Gjykata Kushtetuese si pengues i barazisë gjinore apo deputetët si demagog politikë ?

Shkruan: Dren Ajeti

Nuk kaloj shumë kohë nga kur Gjykata Kushtetuese refuzoj vendosjen e një standardi të ri kushtetues, ndoshta unik në gjithë Evropën, por kjo temë edhe pse e një rëndësie të veçantë u shua shpejtë në debatin e përgjithshëm shoqëror.

Në shkurt të vitit 2015 Kryetari i Kuvendit të Kosovës në emër të 55 deutetëve patë parashtruar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar një amandament kushtetues që kishte për synim të obligonte çdo qeveri që kabineti i saj qeverisës të përbëhej nga së pak 40 % femra. Ky amandament si asnjëherë më parë u përkrahë nga  të gjitha partitë politike. Dispozita e re kushtetuese duhej të inkorporohej në nenin 96 të Kushtetutës (Ministritë dhe Përfaqësimi i Komuniteteve) dhe kishte këtë tekst të shkurtër: Asnjëra nga gjinitë nuk mund të përfaqësohet më pak se në masen 40% në postet e ministrave dhe të zëvëndësministrave të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Rëndësinë e kësaj dispozite të re kushtetuese, deputetët e arsyetonin me faktin se deri më tani numri i ministrave dhe zv. Ministrave të gjinisë femërore në qeveritë kosovare sillej nga 10%-15% të numrit të përgjithshëm të ministrave, ani pse femrat statistikisht përbëjnë gjysmën e popullsisë së Kosovës. Prandaj, në bazë të kesaj, deputetet konsideronin se është “e domosdoshme  futja e kuotës gjinore edhe në pushtetin ekzekutiv, si mekanizëm afirmativ për ndryshimin e gjendjes së rëndë të diskriminimit”.

Gjykata Kushtetuese pasi analizoj kërkesën në fjalë, pati ardhur në përfundim se përcaktimi i një kuote të tillë do të paraqiste një ngushtim të garancive kushtetuese për barazi. Gjykata konstatoj se amandamenti në fjalë do të paraqiste një diskrimini pozitiv dhe si e tillë është e përkohshme derisa të arrihet një qëllim i caktuar, përderisa nenet kushtetuese përceprohen si dika të natyres së përhershme, me qëllim që të siguroj një rend të qëndrueshëm kushtetues dhe juridik.  Për më tepër, Gjykata konstatoj se Kushtetuta e Kosovës veçse garanton barazinë për të gjitha gjinitë dhe se nuk është praktikë e asnjë vendi që me Kushtetutë të përcaktoj kuota të tilla, të cilat punësimin e shohin automatikisht mbi baza gjinore, duke anashkaluar kriteret e meritës profesionale.

Pra Gjykata e refuzoj mundësinë që për poste ministrore të vendosen kuota gjinore, jo për të priviligjuar meshkujt, por për të garantuar shanse të barabartambi bazën e meritokracisë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se diçka e tillë ndalohet të rregullohet edhe me ligj. E themi këtë, sepse gjykata nenet kushtetuese i vlerëson si të përhershme, kurse diskriminimin pozitiv e sheh si masë të përkohshme derisa të arrihet qëllimi i caktuar. Ligjet shpesh nxjerren për një periudhë të caktuar dhe me qëllim të arritjes së një qëllimi të caktuar. Shembull ndalimi i dhunës familjare, apo barazia para në trashëgimisë, që ka vendosur gratë e sotme në një pozitë më të favorshme sesa para disa viteve apo dekadave. Andaj, poqëse deputetët kërkesën për ndryshime kushtetuese e kanë pasur të njëmend, ata një gjë të tillë mund ta rregullojnë edhe përmes Ligjit për Qeverinë, që pritet t`i dërgohet Kuvendit së shpejti për miratim, apo edhe vet qeveria përmes një udhëzimi administrativ.

Madje deputetët, të cilët zgjedhin qeverinë, s`kane nevojë fare  as të miratojnë ligje, por ata mund të kushtëzojnë votën e tyre mbështesëse për qeverinë pikërisht me ndarjen të ministrive në baza gjinore.

Kosova ende ballafaqohet me një mentalitet të theksuar patriarkal. Edhe pse është vërejtur nje emancipim gjinor në vitet e fundit, kjo nuk duhet të na kënaq, por përkundrazi të na nxit për të punuar më shumë në drejtim të krijimit të një shoqërie të barabartë për të gjithë.

Siç u theksua më lartë, ky trend ndër të tjerash mund të ndryshohet edhe përmes ligjit, por asnjëherë në dëm të profesionalizmit apo meritokracisë./Revista Barazia

 

 

Leni nje re