Libri nga Christine de Pizan “The Book of the City of Ladies”

Libri nga Christine de Pizan, “The Book of the City of Ladies”, shkruar gati gjashtë shekuj më parë, nuk është aspak i thjeshtë, madje as për kohërat tona. E njohur si historia e parë e grave nga qytetërimi perëndimor, kjo vepër përfshin të gjitha gratë e shquara të kohës, madje edhe përtej atyre që përmenden në mënyrë specifike. I formësuar si një qytet alegorik, ky konsiderohet si mbështetja e parë tekstuale për vetëdije bashkëkohore feministe. “The Book of the City of Ladies” është një lloj manifesti për mbrojtjen e grave, por poashtu lëshon dritë mbi të gjitha kontributet që gratë kanë bërë. Christine de Pizan përpiqej t’i vetëdijesonte njerëzit për të gjithë atë që gratë mund të bënin në qoftë se iu jepet mundësia. Christine, si një nga gratë e pakta të shkolluara në kohën e saj, ishte e vetëdijshme për efektet rrënuese që kishte injoranca e imponuar mbi gratë.

“The Book of the City of Ladies” është një mbrojtje kundër mizogjinisë dhe flet se si jeta do të ishte ndryshe për gratë brenda këtij qyteti të veçantë. Libri fillon kështu: Ajo është ulur në dhomën e saj dhe fillon të lexojë një libër që nënçmon gratë. Është libër antifeminist, siç kanë qenë shumica nga librat në shekullin e XIV dhe XV. Christine e lexon atë për t’u argëtuar por pastaj dëshpërohet. Dhe, ashtu e dëshpëruar, sheh tri zonja që vijnë drejtë saj: Arsyeja, Ndershmëria dhe Drejtësia, të cilat i thonë, “Ne do të ndërtojmë diçka për të mbrojtur gratë, por edhe për të treguar se sa të rëndësishme kanë qenë gratë në historinë e njerëzimit.”

Ajo u jep grave diçka ku mund të mbështeten për të ndërtuar jetën e tyre.
Në libër është një fragment i cili është shumë i habitshëm për atë kohë, për arsye se tingëllon shumë modern. Christine flet me Ndershmërinë dhe i rrëfehet asaj, “Unë jam e tronditur kur njerëzit thonë se shumë gra duan të përdhunohen dhe se askush nuk shqetësohet që përdhunohen nga burrat, edhe nëse verbalisht protestojnë. Është e vështirë për të besuar se kjo poshtërsi e madhe është në fakt e këndshme për ato.” E, Ndershmëria, sigurisht, i përgjigjet: “Jo, kjo është e gjitha gënjeshtër dhe ti e di atë.”

Përfundimi i këtij kapitulli është edhe më i habitshëm. Ndershmëria thotë, “Burri duhet të ekzekutohet për përdhunimin e një gruaje; një ligj ky i cili është i përshtatshëm, i drejtë dhe i shenjtë.” Ajo thotë gjëra të cilat janë shumë të reja dhe tronditëse për kohën e vet.

Christine de Pizan është mbretëreshë e Rilindjes. Gjenioziteti i saj letrar u bë i mirënjohur dhe dorëshkrimet e saj u përkthyen gjatë tërë Evropës. Megjithatë, puna e saj u harrua deri në ’70-at, kur shkrimtaret feministe rizbuluan atë përmes librit të Simone de Beauvoir, “Seksi i dytë”.

Nga: Eurisa Rukovci

©Revista Barazia

Leni nje re