Gratë që nuk lindin fëmijë detyrohen me jetu me ‘ortake’

Në të kaluarën, në shoqërinë shqiptare nëse një qift nuk ka patur fëmijë, burri ose e ka “lëshuar” gruan, pra është ndarë nga ajo, ose në raste tjera gruaja ka qenë e detyruar të pranojë një martesë poligame, martesë kjo pra me një grua të dytë.

Përderisa sot jemi në shekullin e XXI. duket se pak kanë ndyshuar gjërat për këtë lloj martese, pasiqë gratë që nuk kanë fëmijë, ende paragjykohen dhe atakohen nga shoqëria jonë e poashtu  nënvlerësohen dhe injorohen, duke e parë atë si të “huajën”, vetëm e vetëm sepse nuk sjell një pasardhës .

Ka qindra raste edhe sot nëpër Kosovë, ku gratë të cilat nuk lindin fëmijë detyrohen me u kthy në ‘shtëpinë e babës’, në kuptimin që konsiderohen si shterpë, dhe tashmë edhe vejusha. Këto gra etiketohen, dhe zakonisht për ato, familjarët kërkojnë raste tjera për martesë, ku sipas të gjitha gjasave burri ose del të jetë shumë më i vjetër, ose ndonjëri i cila ka ‘lëshuar’ gruan e tij, apo i ka vdekur.

Nuk është e gjitha, siç e përmendëm në fillim, ka raste kur gruaja e cila nuk lind fëmijë, nuk kthehet fare tek shtëpija e babës, por bëhet me ‘ortake’. Burri i martohet, dhe të dy gratë flenë në një shtëpi. Atëherë burri vendosë t’i ndajë netët e tij me të dyja gratë, ku përparësi dhe më e privilegjuar është gruaja e re, tek e cila janë të gjitha shpresat për pasardhës.

Një grua, M.L,  të cilën e intervistuam shumë shkurtimisht për Magazinën Barazia, u shpreh:

I kam 20 vjet me burrin tem, Zoti deshi e na nuk patëm fëmijë. Një natë, ai pasi kish fol me nanën e tij e motrat, po vjen në dhomë e po më thotë se ka vendosë mu martue. Kambët më lshuen, e mu terr krejtë. Ai mu afru edhe më tha se unë jam kan gruja që ai e ka dashtë gjithë jetën, e nuk kish dashtë që une me dalë prej shpije. Me nejtën edhe une aty, e une e kam pranu me qejf. Më mirë s’muj me gjetë, e as te baba njeri s’ka ku shkon. Vllaznia janë vjetrue, e fëmijtë e vllaznive janë martu gati. Thashë sa më martojnë me naj plak, po rri me burrin tem që ja kom dhanë rininë e jetën.”

Trishtimi i një interviste të tillë, nuk është i kapërcyeshëm lehtë. Shtoja kësaj rrëfimin për ‘ortaken’, që më vonë do t’i lindte burrit që kjo dashuronte një vajzë.

“Ja kishin gjetë ni çikë, 38 vjet, kurrë s’ish kanë e martume, vec e fejune nihere, po ish kanë nda se ai kish ikë në Gjermani. Ajo i kish thanë po menihere, edhe shumë shpejtë më tha burri se po martohen. S’po e zgasin hiç, koha po shkon, e burri veç i kish ba 40 vjet.  U martun për dy javë, e atë natë mu më qun te familja jeme. Shpirti dojke me më dalë prej venit. Dikush ma kish zanë shtratin, e ma kish marrë burrin. I madh e i vogël atë ditë kanë kajtë e kanë kajtë. Krejt akrabaja çka kam une e çka ka burri za prej goje s’kanë qitë. Si me pasë dekë najkush. U ktheva t’nesrit në shpi, e kama nuk em shkojke edhe dy hapa, dulën kunatat me më fol, po s’kish kurgja në këtë dynja që e nalke vajin e tyne, e as temin. Dul ‘nusja’, më mori ngryk e lot nisën me i shku faqeve. Çka me ba, asnjana s’kishim faj, po faj s’kish as burri. Une s’mujta m’i ba fëmi, e kjo ja bani.”

Thonë që: “kur gruaja lind fëmijë ka futur rrënjët në shtëpinë e burrit”, pra fiton dashurinë e familjes së burrit, dashuri kjo që është akoma më e madhe nëse fëmiju i takon gjinisë mashkullore, atëherë, lëri të tjerët, por edhe trajtimi i burrit ndaj gruas është i veçantë sepse e ke bërë të ndihet krenar se ai është “burrë”. Do të thotë fjala e urtë ka bazë  sidomos në shoqërinë tonë patriarkale, që është mjaft diskriminuese për gratë.

“Ajo met shtatzanë menihere, u gëzun e u shashtrisën krejtë, e dita ditës harrun ma se unë ekzistoj. Veç burri jem jo, ai vijke në dhomën tonë, e shtrijke kryt në prehnin tem e niske me kajtë, pa e ba asnji za e pa e thanë asnji fjalë. Masi ajo met shtatzane, ai nisi me ardhë më shpesh në dhomën teme, e dikur e bani me rend: nji natë te une, nji natë te ajo. Shkoj koha, e ajo e bani nji çikë, të mirë si drita. Ajo engjëllush u ba edhe gëzimi jem në atë shpi, e nisa me ni sikur është çika jeme. Edhe mue po më thotë nanë. S’ka pasë kurgja më të rand për mu se kur më ka thanë burri që po martohet, e s’ka pasë kurgja më të mirë kur çikën e tij e kam kapë në dur të mijat.”

Vitet kanë kaluar, dhe shoqëria kosovare ende vazhdon ta konsiderojë gruan veç për pjellorinë e saj, në të kundërtën vlera e saj është zero. Si rasti që intervistuam, në të njëjtin fshat, dhe të njëjtën lagje, ishin edhe dy të tjera, ndërkaq vetëdijësimi se poligamia është e jashtëligjshme ende qëllon të jetë i  cunguar.

Por, sado që edhe ligjet të jenë afirmative,  pak luajnë rol ose fare. Mentaliteti ende funksionon me kanun dhe traditë, sado shtypëse dhe vrastare që janë.

©Revista Barazia

Leni nje re