(Pa)Barazi në shëndetësi

Nga: Valbona Osmani

Thuhet se po ti kesh edhe 100 vite nuk të duken shumë, sepse jeta duhet më shumë seç mund ta marrim me mend edhe ne vetë, deri atëherë kur ballafaqohemi me fundin që se dijmë më çfarë na pret.

Shëndeti është gjëja më e rëndësishme, e themi vazhdimisht, na thuhet vazhdimisht, e dëgjojmë ngado, por si ta ruajmë atë, si të kujdesemi dhe si t’ia dalim ?!

Si të ruajmë shëndetin kur kemi shumë mantelbardhë, por s’kemi doktorë, sepse çdo ditë e më tepër viktimat e mjekësisë në Kosovë po shtohen, e mundësit e sëmundjeve të rënda janë vetëm ata që kanë pasur shumë fat që mantelbardhët rrogëtarë t’i kenë të njohur.

Ndërkaq, për neve të tjerëve, ata,  jo që nuk sillen mirë, siç u ka hije me pacientët e gjorë që kanë nevojë për ta, por as që i përfillin ndjenjat apo dhimbjet e tyre. Minutat e fundit të jetës dhëmbin më fort nën britmat ankuese dhe coroditëse të mjekëve që të shkurtojnë jetën.

Ka pak të tillë që I trajtojnë pacientët njerëzishëm. Shumica shohin vetëm interesin,  paratë, familjarizmat, duke mos u bërë vonë se ka raste kur pacientët diagnostifikohen me sëmundje tjera nga ato që kanë, u përshkruhen  barërave të gabuara, lindje të pakontrolluara mirë, e shumë të tjera që perfundojnë me fatalitet.

Si mund të ekzistojë dikush që është i drejtuar për të kryer një punë, dhe atë punë ta keqpërdorë aq fort, sa të jetë në gjendje të selektojë njerëzit në: pacientë të varfër dhe të pasur? I pasuri, fiton, i varfëri vdes duke pritur për radhën që si erdhi kurrë. Unë i ngreh vetes vazhdimisht këtë pyetje: Si mund të ekzistojë një pabarazi kaq e madhe, kur dikush me gjakftohtësi, i përcakton dikujt vdekjen si një gjë normale, veç pse është i varfër. Për njeriun e varfër, nuk ka shpresë këtu.

Para pak kohe, pashë dikë shumë të re në moshë, me një sëmundje shumë të rëndë, e cila pas disa muajve ndërroi jetë. Aty e pashë se jeta i takon atij që ka, dhe atij që mundet. Pacientë të shtrirë për dysheme, nga mosdurimi i dhimbjeve të mëdha që s’njihnin mëshirë, të varfër e të shkretë, sa nga mendja s’më hiqen asnjëherë.

Më kujtohet se si nata bëhej më e vështira nga të gjitha momentet. Ata, herë njëri e herë tjetri rrëzoheshin korridoreve, britnin nga dhimbjet, e mantelbardhët flinin të qetë, në gjumin e rehatisë se e nesërmja ndoshta dsa prej atyre pacienteve nuk do t’i gdhinte të gjallë, dhe kjo ishte lehtësim për ta. Një zë që çirret më pak, një i frustruar më pak, ndoshta mendonin ata.

Të ashtuquajturat “doktoresha“ flinin, e nuk zgjoheshin të kontrollonin askënd që kishte nevojë edhe pas shumë thirrjeve. Njëra shkonte nga njëri spital në tjetrin për të vizituar nënën gjatë orarit të punës; kishte edhe të atilla që nuk i gjeje gjithë ditën e duhej thirrur kujdestarin kryesor .

Nuk iu interesonte që dikush ishte në ditët e fundit të jetës. Edhe mirëmbajtësit e klinikës kishin më tepër keqardhje për  pacientët, kurse ata që e quanin veten doktor mbanin kokën lartë, me mendjemadhësi, pa u zhveshur prej sedres së ‘doktorit’ që sot shoqëria ia jep këtë epitet, sikur të jetë gjëja më e rëndësishme në jetë.

Të panjerëzishëm i shihja. Të panjerëzishëm janë. Kështu, vazhdon potpuria e lojës së tyre me jetën e qytetarit të varfër të Kosovës, atij që se ka askënd të njohur, e nuk ka as bakshishe e familjarizma. Kjo i jep cilitdo mantelbardhë të drejtën për të luajtur me jetën tënde dhe për ta vendosur atë në lojëra fati se: jeton apo nuk jeton?!

Për fund, më duhet të falënderoj ata që kryejnë punën e tyre si duhet, sepse puna sot nuk shihet si e tillë, por si shfrytëzim i tjetrit, dhe kur dikush e bën mirë, ne duhet t’i falënderohemi dhe të lutemi për më shumë të tillë, sepse jeta jonë është në rrezik.

Leni nje re