Nënkalimi: ankthi dhe tmerri i dhunimit seksual

Nga: Genta Hoxha

Në nëntor të vitit që shkoi, isha duke shku në kontrollë te gastrologu, për problemin që kisha me lukthin. Kontrolla më ishte caktu në ora 11:00 nga motra medicinale shumë e këndshme aty. Si person shumë i përpiktë, u nisa nga shtëpia në ora 10:30; jetoj shumë afër spitaleve andaj po ecja ngadalë dhe sigurtë ku  kisha me mbërri në kohë për vizitën te mjekja.

Rruga që më çon te spitalet prej shtëpisë, kalon nga nënkalimi te banesat e ‘Arab’ve’, i rregulluar këto vitet e fundit. Qëllova që isha vetëm, koha ishte e mirë jashtë dhe kishte mjaft dritë. Po ecja duke menduar të gjitha peripecitë që i kisha përjetuar për shkak te Helocobacteries, që sipas gastrologes, ishte shumë bakterie e zakonshme sidomos në vendin tonë, ku pihet kafja e çaji gjithmonë nëpër kafe, e që këto të fundit me siguri nuk i pastrojnë me shumë kujdes enët e tyre. Mjekja gati më qortoi në fakt, e po mendohesha se si t’i minimizoja kafet e çajet nëpër kafe në vazhdim të jetës sime.

Derisa krejt këto mendime po fluturonin në mendjen time, prapa meje dëgjoj hapat e një personi. Instinkti im i një personi që është plaçkitur një herë, më bën që të shtrëngoj rripin e çantës. Çantën e mbaja në krahun e majtë, ndërkaq djali më afrohet nga mbrapa në anën e majtë dhe tenton të më prekë në pjesën intime, derisa me dorën e djathtë të tij është munduar me më kthy kokën kah vetja edhe me më puthë.

Po them ka tentu, meqë instikti im  në atë moment ka qenë me u përkulë e djali nuk e arriti qëllimin  e tij. Masi i jam kthy, djali ka fillu me vrapu shumë shpejt, aq sa nuk kam arritë me pa kurgja prej tij, përpos jaknës me shumë ngjyra. I kam bërtitë duke i thanë që kam me e thirrë policinë, edhe në fakt e kam thirrë, po s’kisha as çka me ju thanë, përderisa as nuk ja pashë fytyrën.

Kam vazhdu me ecë rrugës sime, deri sa zemra po më rrihte aq shpejt sa që mendova mos don me më dalë prej vendi. Duke dalë prej nënkalimit, kam pa që kanë kalu një burrë e një grua bashkë. Ata më panë që isha e shqetësuar, e që ende u shajsha vetëmevete edhe më pytën çka kam. U thashë që një djalë i ri më sulmoi, po s’patën as çka me më ba as çka me më thanë. Kam vazhdu me ecë edhe me u mundu me e qetësu veten, po e pashë që mu mbushën sytë me lotë, duke e paramendu një burrë ma të fortë në vend të djalit, që ndoshta kishte me pasë fuqi edhe me më blloku e s’kisha mundë me bë asgjë. Edhe sikur çifti të mos kishte qenë duke ardhë, kushedi çka do të ishte bërë me mua tash.

Sa mendoja se po qetësohesha, filloja me mendu se çka do të kishin bërë vajza të vogla sikur ai djali maniak t’i kishte sulmuar ato. Vajzat e vogla nuk e dinë as çka do të thotë kur një djalë të sulmon seksualisht, e as që do të duhej. As unë nuk e kam dijtë kur kam qenë e vogël. Ndërsa tash e di, meqë diçka e tillë më kishte ndodhë edhe në vegjëli. Djem ‘’rrugaçë’, që tentonin me na prekë poshtë fustaneve, ose këmbët. Teksa shkruj këto rreshta, po dridhem prej kujtimeve të këqija.

Më intereson shumë me dijtë se kush i ka mësuar ata fëmijë me u sillë ashtu ndaj vajzave? Në cilin moment të jetës së tyre, ju është dukë normale me prekë e ngacmuar vajzat në rrugë? Kush i ka thanë djalit të nënkalimit që mundet ashtu në rrugë me e puthë e prekë një gru?! Si është e mundun, që në shoqërinë tonë që shitet e ndershme e shumë e pastër si rracë, këto gjana janë ba shumë normale edhe duhet me patjetër një gru me u ‘rujtë’ e me u ‘mbrojt’ e me pasë kujdes kah po ecë.

Më duket se fatkeqësia më e madhe e imja, që me këto përjetime, jam ba shumë paranojake edhe jam gjithë kohën shumë e vetëdijshme për njerëzit që ecin pas meje, rreth meje edhe para meje. Përvoja e bën të veten, fatkeqësisht në rastin tim, përvoja më ka shtyer mos me i besu askujt, qe besa as hijes time.

Rasti i nëntorit, në fakt nuk është as rasti i parë, as i dytë, as i pesëmbëdhjeti i tillë në jetën time. Pak muaj para nënkalimit, më ka ndodhë rasti te TermoKissi (përballë Termokosit). Njerëzit që jetojnë në lagjen Kalabria, ose studiojnë në UBT, e dinë për çka e kam fjalën me siguri. Është vendi më i tmerrshëm i ecjes time gjithëditore. Ngjarja më ka ndodhë në një të shtunë, pas ligjëratës gjithë ditore intenzive në fakultet. Përpos ligjëratës prej profesoreshës së mrekullueshme të marketingut të inovacioneve, kemi pasë përgatitë edhe prezantimet tona grupore edhe kemi pasë marrë feedback të mrekullueshëm.

Duke u kthy në shtëpi,  rreth orës 19:00, me dëgjojset në vesh si zakonisht, isha duke reflektu për atë ditë të gjatë, e t’u absorsbu gjithçka që kisha ndëgju e parë atë ditë. Pa vetëdije, kam arritë deri në fund të rrugës së tmerrshme, pak para se me mbërri afër rrugës kryesore. Përpara me del një burrë dhe ma ndërpret rrugën. Unë instiktivisht ndërroj rrugën dhe tentoj me vazhdu në anën e majtë timen. Tipi prap para meje. Në atë moment jam kthyer në realitet edhe i kam hekë dëgjojset prej veshi edhe i jam drejtu me: ‘urdhno?’. Meqë shpesh afër asaj rruge njerëzit më ndalin e më pyesin ku është stacioni i autobusave, prita edhe prej tij diçka të tillë.  – Tipi: ‘A je për  me u qi?’  – Unë: ‘Eëëë ec baju’ edhe tentoj me kalu në anën time të majtë. Ndërkaq ai u turr drejt meje edhe deshti me më puthë. Nuk arriti meqë unë  e ktheva kokën, por sidoqoftë arriti me lanë pështymën e vetë tek faqja ime e majtë. Ende më duket që po e ndjej erën e tij në mua. Jashtë terr burg andaj nuk e kam pa fytyrën e tij e as rrobat e tij. E kam shty prej vetes edhe kam vrapu shpejt. Aq shpejt, sa që telefoni është çkapë prej dëgjojseve e më ka rënë prej xhepit të palltës. Jam kthy dy metra me e marrë edhe kam vazhdue vrapin. Me telefon në dorë e kam thirrë policinë edhe ju kam tregu për ngjarjen edhe kah po shkon tipi. Fatkeqësisht për mua, disa persona ishin duke dalë prej nënkalimit e t’u ardhë në drejtim timin, mirëpo disa sekonda me vonesë. Sikur,  një minutë më herët të kishin ardhë, do kisha shpëtu pa përjetu një tmerr të tillë.

Në nënkalim, shumë njerëz më panë t’u qajtë e t’u u dridhë si thupër. Prej tyne, dy vajzat e dajës tem. S’mundesha as me u mbushë frymë, vazhdojsha me e fshi faqen, ndërkaq po ju tregoja vajzave të dajës për ngjarjen. Vazhdova edhe 300—400m rrugë sa kam deri në shtëpi prej aty, duke qajtë e duke dënesë si fëmijë. Arrij në shtëpi, e shkoj drejt në banjo lartë, e pstroj fytyrën, e hap direkt llaptopin, në tentim me e heqë prej mendjes atë tmerr që përjetova, por s’mundesha me u ndalë t’u qajtë. Erdhi motra e vogël si fillim, edhepse isha qetësu, m’i pa sytë e ajun e të skuqun. Pa e hapë gojën ajo hala me më pytë çka kam, fillova me qajtë prap e me i tregu asaj. Mandej erdhi nana, edhe t’u dashtë me më ngushëllu, më tregoi një histori kur kishte qenë ajo vetë e vogël. Një tip, para shpisë të dajve, e kish pasë sulmu edhe sipas nanës, kish arritë edhe me e dhunu sikur nana të mos kish qenë e shkathtë edhe me i ikë prej durve e me vrapu drejt shtëpisë. Nuk mundesha ende me e përbi faktin, që ka njerëz të tillë, që e kanë shumë të lehtë me e sulmu dikend seksualisht në rrugë, para shtëpisë, në nënkalim apo kudo tjetër.

A nuk jemi na shqiptarët e besës, ata që nderin e kemi primar e na udhëheqë tanë jetën? A nuk janë burrat shqiptarë që të drejtohen me termin ‘’motër’’ në vend të ‘’zonjë’’ ose ‘’zonjushë’’?

Kam vetëm një dëshirë prej se kam përjetu të fundit sulm. Shpresoj që vajzat e vogla të lagjes sime të paktën, të mos përjetojnë pasigurinë që e ndiej unë sa herë ec  e vetme rrugës. Të mos e ndjejnë shtypjen e madhe që kam në gjoks unë, sa herë që zbres shkallëve të nënkalimit dhe nuk shoh asnjeri tjetër brenda nënkalimit, qoftë edhe një burrë që duket i çuditshëm. Që të mos bëhen paranojake si unë.

Leni nje re