Të getoizuar brenda getos

Shkruan: Roni Idrizaj

Të gjithë ne jemi dëshmitarë të ofendimeve të përditshme që njerëzit hasin në shkollë, rrugë e në vende të ndryshme. Në komunitetin ku jetojmë diskriminimin më të madh mund ta dallojmë ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, duke filluar me ofendimet verbale e deri tek cënimi i të drejtave që të gjithë pa dallim etnie i posedojnë. Këto komunitete, për dallim nga komunitetet tjera pakicë jetojnë të mbyllur dhe të diskriminuar nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Flasim për legjislacion të denjë në aspektin e të drejtave të pakicave kombëtare, e ndonjëherë edhe që kanë më shumë të drejta se që në fakt duhet të kishin, mirëpo, në Fushë Kosovë, në lagjen e cila është e  banuar nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptas, dhjetë minuta larg nga Prishtina, mund të shohësh gjendjen në të cilen këto komunitete jetojnë në shtetin tonë dhe ushtrimin e atyre të drejtave që ju takojnë. Një lagje e mbyllur në vetvete, ku mbyllja e tepërt dhe mos hapja ndaj pjesës tjetër të shoqërisë ka rezultuar me diskriminime të tjera në vet brenda komunitetit.

Më ka ndodhur të kaloj nëpër këtë lagje. Në pamje të parë, të duket që e ke kaluar kufirin, nga një shtet në shtetin tjetër. Jo vetëm nga konstrukti i lagjes, por, edhe nga shikimi i atyre që janë duke ecur rrugës. Të shikojnë sikur diçka ndryshe, e disa, edhe të përshëndesin në gjuhën angleze duke menduar që nuk je nga Kosova, duke menduar që e gjithë Kosova është aty, në lagjen e tyre, sikur ne të gjithë që mendojmë që e gjithë bota është këtu, në Kosovë, për të njejtën arsye, atë të izolimit. Që në hapin e parë që bënë për të hyrë brenda një shtepie, ndjen mikëpritje, mikëpritje që nuk e kishe ndjerë më herët. Në hapat dhe minutat e tjerë e dallon që edhe ata sikur ne janë të njejtë, edhe ata sikur ne ballafaqohen me të njejtat probleme, ndonëse më shumë. Dallon që ajo se çka flitet për këto komunitete dhe realiteti është ndryshe, por ajo se çka realizon është që gjatë gjithë kohës ne kemi qenë fajtorë të getoizimit të tyre. Duke i getoizuar në geton e quajtur Kosovë.

Si problem themelor i ketyre komuniteteve mbetet papunësia, nga e cila rrjedhin edhe shumë probleme të tjera, të cilat janë të varura nga njëra tjetra, me këtë dua të them që varfëria që hasin këto komunitetite është tejet e madhe, ku si pasoje e kësaj ka mungesë të vijimit të shkollimit për shkak të kushteve ekonomike, e me pas nga mungesa e shkollimit edhe papunesia është në nivel shumë të madh, ku rreth 90% e këtyre komuniteteve në Kosovë janë të papunë.

Poashtu, mungesa e përfaqesimit në institucionet publike të Kosovës është një problem tjetër që këto komunitete ballafaqohen në mënyrë indirekte, duke mos qenë pjesë e proceseve të vendimmarrjes. E mos të flasim për përfaqesimin në kuvend, ku me e zëshme është shoqëria civile se vet përfaqesuesit e këtyre komuniteteve.

Këto komunitete përballen edhe me refuzimin e qasjes në shërbimet publike si në arsim dhe shëndetësi, ku në shkolla për shkak të diskriminimit nga nxënësit e komuniteteve tjera, duhen të krijohen klasa të veçanta vetëm për këto komunitete, ani pse kurrikulat janë po të njejtat. Ndërsa, në spitale duhet që të presin me orë që t’u ofrohen shërbimet e kërkuara.

I gjithë ky diskriminim që bëhet ndaj romëve, ashkalive dhe egjiptasve është për shkak të mos-kujdesit të ndonjë shteti, ndryshe nga komunitetet tjera pakicë që kanë shtetet që kujdesen për grupet kombëtare të tyre që gjenden brenda territorit të shtetit tonë. Me këtë nuk mund të themi që jemi shtet që njohim të drejtat e pakicave derisa nuk kemi sigurim të të drejtave themelore për palën ‘më të dobët’.

Si argument të atyre që nuk pranojnë integrimin social të këtyre kominiteteve, është historia, që gjatë viteve të regjimit serb ishin në anën e tyre e jo në anën tonë. Mirëpo, gjërsa je pjesë e një komuniteti ku je i diskriminuar dhe nuk ke dikë qe të kujdeset për të drejtat tua, si komunitetet tjera pakicë, racionalisht do të zgjedhesh atë që ty të duket më i fortë. Mirëpo, as nuk duhet harruar faktin që pas vitit 1999 nga të gjitha komunitetet tjera pakicë ishin komunitetet me kthimin më të madh në Kosovë dhe gatishmerinë që të integrohen në shoqerinë tonë.

Futja e politikave për edukimin e fëmijëve të komuniteteve tjera që të pranojnë çdo fëmijë tjetër pa dallim etnie në shoqerinë e tyre dhe për vetëdijsimin e pjesëtarëve të romëve, ashkalive dhe egjiptasve për rëndësinë që arsimi ka për zhvillimin e një shoqërie, do të ishin zgjidhjet më të mira për ndalimin e këtij diskriminimi, edhe pse ndoshta do të ishte proces që do të merte kohë, do të ishte proces që do të jepte rezultatin më të mirë.

Këto komunitete duhet t’a gëzojnë yllin e tyre në flamurin e shtetit të tyre, Kosovës. Derisa të gjithë jemi pjesë e të njejtës botë, toleranca duhet të jetë një nga çelësit kryesor për të pranuar diversitetin dhe paqen në mes nesh, sepse në fund të gjithë jemi njerëz, të gjithë nga ne.

 

©Revista Barazia

Leni nje re