet me vazhdu jetën, nuk bën me ndalë jetën veç pse gruaja e parë ka ndërru jetë. Po, po njerëz të dashur, nuk bën me ndalë jetën, se jeta vazhdon pa marrë parasysh çka ndodhë, e këta askush më mirë s’mundet me e dijtë se sa ai që është duke e përjetu.

Babi asnjëherë s’është ndikua prej fjalëve të tjerëve, edhe pse në asnjëherë nuk folëm ai e dinte mirë se ne nuk ishim të gatshëm për një person të ri në familjen tonë, as ai vetë nuk ishte i gatshëm. E qysh mundet me qenë i gatshëm kur edhe tash kur na tregon diçka për mamin, sytë e tij reflektojnë dashuri dhe thellë brenda vërehet mungesa që ai e ndjen ndër vite.

Babi më mesoi shumë gjëra, më mësoi se çka do të thotë pavarësia e gruas; ai më mësoi se si asnjëherë nuk duhet të dëshpërohesh e të vazhdosh përpara; babi më mësoi domethënien e asaj fjalisë: “ Birat e gardhit edhe goja e hallkut kurrë nuk mshelet” .

Më tha se çka do që të bësh, njerëzit do të flasin për ty , dhe kjo veç të tregon ty se ata nuk kanë gjëra të rëndësishme në jetën e tyre që i mbanë të angazhuar, prandaj do të merren dhe do të përpiqen të të futen në jetë. Dhe, kjo është si një sëmundje e keqe.

Babi, unë jam tani në konvikt duke shkruar për ty, jam duke e ndjekë këshillën tënde se:

“nëse veproj keq, askujt më shumë se vetit nuk i baj dam” .

Faleminderit bab që u bëre nënë e babë për mua; faleminderit bab që sa do që ishte e vështirë për ty, ti na fale vetëm dashuri dhe pozitivitet; faleminderit për mbështetjen morale e cila kurrë nuk më mungoi, dhe mbi të gjitha faleminderit që ende e ruan të freskët kujtimin për mamin. Ai kujtim që për mua do të thotë gjithçka.

Babi, të uroj të gjitha të mirat, të uroj të gjesh dikënd e cila do t’i mbushë me lumturi të gjitha zbrazëtirat në jetë . Ketë jetë që ti neve na e mbushe me dashuri.

Me shumë dashuri,

vajza jote Njomza

Leni nje re