Unë s’kam frikë nga ”burrat e huj”.

Shkruan: Ada Halilaj

S’kam frikë nga burrat e egër, nga burrat e patriarkut, nga malësorë a qytetarë, fanatikë e ekstremistë, nga burrat e fortë që e quajnë vedin Zot me pretendimin e skamun se fjala e tyne asht ligj dhe askush s’mund t’ua imitojë pushtetin.

S’kam frikë nga fjalët, nga etiketat, kërcënimet, sharjet, paragjykimet.

S’kam frikë të them ”jo”, ”s’më pëlqen”, ”nuk e du”, ”s’asht e vërtetë”.

S’kam frikë të dal natën.

S’kam frikë të kaloj në rrugica të errëta.

S’kam frikë të vesh fund të shkurtër apo dekoltè.

S’kam frikë ta dua, ta zbuloj, ta çliroj trupin tem nga persekutimet e moralit elegjiak.

S’kam frikë të ulem në verandën e një lokali, vetëm, darkave dimnore, e të shijoj gotën e venës pa e vra mëndjen se ky gjest kaq i vogël e i pafajshëm, do të bajnë rrëmujë në ndërgjegjen tuj.

S’kam frikë të udhëtoj e vetme, në një qytet që s’më njeh, qindra mijëra kilometra larg familjes teme, pa asnjë armë vetëmbrojtëse në cantë përveç librit poetik të Pizarnik-ut.

S’kam frikë të kënaqem, të baj qejf, të shijoj këtë kohë me metrazh të panjoftun.

S’kam frikë të thyej rregullat që më shtypin e më mohojnë.

S’kam frikë të ndrroj ngjyrë.

S’kam frikë të ndrroj mendim.

S’kam frikë t’i ndjek me vrap e pa kushte hijet e mia të çmenduna.

S’kam frikë nga ajo që s’ekziston si përshembull gogolët dhe hierarkia gjinore.

S’kam frikë të lshoj rranjë aty ky tanë thojnë që s’ka tokë.

S’kam frikë të shkëputem nga turma nëse s’du të mbërrij atje për ku ata janë nis.

S’kam frikë të duhem e të shkruhem plot zjerm e akull.

Liria jeme nuk banon në frikë.

Liria nuk asht as burrë e as gru. Nuk ka orare. Nuk ka atdhe.

Liria nuk i përket as dritës, as territ, as stinve, as qyteteve, shpiave, dhomave. Liria asht veç zàni i të vërtetës.

Prandaj nëse një burrë, në një orë kur nata ka kafshu qiellin, del i sigurt, me durt në xhepa e shikimin e qetë, pa sikletin kronik se ndoshta një makinë do ia ndalë hapin e një e keqe e pakërkume, e pameritume do ia trazojë shpirtin, atëherë si ky burrë, do të dal edhe unë.

Nëse një burrë ndihet i mbrojtun vetëm sepse asht burrë, atëhere unë s’do ta vesh kurrë frikën që mundoheni aq bujshëm të ma hedhni krahëve, vetëm sepse jam gru.

Nëse një burrë nuk gjykohet për instiktin, pavarësinë dhe gabimin e tij njerëzor, unë s’do la gjykimin tuj të ma prekun fijen e  flokut.

Nëse një burrë asht i lirë, unë, si gru, jam e do jem e lirë.

Jam dhe do jem e lirë sepse nuk pres asnjë dekoratë fitoreje nga asnjë ”shkëlqësi” që sa për sy e faqe më shtrëngon dorën e më thotë se kam të drejtë.

Të drejtën e fitoj vetë, e marr vetë sepse më përket e jo sepse dikush po më ban ndonjë nder të madh.

Jam dhe do jem e lirë sepse s’jam unë mëkati.

S’jam unë sherri.

S’jam unë e ngujumja.

S’jam unë e dobëta.

S’jam unë e pandershmja.

S’jam unë Ajo që duhet të ketë frikë.

S’jam unë Ajo që duhet të ndjejë turp.

S’jam unë Ajo që duhet të mbajnë faj.

S’jam unë Ajo që duhet të ulin kryet e të ketë kujdes.

S’jam unë Ajo që duhet të kërkojnë falje.

S’jam unë Ajo që duhet me u falë.

Mos u mundoni me ma shti frikën në gjak.

Msojini vedit respektin për jetën dhe lirinë teme.

Mos më thoni ”ec në maje të gishtave”

Msojini vedit me e pranu  ”zhurmën që baj”.

…sepse unë nuk jam ”veç një gru ma shumë”…

Unë jam dhe do jem ”asnjë gru ma pak”

Leni nje re