Një grusht patriarkut!

Shkruan: Krenare Loxhaj

Patriarku thotë: hesht ti e bëhu robëreshë e imja se unë të mbroj nga të tjerët e të lë të jetosh. Njëjtë sikurse mafiozët kur u qesin ‘haraq’ bizneseve: m’ijep 1,000 euro në muaj dhe unë të mbroj nga mafiozët e tjerë e të lë të punosh. E kjo në zhargonin ekonomik i bie të jetë një lloj pazari, pos që në këtë pazar vendos i madhi. I madhi në sensin e kapitalit. Pos që patriarku gjithmonë në krye ka të vjetrin, sikurse që e shpjegon edhe etimologjia e vet fjalës patriarkat; Patria – baba, kacia – sundim. Thënë më qartë, patriarku funksion në logjikën e sundimit të burrit më të vjetër të familjes,  dhe jo vetëm.

Familja është institucioni primar ku patriarku shtrin funskionin e tij, por se këtë e shohim dhe jashtë familjes sikurse në institucione të edukimit, punës, media, institucione shtetërore e ku jo tjetër. Në këtë ‘Pazar’ fiton vetëm i forti. Mafiozi i cili bazuar në një fuqi fiktive e bind të ngratin shitës se njëmend po nuk i’u bind atij nuk ka se si të vazhdoj së punuari.

Kështu njëjtë vajzat/gratë kosovare; të ngujuara nën kthetrat e patriarkut, nën gënjeshtrën se kështu e kanë më mirë, kanë mësuar të përvetësojnë diskriminimin ndaj vetëvetes.  Kështu ato, jetojnë çdo ditë duke besuar që nuk dijnë më shumë, nuk munden më shumë e nuk kanë më shumë.

Njësoj sikurse imazhe që shpesh i kam hasur gjatë punës si hulumtuese në terrren vite më parë; nuk më ka ndodh shpesh që një grua të pranonte të mirrte pjesë në anketë. Përgjigjet që më se shpeshi i dëgjoja do të ishin të tilla si: burrin nuk e kam në shpi e unë nuk mundem me u përgjigj; a burri nuk është k’tu e unë nuk di më i’u përgjigj atyre pytjeve për besë. E në raste edhe më të këqia po nuk qëllonte burri në shpi, ajo vetëm  fytyrën gjysma si e shfaqte në derë sa për t’a mbyll posa e pyesnim për një intervistë.

Këto vajza e gra janë rritë duke dëgju të ‘madhin’ se ato nuk dijnë,  ato nuk vlejnë më shumë se një martesë, ku synim kryesor i saj do duhej të ishte lindja e fëmijëve në mënyrë që t’ia ruajnç nderin burrit e çka jo tjetër denigruese.

Vajzat/grate bartin në shpinë këtë barrë gjatë tërë jetës. Ato ekzistojnë veç sa për t’ia ruajtur nderin tjetrit; babës e vllaut si fillim e burrit për tan’ jetën.

Gratë zhvishen nga subjektiviteti i tyre për t’u trajtuar si jo më shumë se objekte dhe për të përvetësuar këtë ndjenjë gjatë tërë jetës. Andaj grushti final ndaj patriarkut mbetet pavarësimi ekonomik.

Në një situatë kur gruaja nuk ndjen nevojën për t’u ndjerë e sigurtë dhe rrjedhimisht këtë siguri të i’a ofroj burri, ajo ka grushtuar patriarkun për të qenë e pavarur dhe për të funksionuar si qenie e lirë. Puna që gruaja bën në shtëpi, është punë e papaguar dhe mbi këtë barrë fiton vetëm burri. Rrjedhimisht luftë e gruas ka qenë dhe do të jetë gjithmonë rrënimi i një sistemi ekonomik shfrytëzues i cili për mes instiutcioneve shoqërore të tilla, duke filluar nga familja përjashton dhe shtyp gruan në shoqëri.

Një grusht patriarkut sa për  ta zgju këtë shoqëri nga një gjum i thellë. Vajzat e gratë kosovare dijnë më shumë, munden më shumë dhe kanë më shumë. Zërat që pëshpërisin misogjini rreth nesh do të ndalen në momentin që na ndalojmë së i’u besuari.  Ne jemi krahë i njëri tjetrit e i njëra tjetrës. Rezistenca dhe lufta për barazi fillon në momentin kur ne  besojmë që ‘’nuk kemi asgjë për të humbur pos zingjirëve’’!

©Revista Barazia

Leni nje re