“Kur dashuronte Suani”

Nga: Albert Mustafa

Lëshoi mbi tavolinë me njëfarë ndjenje nervoze librin, rreshtat e fundit të së cilit sapo i kishte përfunduar së lexuari. Ishte nga ata tipa të cilët, përmbajtja e librit në raport me titullin, i zhgënjen. “Kur dashuronte Suani”, kishte qenë titulli i këtij libri, titull ky që e kishte tërhequr, sepse, siç dihet, shumica e njerëzve janë të prirur të jenë kurioz rreth temave për dashurinë. Megjithëse kishte mbushur mbi të dyzetat, dhe nuk kishte lexuar asnjë libër, vendosi ta pranonte këtë dhuratë nga një miku i tij i cili ishte professor letërsie në shkollë të mesme. Por, problemi këtu është se, këta lloj personash, i duan ato tema rreth dashurisë sipërfaqësore, aspak të thella, gjë që nuk e kishte gjetur te ky libër. Për më tepër, nga titulli, nuk mund të dinte se ky është vetëm njëri nga shtatë vëllimet e Prustit, të veprës “Në kërkim të kohës së humbur”, sepse ndoshta nuk do ta pranonte fare, ky titull nuk do t’i bënte aspak përshtypje. Por nuk kishte rëndësi, sepse edhe ashtu ishte libri i parë (dhe i fundit) që lexoi. —”Ç’gjë koti kjo puna e leximit. Ç’budalla i gjorë ky miku im që merret me leximin e këtyre librave e, edhe më budalla unë që pranova prej tij këtë libër që ta lexoja.”

Pasi ndezi cigaren e fundit që i kishte mbetur, u çua dhe doli. Me veturën që kishin nga koha kur babai i tij, i cili tashmë ishte i vdekur, e kishte blerë në moshë mesatare, u nis rrugëve duke mos pasur ndonjë ide se ku po shkonte… Përgjatë rrugës, me doemos i binin në sy disa nga ndërtesat e reja që ishin ndërtuar së fundmi në lagje, por i pengonte së tepërmi ngjyra e bardhë e tyre, nuk e kuptonte përse shpenzojnë kot t’i ngjyrosin, dhe në fund t`i lënë, siç vlerësonte ai ngjyrën e bardhë, “pa ngjyrë”. Përse nuk i ngjyrosnin për shembull me ndonjë ngjyrë portokalli të mbyllët, apo ngjyrë kafeje të çelët?

Sigurisht se, në një shije të tillë, e kishin çuar ndërtesat tjera që kishte parë deri më tani në rrethinë, të cilat kryesisht i përkasin llojeve të ngjyrave të përmendura më lart, e që unë me fjalë tjera i quaj ndërtesa ngjyrë muti.

E ngushëlloi veten me faktin se, ka mundur të jetë edhe më keq, pra të lihen të palyera fare, sikur ndërtesa e atij fakultetit, rreth së cilës kishte kaluar herë pas here, e që asnjëherë nuk kishte mundur të kuptonte se pse ajo ishte lënë ashtu e betonizuar, e papërfunduar dhe e shëmtuar. Vazhdimisht i ishte dukur aq kot ajo ndërtesë, njejt siç iu duk kot edhe libri që la në shtëpi kur doli.

Por, më në fund nuk do të brengosej për këtë, sepse dikujt i kishte rënë ndërmend të mbuloj këtë turp, e së paku t`i veshë një fustanellë kësaj ndërtese të zhveshur. Sigurisht se, ky ishte tepër i trashë, që të mund t`i absorbonte këto shije të holla…

Në kohën kur kishte këto mendime, tashmë kishte dalur nga vetura dhe po ecte me kokën ulur, kur papritur ndjeu se u godit në krah nga dikush, edhepse në fakt goditësi ishte vetë ky.

Çoi kokën, duke bërë një fytyrë të ngrysur prej nervozi dhe gati sa nuk e shau djaloshin që iu shfaq në ecje e sipër, i cili ishte një djalë zeshkan, i gjatë, por i dobët, me një mjekërr të zezë e të dendur dhe i cili, megjithëse nuk ishte fajtor, i kërkoi falje. Por këtij që i ngjalli edhe më shumë pezm pamja e këtij djaloshi, nuk iu durua pa ia thënë ca fjalë të rënda e ofenduese. – “Ku kujton se je duke shkuar mor’ djalë me gjithë këtë nguti, je nisur për luftë atje n’Arabi apo çfarë? Edhe ashtu pamje arabi paske, me këtë mjekërr vec atje mund të gjesh vend…”

Djaloshi i cili në shpinë kishte të varur një qantë në formë cilindri, ku si duket kishte futur fletët e vizatimeve të formatit të madh, u gjend në një situatë të vështirë. – “Hë, pse shikon ashtu si i hutuar, sikur të jeshë para ndonjë vendimi të madh, a mos do të hedhësh vetën në ajër duke më vrarë edhe mua, sepse ju muslimanët vetëm këtë gjë dini.” Djaloshi i cili ishte pak me nxitim, i ktheu vetëm një përgjigje të shkurtër: – “Zotëri, më vjen keq por, mos paragjykoni njerëzit pa i njohur, unë jam ateist.” Kaq, i tha djaloshi, duke e lënë këtë mendueshëm, dhe nisi të vazhdoj rrugën, por sikur t’i binte ndërmend diçka, u kthye sërish dhe vazhdoi: – “E sheh atje më mbrapa atë djalin që vie, është kolegu im musliman, i cili për nga pamja, mund të zgjoi tek ti paragjykimin që të zgjoi edhe pamja ime. Por, mos u frikëso, sepse ai një ditë më tha se, sipas fesë së tij, të mbysësh një njeri, është faji dhe mëkati i njejtë, sikur të keshë mbytur tërë njerëzimin.”

Kur ktheu kokën për të parë se per kë po i fliste, pa dike që i përngjante djalit të tij, i cili i vdiq vitin e kaluar, pak dite pasi kishte mbushur të njëzetedytat, nga një sëmundje për kurimin e së cilës as ky nuk kishte para, por as shteti nuk e ndihmoi. Gjithçka të kësaj bisede, bashkë me kujtimet që i solli pamja e djaloshit, i ndali zhurma e alarmit të disa veturave të zeza që po kalonin andej pari… – “Po kalon eskorta e presidentit”, – u dëgjua të thotë dikush. Papritmas aty u bë tollovi! Dikush gjuajti me vezë eskortën, disa nga veturat u ndalën, dhe prej tyre dolën disa njerëz me tesha katllëk të zeza dhe me syze dielli.

Kapën njërin nga gjuajtësit, i cili me sa ky arriti të shihte, ishte në moshë të re. I dhanë disa goditje, të cilat këtij që po shihte i krijuan njëfarë kënaqësie. – “Mirë ia bënë”, tha, “këta të rinjët vetëm këso aktesh të dhunshme dijnë të bëjnë”.

Sigurisht se u irritua nga ajo që pa, sepse ishte përkrahës i madh i presidentit. E kishte votuar sa here që mbaheshin zgjedhjet. Asgjë nuk e ndalte nga përkrahja ndaj këtij njeriu, madje as fakti se djali i tij kishte vdekur në një kohë kur ky person të cilin e admironte aq shumë, ishte në krye të Qeverisë, e cila nuk ndihmoi asgjë për t’ia shpëtuar djalin. Pasi aty përfundoi ngjarja dhe situata u qetësua, ky vazhdoi për tek lokali ku takohej zakonisht me mikun e tij, profesorin e letërsisë. Librin nuk ia kishte kthyer, sepse do të mendonin se ishte çmendur, po ta shihnin tek sa ecte rrugës me një libër në dorë…

Leni nje re