Ti nuk ke veç një ditë në vit

Një herë në vit të japin ”leje” me festu me gratë e tjera festën e përbashkët ndërkohë që 364 ditët e mbetuna lejen për çdo lëvizje që kryen duhet ta kerkosh TI, mundësisht një javë përpara, sikur jeta jote të ishte një loje që ti s’din me lujt.

Një herë në vit qeveria kujtohet për gjininë tande e për me të tregu haptazi sa vlen të dhuron një xhiro falas me transportin publik. 365 ditët e tjera, nuk don me ia dit minimalisht as si shtyn përpara, as me ça ushqehesh, as si arrin ta mbyllësh muajin me një rrogë qesharake.

Një herë në vit, të dhurojnë lule kudo, në shtëpi, në rrugë, në punë ndërkohë që për 364 të tjerat mbasi të shfrytëzojnë e ti ndoshta guxon me reagu, betohen se lulet do t’i sjellin mbi pllakën e varrit.

Një herë në vit, të thonë që erdhi dita jote, festa jote, festa e nanës, duke diskriminu bujarisht tana shoqet e tua që nana s’janë ba ende ose ndoshta kanë vendos mos me u ba kurrë, ndërkohë që për të tjerat 364 ditë ti konsiderohesh dhe trajtohesh vetëm si një ”shërbyese pa pagesë”.

Një herë në vit t’i lirojnë zinxhirët rreth fytit duke ta pagu sjelljen e mirë me fjalët:-Hë, merr frymë tash. E sheh që s’jemi aq të këqinj ne burrat…Ndërkohë që për 364 ditë të tjera ti je një kavie nën vëzhgimin konstant të familjes, fisit, opinionit turmatik, kandidatëve për bashkëshort.

Një herë në vit, burri jot të hedh krahun pas qafe, të puth në faqë e të fal një 10 mijë lekësh, krenar për xhestin e tij romantik, e ti qesh me shpirt, ndihesh grua e vlerësume,grua me fat, ndërkohë që 364 ditë të tjera i njajti burrë ka turp me të kapë per dore në rrugë, sepse asht ”marre me ju pa kush”.

Një herë në vit prenotimi në parukeri, makiazhi ma i kujdesshëm se zakonisht, takat e nalta dhe çanta e re nuk bien në sy për ”keq”e burrat e shtëpisë nuk e shprehin dukshëm posesivitetin karakteristik nën zhurmën e kambanës festive të 8 marsit, ndërkohë që për 364 të tjerat edhe një buzëkuq pak ma i fortë në tonalitet mund të kthehet krejt natyrshëm ne ”motivin banal” të ikjes tande të parakohshme nga kjo botë.

Një herë në vit të dekorojnë me tituj si ”nana ma e mirë e universit”,”frymëzim i pashterrshëm”,”gruaja ma e fortë që njoh”, ndërkohë që 364 ditë të tjera po këta fjalëndritun të telefonojnë veç për me dit ça ke gatu për drekë, a e ke hekuros këmishën e preferume, ku janë çorapet e pastër, pse gjella nuk asht gati.

Një herë në vit të quajnë mbretëreshe, 364 ditët e tjera je hajvane, budallaqe, llapazane, shtrigë, kurvë.
Një herë në vit ti ekspozohesh si ”vlerë”, 364 ditët e tjera je thjeshtë një objekt prej mishi e gjaku.

Prandaj të dashtuna vajza dhe gra, 8 Marsi nuk asht festa jonë. Asht dita e armëpushimit për ato burra e gra që frenojnë për ma pak se 24 orë mllefin, presionin, shtypjen, dhunimin, diskriminimin karshi nesh për me vu në akt reklamat neveritëse nën urimin klasik: ”Gëzuar festën heroinat tona”.

Zakonisht termi heroinë përkthehet si ”skllave të vetëdijshme për pozitën që iu asht caktu dhe që pavarësisht vuajtjeve, dhimbjeve dhe nënshtrimit sistematik pranojnë pa naze vaktin e përditshëm:mbijetësen”.

Ti nuk ke veç një ditë në vit.
Ti ke veç një jetë.
Thuja vedit ma shpesh. Jetoju ma shumë. Duju ma fort.
Lufto për ça të përket. Rebeloju. Coje zànin. Banu zà.
Mos ki frikë.Gratë s’kanë frikë!

Leni nje re