Unë F.M

Shkruan: Florenta Murati

Unë, F.M 18vjeç, nga një fshat i vogël, i mbushur me njerëz të llojllojshëm; dashamir , miq , armiq. Flokë zezë si edhe natyra ime , e gjatë , me ca kile të tepërta për të cilat jam gjykuar shpesh . Me lëkurë të errët, por jo edhe aq sa mendja ime. Sy ngjyrë kafeje , pa ndonjë shkëlqim të veçantë, edhe pse kanë qarë shumë. Me buzë të qara, që as buzëkuqi nuk ua mbulon dot dhembjen. Femër në gjini, por kurrë s’u tregova aq ‘femër’ edhe në vuatjet e mia. M’a imponuan edhe këtë.

Unë, F.M me një qantë në krahë të mbushur plot me premtime , zhgënjime , pritje , vuajtje e shumë pak çaste gëzimi a hareje. Me libra në duart e mia të prera herë pas here nga dhimbja e tepërt që më rëndonte shpirtin. Me një cigare në dorë, që njerëzit e mendojnë shumë të dëmshme për shëndetin , por jo edhe aq sa fjalët që dalin nga gojët e shëmtuara të tyre. Me rrecka në trup, që të japin ndjesine e një të sapo liruare jo nga burgu por nga prangat që ja vendosën në shpirt.

Unë F.M me një buzëqeshje të shpifur, që aprovon çdo urdhër vetëm se ka lindur femër. Me një zë që rrallë herë di të ngritet e t’i ulëras botës mjaft më. Me një shikim të përhumbur për ndonjë vend tjetër , ku nuk do gjykohet për moral, dukje e as gjini. Me gojë të mbyllur se i thanë mos e bëj se je femër, hesht se ke lindur femër.

Unë, F.M vajzë e vetme, me tre vëllezër që gjatë gjithë kohës mundohen te me tregojnë se jam femër. Dhe asesi nuk guxoj të dal përtej kornizave të feminitetit që e krijuan shekuj më parë parardhsit tonë komunist. Unë, e pamoralshmja e babit, se një herë në jetë zemra më rrëshqiti nga vendi e ra në duart e gabuara . Unë, pendimi i nënës pse më lindi femër.

Unë, F.M me 18 vite që më rëndojnë mbi kokë , duke bredhur rrugëve për të gjetur një punë e duke parë si t’i përplasin dyert njerëzit me pushtet. 18 vite , pa pasur një dhomë ku mund të qaj deri të më zërë gjumi , por duke ndrydhur kujtimet nën jastëk nga frika se të tjerët mund të dëgjojnë. Me xhaketen që kundërmon qelbësirë nga era e cigares që tymos fshehurazi ndokund, se po e panë turpi i botës.

Unë, F.M me shumë ujqër përreth , por që nuk bëhem pre e asnjërit . Me shumë miq që fraksioni i sekondit mund t’i zhdukë e mos t’i kthejë më tek unë. Me shumë copëza të zemrës së vrarë, që më ngjanë si lloj puzzle që nuk kompletohet kurrë. Me rrathë të zi poshtë syve që tregojnë armiqësin time me gjumin.

Unë, F.M Në këtë botë të madhe që thjesht s’do t’ja dijë se kush jam unë, jam vetëm. Nuk di nga të shkoj.

©Revista Barazia

Fotografia: © Fjolla Besimi

 

 

Leni nje re