Historia dhe rrugëtimi i Arzije Zenunit drejtë suksesit

Arzije Zenuni, nga programi Women for Women International, tani e regjistruar si Kosova-Women 4 Women, dhuroi për gratë e programit KW4W 500 fidane mjedre, në fshatin Bajgorë. Ajo këtë gjest human e bëri pikërisht tu ndihmojë grave që duan te mirren me kultivimin e mjedrës.

“E kam pa të arsyeshme me i dhuru këto fidane të mjedrës përmes organizatës Kosova-Women 4 Women, jam nis prej përvojes time, e di që ka gra që dojnë me kultivu mjedra por nuk kanë mundësi. Edhe pse materialisht nuk jam në gjendje t’ju ndihmojë, qëllimi im është qe t’ju ndihmojë grave sado pak dhe me keto fidane qe ju kam dhuru shpresoj qe te fillojnë me kultivim dhe të zgjerohen” .

Arzije Zenuni në vitin 2016 është regjistruar në programin “Women for Women International” në Kosovë. Ajo është nga fshati Biti e Epërme.  Për këtë program ajo kishte dëgjuar nga disa të afërme të saj nga fshati Pleshinë. Atë çka e bën Arzijen të veçantë është humanizmi i saj dhe vullneti t’ju ndihmojë grave të Kosovës.  Para se të vinte në programin e WfWi Arzija ishte  marrë me kultivimin e mjedrës, por jo në sasi shumë të mëdha. Gjate programit një vjeçar me WfWI ajo mësoi edhe praktikat e kultivimit te mjedrës, si dhe krijoi rrjet me gratë e programit dhe me akterë te ndryshëm. Gjithmonë kishte një dëshirë, të kultivonte mjedër në sasi më të mëdha dhe të gjeneronte të ardhura.

Këtë ëndërr ia mundësoi edhe një kultivues i mjedrës, i cili duke e parë përkushtimin e Arzijes për këtë kultivim, i dha asaj fidane mjedre për 5 ari tokë dhe i tha që pagesën t’ia bënte pasi t’i shiste produktet e mjedrës. Arzija, së bashku me familje filloi kultivimin e mjedrës si dhe e zgjeroi biznesin e saj duke shitur produktet. Këtu filloi edhe suksesi i saj me kultivimin e mjedrës dhe vazhdon tutje.

Arzija është shumë falenderuese për organizatën Kosova Women 4 Women:

“Për organizatën kam shumë fjalë të mira që ju ndihmon grave dhe i drejton në rrugëtimin e tyre drejt suksesit. Mua më ka sponzorizuar një grua nga SHBA gjatë programit me WfWI dhe kemi shkëmby letra. Gjatë gjithë kohës kam mendu qysh mundem edhe unë me ju ndihmu grave në të njëjtën menyrë, duke i motivuar. Dhuratën e fidaneve të mjedrës për gratë e Kosovës e bëj me plot zemër, dhe dua t’i tregoj edhe sponzores time që edhe unë po bëj diçka për gra” – thotë Arzija.

Historia dhe rrugëtimi drejtë suksesit

Nga:  Arzije Zenuni

Të qenurit grua nuk është e lehtë! E kaluara mund të të dhemb, dhe ti nuk mund t’a ndryshosh atë; por krijimi i të tashmës është ndryshe. Ti mund t’a krijosh të kaluarën duke jetuar të tashmen; ti ose vendos që të përballesh me të kaluarën ose të largohesh nga ajo! Është zgjedhja jote!

Çdo njeri përjeton dhimbje që nga lindja.Dhimbjet ndryshojnë nga njëra-tjetra, por dhimbja shpirtërore është shumë e rëndë.

Njeriu duke përjetuar çdo ditë dhimbje, vuajtje; përshtatet me to dhe kjo vuatje bëhet identiteti i tyre. Nuk e di pse! Por, unë e di që ka njerëz që e tërheqin veten nga vuajtjet dhe vazhdojnë të jetojnë një jetë ku vuajtjen e shohin si diçka që duhet menjanuar. Kjo është ajo që jam munduar deri tani ta bëjë.

Jeta ime fillon më 13 mars 1978 (përndryshe me lindjen time). Një fëmijë i ndryshëm nga fëmijët e tjerë. Një vajzë që sillej më shumë si djalë.

Të gjithë e dimë se si janë trajtuar vajzat/gratë kosovare në të kaluarën. Duket monotone ndoshta që vazhdimisht përmendet kjo, por shkurtimisht vajza/ gruaja ka qenë si pronë e një burri. Ka qenë e detyruar që të bindej, diçka që nuk është tipar i imi. Bindja ka qenë dhe është e kundërta e asaj që jam. Por njeriu mëson nga jeta, dhe jeta më mesoi që duhet të bindem dhe t’iu kundërvihem vetës që të mbijetoj. Dhe këtë e bëra për një kohë të shkurtër.

Ndryshimi është një proces që nuk mund t’i ikësh. Nga të qenurit një foshnje pa dhëmbë, ti bëhesh një fëmijë që mësohesh që të hedhësh hapat e parë dhe të flasësh një gjuhë në mënyrë që të kërkosh gjëra, të shprehësh dëshira që në shumicën e rasteve nuk plotësoheshin. Erdhi koha që të mësosh kujdesin ndaj vetës, pastaj kujdesin ndaj motrave. Sekondat, minutat, orët, ditët, javët, muajt dhe vitet kalojnë shpejt, sa hap e mbyll sytë… erdhi dita e parë e shkollës.

Shkollimi im nuk zgjati gjatë, si shumë vajza të tjera u detyrova edhe unë t’a ndërprej për shkak të ndjekjes nga policia serbe. Edhe për aq sa zgjati, nuk ishte mjaftueshëm. Në shumicën e ditëve nuk shkoja në shkollë sepse familja ime dëshironte sigurinë time më shumë se sa edukimin përmes shkollimit. Kështu për të kaluar kohën ndonjëherë lexoja libra që axha im i sillte nga vendet e tjera evropiane ose kryeja punët e grave, por doja që t’i ndihmoja edhe burrat. Grua e fuqishme ë? Jo aq e fuqishme sa dëshira për të punuar. Por, pa marrë parasysh, edhe pse ëndrrat e mia ishin vetëm për gjumë, pse të mos ëndërroja?

Këndimi ishte një nga pasionet e mia, kështu pasi nuk munda të dal në skenë, unë vazhdova të ëndërroj sepse ishte e vetmja gjë që nuk mu ndalua. Askush nuk mund të të ndaloj së ëndërruari. Dhe e di shumica do të mendojnë se unë luftova për këtë ëndërr, por jo në fakt nuk e bëra.

Nga të qenurit një fëmijë erdhi koha të bëhem grua. Historia ime sapo ka filluar. Erdhi koha që të kem një familje. Dhe ja u martova në moshën 17 vjecare dhe në fakt unë u bëra e lumtur edhe pse nuk e prisja. Linda fëmijën e parë në dhjetor 1998; u bëra nënë. Të qenurit nënë ishte ndjenja më e mrekullueshme që kam përjetuar deri në atë kohë,  dhuratë e vërtetë! Erdhi lufta;  përjetimet tona nuk përfunduan me kaq. Frika e humbjes së burrit tim , i cili ende vuan pasojat e atij rrëmbimi nga serbët, të cilët ushtruan dhunë fizike mbi të, ende vazhdon të më ndjek. Si familje u detyruam që të shpërngulemi për në Maqedoni, ku  në maj të vitit 1999 unë u bëra edhe me një vajzë. Kështu pas përfundimit të luftës u kthyem në Kosovë prapë dhe pas 2 vjetëve linda edhe djalin e dytë. Të jesh nënë e tre fëmijëve nuk është e lehtë por të bënë të fortë.

Në fundin e vitit 2001 vajza ime u sëmurë nga kanceri në sy. Ne nuk kishim kushte të mira (nuk kishim kushte elementare) për jetesë. Me ndihmën e KFORIT Italian arritëm pas shumë operacioneve në Prishtinë pa rezultate, t’a dërgojmë vajzën në Itali për shërim. Fatkeqësisht vajza ime humbi njërin sy, por falë kimioterapisë që ndjeku për 14 muaj, arriti të shërohet. Atje unë mora edhe informacione rreth sëmundjeve të ngjajshme  si të vajzës sime, mjekimin e plagëve, se si të përkrahim fëmijët etj. Të shohësh vajzën duke qarë pa pasur mundësinë të bësh diçka për dhimbjet  e saj, të bënë të ndjehesh e pashpresë! Shërimi i saj ishte dhuratë.

Edhe pse në kushte të vështira dhe pa pasur mundësinë të përdor zërin tim, unë në heshtje me fëmijët e mi dhe burrin tim përjetoja lumturinë që nuk e dija as nga e gjeja.

Pas zhvendosjes ne nuk na kishte mbetur asgjë pos njëri-tjetrit. Lumturia nuk gjendet në mesin e sendeve, por në mesin e njerëzve.

Pasi burri im gjeti një punë, kushtet u përmirësuan.

Ne e dimë që të qenurit nënë është një punë për tërë jetën e jo vetëm për një ditë. Nuk duhej që vetëm të kujdesem për fëmijë e mi, por të bëhem mësuese për ta, psikologe,etj. Sidomos kujdesi ndaj vajzës sime kërkonte përkushtim të madh. E gjendur në mesin e fëmijëve, dhe e ngulfatur nga vështrimet dhe fjalët e tyre, ajo ishte një fëmijë i ndryshëm dhe i vetmuar. Nuk dinte se çfarë faji kishte. Kështu unë vendosa që t’a përgadisë vajzën time për çdo gjë që do t’i shfaqet në këtë jetë. Edhe pse në fillim ishte e vështirë që ajo të përshtatet apo të dal në rrugë, ajo filloi të mësohej. Nuk ndjehej më si vajza me një sy.

Në vitin 2010, linda edhe një djalë. Jeta jonë ndryshoi krejtësisht. Si familje merreshim me punë të thjeshta bujqësore. 6 persona kundër një bote! Në vitin 2015 vendosëm që të merremi me kultivimin e mjedrës. Punë e vështirë, por relaksuese.

Në vitin 2016 fillova të ndjek trajnimin që na mundësoi Organizata Women for Women International. Këtu fillova që t’a përdorë zërin tim që të ndihmojë me kontributin për “çlirimin” e zërave të grave të tjera. Ne krijuam edhe Shoqatën e grave “Infinit” në Zaskok, që është një hap i parë i këtyre grave.

Gjëja që më së shumti dua është të ndryshojë mënyrën e të menduarit të grave, t’i ndihmoj ata të shohin rrugëdaljet, të kenë mundësinë të jenë vetvetja, të jenë të lira, të mos ndjeken nga paragjykimet etj.

 

Një grua mund të jetë e fuqishme pa ndihmën e askujt, por mund të shembet nëse pret që të tjerët t’a shohin ashtu si ajo dëshiron. Kështu që të shohësh në fillim veten dhe t’a pranosh veten ashtu si je është një fuqi që një grua mund t’a ketë vetëm duke besuar në veten e saj.

Unë mora forcën nga të këqijat që më ndodhën, por gjeta shpresën nga të mirat që më ndodhën në këtë jetë.

Falenderoj shumë familjen time që më ka përkrahur deri më tani, e sidomos organizaten Women For Women International, që më bëri të besoj në veten time dhe të besoj se jeta ime është më e gjatë, dhe gjatë kësaj kohe unë duhet të punoj më shumë se sa kam punuar.

Në këtë jetë duhet që të jesh i drejtë dhe të pranosh ndihmën e të tjerëve edhe atëherë kur mendon se nuk ke nevojë për ndihmë. Dhe unë pranova ndihmën e Women for Women International, e cila më bëri që të kuptoj që zëri im nuk është e domosdoshme të jetë i një këngëtareje, por unë mund të japi kontributin tim thjeshtë duke u angazhuar në këtë mënyrë për komunitetin ku jetoj.

 

Leni nje re