NJI QYTET BRENDA QYTETIT

Shkruan: Elona Gashi

E pata shumë të vështire me u ndalë e me shkrujtë për këtë temë. Presioni kryesisht qëndronte në atë se qysh shkrimi me qenë interesant, intrigues, që ti me pasë vëmendje dhe me e lexu deri në fund. Në përpjekje për me e kapë nji temë interesante  shikoj objekte të rëndomta rreth dhomës, duke pritë që ndonjëra prej tyre të fillojë të më flasë, edhe atë në shqip!

Por kjo nuk ndodhi, me gjasë ose unë isha shumë e lodhun, ose ato ishin shumë të lodhuna. Edhe në qoftë se unë do të kisha gjetë se për çfarë do të shkruaja (të shumtën e rasteve ndihesha e pashpresë), dilemë tjetër për zhvillimin e shkrimit ishte në qoftë se unë duhej të filloja me diçka emocionale, përshkrim të disa fakteve, apo portretizim të ndonjë personi të veçantë!

E gjeta!

(me qëllim nuk e përdora fjalën eureka, eh, mos i rritni shumë pritshmëritë!)

Në fushatën kundër ‘’dhunës në baza gjinore’’ unë do të shkruaja për atë që e pata para hundës gjatë gjithë kohës. Nëse jo para hundës, atëherë të paktën as nji kilometër larg. Do shkruaja për lagjen së cilës shumëkush në qytetin tim i referohet si ‘’sallahane’’, pa e vrarë mendjen se nga erdhi ky emër apo çfarë kuptimi ka, edhe pse nga vetë emërtimi nuk duket si diçka e këndshme!

Bëhet fjalë për nji komunitet krejt të izoluar nga pjesa tjetër e qytetit, për arsye nga ma të ndryshmet – ndoshta për shkak të veshjes, statusit financiar, mënyrës se jetesës, nuk e di! Prandaj para se me shkrujtë për këtë komunitet, e në veçanti për gratë dhe vajzat e këtij komuniteti, vendosa me i vizitu vetë.

Për me shku atje nuk më nevojitej shumë kohë, rreth 20 minuta. Unë shpeshherë kisha kalu andej mirëpo kurrë me kuriozitetin e asaj dite.

Vendosa me trokitë në nji dere ngjyre gri, jo për shkak se me tërhoqi ngjyra, por për shkak se ishte e vetmja aty pranë. Nuk m’u desht me trokitë ma shumë se dy herë deri sa nji burrë rreth të 60-ave, të cilin më vonë e njoha si zt. Abazi, doli e me mirëpriti (në fakt më mirë se që kisha pritë!), e unë si e huaj për të, vendosa mos me e pyet diçka shumë personale, po të prisja që gjatë bisedës ai të lirohej vetë.

Pas rreth dhjetë minutash, me plot entuziazëm zt. Abazi tregonte se qysh n’kohën e tij gratë e familjes se tij nuk kanë shku në shkollë, edhe pse ai kishte shku, të paktën për nja 4 vjet!  Kur e pyeta për arsyen se pse, ai m’u përgjigj: ‘’sa për me mësu me shkrujtë e me lexu’’, edhe se nuk ia ka ndje nevojën.

Disa minuta ma vonë, gruaja e tij, znj. Ramize, doli dhe u bashkëngjit në bisedë. Edhe ajo më tha se nuk ka kry shkollë, se meshkujt e familjes së saj kanë pasë përparësi, dhe se gratë, siç u shpreh ajo, ‘’janë martu e kanë ba fëmijë’’. Si për çudi të dy ndiheshin shumë rehat me kushtet edhe mundësitë financiare që i posedonin, duke e ditë se secili burrë i kësaj familjeje merrej me punë fizike, dhe se secila grua e ka në dorë nga nji fëmijë.

Në fund unë ua kërkova nji fotografi, tu e ditë që ndoshta është shumë me u kërku diçka të tillë. Në atë pragun e derës së tyre të lyem me ngjyre të bardhë, ku rrinin të dy bashkë (edhe pse znj. Ramize më fjalëpake e me e turpshme) dukeshin taman të rregullum për nji fotografi. Por përgjigja e tyre ishte ‘’M’ fal por krejt çka muj me të dhanë është nji nënshkrim!” Mu nuk m’u desh nënshkrimi, por nuk e refuzova. Si për ironi, në vend të emrit të gruas së vet Abazi nënshkroi për të dy!

Diku rreth pesë hapa më larg gjendej një shtëpi tjetër e cila në shikim të parë të çonte menjëherë prapa në kohe për kah pamja, aty rreth viteve të 50’ta. Në atë shtëpi shumë modeste jetonin rreth tetë persona të gjeneratave të ndryshme.

Gjatë gjithë bisedës që e pata me ta, duke fillu prej personit i cili i referohej vetes si ‘’i zoti i shpisë’’, por edhe me të shoqen dhe fëmijët e tij, u fol rreth asaj se a duhet me shku në shkollë a jo? Nëse po, deri kur? Edhe kush ‘’vetet’’ në atë shtëpi?

Mendimet ndryshonin prej gjeneratës në gjeneratë, prej një gjinie në gjini, dhe për çudi, prej minutës ne minutë. Asnjë nga pjesëtarët e familjes nuk dukej se binte dakord për diçka. Si më i larti i ‘’hierarkisë’’, Lulzimi tregonte se shkolla, sidomos për gjininë femërore, nuk është se iu duhej aq shumë, ngase asnjë prej familjarëve qe e ka ndjekur shkollën nuk ka perfundu me një punë stabile, por gjithmonë në punë fizike. Thënë shkurt e shqip, shkolla për të ishte një humbje kohe.

Kur biseda kaloi tek e shoqja, hesapet ndryshun! Znj. Magbule ngulmonte se është me rendësi me e ndjekë shkollën, ndonëse jo për ndonjë punë me ndikim të madh, por së paku me mësu shkrim e lexim. Ende pa i përfundu këto fjalë, gruaja e djalit të tyre ndërhyri duke thënë me fort ngulm, se fëmijët e saj patjetër duhej ta kryenin shkollën, të paktën deri në klasën e tetë, që më vonë të mund t’i merrnin vetë vendimet për vete.

Në fytyrën e saj, që dukej shumë me e re se që ishte ne te vërtetë, lexohej shumë qartë një fjalë e vetme: eh çka nëse??! Por për të tashmë ishte shumë vonë, ajo nën varësinë e saj veç i kishte dy fëmijë. Njëra prej tyre ishte tashmë veçse në klasë të tretë, shtatë vjeçe e gjysmë, shumë entuziaste për atë që e pret. Për dallim nga nëna, gjyshja e gjyshi i saj, e ndoshta edhe nga shumë shoqe të tjera të lagjes së vet, ajo tashmë kishte vendosur, edhe e thoshte me shumë kokëfortësi — Ermira do të bëhej një police!

Kah u ktheva, entuziazmi i para një ore m’u mbyt. Unë kurrë nuk isha shqetësu për këta njerëz dhe historitë e tyne. Për zonjën Ramize, e cila nuk fliste para se me i dhanë shenjë burri i saj, së cilës iu privu e drejta për me u shkollu, ndërsa vëllait përcaktimi natyror i seksit ia kishte dhanë këtë të drejtë. Për Lulzimin dhe prirjet e tija tipike patriarkale, të mbushur përplot me pesimizëm se diçka e mirë do t’i ndodhte asaj familjeje. Për Magbulen dhe mbesën e saj Ermirën, dëshira e së cilës ishte me e mbajtë qytetin të sigurt,duke me përfshi këtu mu, ty e këdo…

 

*Ky shkrim është pjesë e kampanjës “16 ditë të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave”.

Leni nje re