Vajzë e Grua

Nga: Leonarda Mahmudi

Të  gjithë shikojnë të habitur. Ështe vajzë thonë. Çfarë i  duhet karriera asaj;.është e derës së huaj thonë. E si mund t’ia lejonin asaj të ngrinte zërin? Të kishte pushtet në jetën e saj? Gruaja  ishte krijuar nga brinja e nje burri! A nuk mjaftonte kjo për të shfaqur superioritetin dhe dominancën mashkullore? Mos e ngritë zërin se je vajzë. Mos rri jashtë se je vajzë . Mos e mundo veten në universitet, je vajzë  xhanëm do të martohesh.

Çfarë do të thuash se kërkon stabilitet financiar personal e më pas të ndërmarrësh hapa të tjerë në jetë. Vitet kalojnë! Je në vete?

Jo nuk jam. Nëse këmbëngulja ime për të qenë dikush në jetë do të thotë që s’jam  në vete, ja ku po jua them, nuk jam.

Dëshiron të punosh? Mirë puno, por bëj ndonjë profesion “femëror”. Mos tento të kesh të ardhura më shumë se partneri, sepse po e përule atë, po e kërcënon, më kupton? Nuk ia del dot pa një mashkull në krah, thonë,se je “femër”.

JE “FEMËR”.

Fjalia që në vete përmban aq vrer e përçmim e që në të vërtetë do të duhej të përkiste në piedestalin e njerëzve normalë, për shoqëri të shëndoshë.  Sinonim  i kurajos dhe i luftës për të drejta dhe liri. PO, unë jam krenare. Shumë krenare madje.

E di pse? Sepse gruaja  ka qenë në shënjestër qysh në krijim. E destinuar për tu bindur. E etiketuar. Duarlidhur. E lumtur? Jo e lumtur, s’ka qenë kurrë, vetëm  atëherë kur nuk ka tentuar të ngrejë krye.

E kryqëzuar? Sa here që ka vënë në shesh pikëpamjet dhe ambiciet e saja. E sot vazhdon ende të qëndrojë në këmbë.  Presidente grua?

Nëse do ta kishte thënë dikush këtë fjali jo para shumë vjetësh, do ta merrnin për të marrë.

Si mendon, një “femër” të udhëheqë shtetin?

Po i nderuar, një “femër”. Një grua që është po kaq e rëndësishme sa “lartëmadhëritë” e juaja.

Festojmë Ditën Ndërkombëtare  të Gruas. Dyqanet e luleve gëlojnë. Gjithandej fëmijë që ia urojnë nënës së tyre “8 Marsin” pa e ditur mirë peshën që mba kjo datë.

Sa të pafajshëm që janë. Një letër e bardhë, në të cilën shkruajmë ne që jemi shumë të këqinjë, në të cilët shkruajnë mësuesit që s’janë më të mirë, në të cilët shkruajnë politikanët e ministrat, dhe i mësojnë se për çdo padrejtësi ndaj grave, mund ta lajmë me një lule.

Nuk më duhen lulet. Nuk më duhet as urimi, të betohem. Më jep respekt, ato që më ke marrë padrejtësisht. Po t’i kërkoj se ti je shkaktari i mungesave të mija sot. Kurrë mos tento më të më zhveshësh nga potenciali im.

Ndoshta nuk më mjafton forca për të ndryshuar botën, ndoshta disa gjëra nuk do të ndryshojnë kurrë. Por të premtoj, më mjafton për të qenë aty ku dua të jem.

Kryelartë dhe krenare, sepse jam grua dhe më s’më bëni të turpërohem dot. Më kupton? Jam grua dhe gjinia s’më kufizon! Pranda, sot protestoj, dhe nuk festoj që ti të krenohesh se gjoja më ke dhënë një ditë që është vetëm e imja, ndërkohë ditët tjera të vitit, janë të gjitha tuat. Nuk e hamë më trikun tuaj për të fshehur padrejtësitë.

 

Leni nje re