Protesta e mbajtur sot në Ferizaj me shkak kanosjen e Sfarqës ndaj asambleistes Bytyqi: “Veç je femër se ta kisha çkye gojën” dhe reagimet nga shoqëria civile

Sot në Ferizaj është mbajtur protesta e paralajmëruar nga gratë asambleiste dhe aktiviste të shoqërisë civile, për të dënuar gjuhën denigruese dhe kanosjen e kryetarit të komunës Muharrem Sfarqa.

Ky skandal nuk i shpëtoi vëmendjes dhe aktivistë të shumtë e organizata joqeveritare që merren me të drejtat e grave dënuan një sjellje të tillë duke u shprehur se sjelljet e tilla e kërcënojnë pozitën e grave në shoqëri dhe nuk janë të tolerueshme.

Rrjeti i Edukatorëve bashkëmoshatarë PEN ( Peer Educators Netëork), ka reaguar në faqen e tyre në rrjetin social facebook, duke shkruar:

“PEN dënon sjelljen dhe fjalorin denigrues të kryetarit të komunës së Ferizajit, Muharrem Sfarqa ndaj asambleistes Kristina Gashi Bytyqi.

Sjelljet e tilla kërcënojnë pozitën e grave në shoqëri dhe nuk duhet të jenë të tolerueshme. PEN mbështet lirinë e shprehjës pa cënuar të drejtat e individëve tjerë.

Me këtë rast, PEN mbështet protestën e grupit të grave asambleiste të Ferizajit me moton “Stop gjuhës denigruese”. Protesta mbahet nesër më 16 mars 2017 (e enjte), ora 11:30, para sheshit “Adem Jashari”, në Ferizaj.”

 

Ndërkohë aktiviste feministe dhe njohëse të çështjeve gjinore janë deklaruar nëpër llogaritë e tyre sociale:

Shqipe Gjocaj

“Ta qkyj gojen” eshte kercenim i dhunshem, jo fyrje. Po grate (ne politike e shpi) veq kane fitu imunitet ndaj kercenimeve verbale perderisa “se bojne veten” per me i mbyt krejt. Nuk eshte e veshtire me e kuptu se frika e grave ndaj figures dhe autoritetit mashkullor (si ky i deputeteve ne Ferizaj) eshte produkt i patriarkatit te dhunshem institucional. Fokusi le te jete te kercenuesi qe ne kete rast eshte edhe kryetar i nje komune.”

Ardiana Shala Prishtina

“Nesër në Ferizaj, gratë asambleiste dhe gratë e shoqnisë civile kanë me protestu kundër kryetarit të kësaj komune, kanë me protestu përshkak të ofendimeve që ky ua ban grave veç pse janë gra, e ve veç pse mundet, sepse e sheh veten si burrë të paprekshëm.
Rrjeti i Grave të Kosovës lajmroi përkrahjen dje dhe këtë deklaratë sot unë nuk po e shoh në faqen e tyne të facebook-ut. Shpresoj, sinqerisht që kjo asht veç nji çashtje teknike e që Rrjeti i Grave vazhdon me i përkrah gratë e komunës se Ferizajt në protestën e nesërme, e kjo asht e randësishme sepse politikës burrnore të këtij vendi, i duhet nji përgjigjje e fortë në raste të tilla, nji përgjigjje që tregon në njanën anë se poshtnimi e nënçmimi nuk pranohen ma, dhe në anën tjetër që organizatat e grave nuk janë shërbyes të partive partiake por janë të pamvaruna e integritetin e punës së tyne për mbrojtje e promovim e fuqizim të barazisë gjinore nuk mundet me e cenue nji telefonatë prej kampeve partiake.
Ndërkohë, gratë e komunës së Ferizajt që kanë paralajmru protestën kanë fillu me i marrë reagimet e para të pushtetit të Sfarqës e kushtimisht LDK-ës, në formë kërcnimi, përbuzjeje dhe rrezikim të vendit të punës. Këto janë vetëm ato që po i dijmë.
Mos thueni nesër nuk e kemi dijtë. Rolin e grues në shoqni qitu e keni, në këtë rast e keni, dhe me heshtjen ose reagimin e juej jeni tue nënshkrue njanën ose tjetrin verzion të këtij roli. Jeni tue nënshkrue qysh e doni gruen në Kosovë përnime.
Çohuni, bashkë t’ia çkyejmë traditën patriarkatit. / a.s.p.”

Valbona Bajrami

“Incidentet gjinore në parti politike

Nëse ndodhë ndonjë sulm verbal, fizik, ose psikologjik në baza gjinore në mes partishë politike, zakonisht hasim në një fenomen; gratë e subjektit të agresorit (zakonisht burrë), ju dalin në mbrojtje kolegut vetëm pse e kanë bashkëpartiak.

Me këtë logjikë, e duke u përdorë barazia gjinore për benefite politike, harroni votat. Nëse ju boni FUSHATË me kartë të barazisë gjinore, por si dele vraponi pas një agresori politikan burrë, ka edhe të tillë që kanë me ju ba KUNDËRFUSHATË, pa dallim partie – mos me u përdorë kauza e barazisë, që dikush me i arritë majat në kurriz të gjendjes së grave nëpër teren që kanë mbetë mjerimi i kësaj shoqnie.”

Bardha Goga Photographer

 

 

© BARAZIA

Leni nje re