Mbi simbolet fetare në arsimin parauniversitar

Shkruan: Mario Kuçi.

Debati në lidhje me simbolet fetare në sistemin shkollor parauniversitar është rihapur tashmë në Kosovë dhe Shqipëri, kjo dhe për shkak se në të dyja vendet ligji nuk është i qartë dhe si pasojë ka sjellë situata të ndryshme në shkolla të ndryshme.

Duke i parë debatet, vihet re se ka tension të lartë midis palëve. Konkretisht ata që janë kundra simboleve fetare në shkolla janë quajtur “fashistë”, “islamofobë” (term mjaft problematik), “racistë”, “ekstremistë” që “shkelin lirinë fetare” apo dhe lihet të kuptohet që kundërshtia vjen vetëm nga burrat që duan të kontrollojnë gratë duke ia hequr hixhabet me dhunë.

Përdorimi i këtyre termave injoron faktin që ky debat në rradhë të parë nuk është problem feminist sepse nuk ka rëndësi a është shtypës apo jo hixhabi. Thelbi i problemit është laiciteti dhe garantimi që institucionet të jenë neutrale në çështjet fetare dhe polititike dhe fakti që hixhabi është simbol i dukshëm fetar dhe që mbahet për qëllim identifikimi me një fe, madje tregon që personi që e mban është ndjekës i rregullt i një varianti më tekstual të saj. Gjithashtu injorohet fakti se kjo po diskutohet edhe në vende myslimane si Tunizia apo Algjeria, pra që shumë myslimane duke përfshirë dhe feministe myslimane e mbështesin këtë ndalim. Janë gjë racistë ndaj vetes së tyre këta myslimanë dhe këto feministe myslimane? Në qoftë se shqiptarët janë “racistë” ndaj “turkut” duke qenë kundra simboleve fetare në shkolla, po turqit dhe arabët “racistë” ndaj kujt janë? Pushojnë gjë së qenuri myslimanë ata që janë kundra hixhabit në shkolla? Të thuhej diçka e tillë do ishte absurde.

Ndërsa çështjen e lirisë fetare dhe hixhabit në shkolla ka vendosur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (ECtHR) në një çështje me Turqinë (LEYLA ŞAHİN v. TURKEY), ku u shpreh se:”Në shoqëri demokratike në cilat bashkëjetojnë shumë fe, mund të jetë e nevojshme që të vendosen kufizime në lirinë e shprehjes së fesë apo besimit në mënyrë që të pajtohen interesat e grupeve të ndryshme për të garantuar që besimet e secilit të respektohen”.

Gjasat janë që mund të ketë racistë që mund ta përdorin këtë çështje për interesat e tyre, por kundërshtia në vetëvete e simboleve fetare në shkolla nuk është raciste apo fashiste dhe me siguri shumica nuk janë të tillë. Çështja e “lirisë fetare” pastaj është e debatueshme sidomos kur merr parsysh faktin që sipas ECtHR-së ndalimi nuk shkel liritë fetare.

Ndërsa nga ana tjetër shumë prej atyre që janë pro simboleve fetare në shkolla, kanë quajtur të gjithë kundërshtarët e tyre “pro-islamistë” që po “mbështesin turqizimin e Kosovës/Shqipërisë” apo gjëra të ngjashme. Vërtet, me shumë gjasa, myslimanët konservatorë e shohin këtë çështje si mënyrë për të rritur ndikimin e tyre në shoqëri dhe konkretisht si më shumë hapësirë për të kontrolluar vajzat myslimane. Zërat më me ndikimin në këtë diskutim ama nuk kanë qenë myslimanët konservatorë, por liberalët laikë që mendojnë se liria fetare duhet garantuar, apo që veçimi i myslimanëve nga shoqëria i radikalizon ata. Lejimi i tyre në shkolla sipas tyre, do i afronte më shumë me shoqërinë dhe rrjedhimisht do i integronte (me këtë argumentin e fundit simpatizoj disi).

Por duke i marrë parasysh të gjitha, unë jam kundra simboleve fetare në shkollë sepse mendoj që shkollat duhet të jenë ambiente tërësisht laike dhe apolitike, pasi në shumë mënyra ato janë kontakti i parë i fëmijëve me shoqërinë dhe shtetin. Mësuesit, figurat që përfaqësonjnë autoritetin shtetëror janë figura e dytë më rëndësishme në formimin e fëmijëve pas prindërve. Duke e ditur këtë, mendoj se mira do ishte që fëmijët mos ti shihnin mësimdhënësit si myslimane, të krishterë apo si ateistë, por vetëm si mësimdhënës për të cilin detyra fisnike e mësimdhënies është më e rëndësishme se identiteti apo mungesa e identitetit fetar dhe politik.

Në qoftë se shumë prindër u mësojnë fëmijëve një fe apo një tjetër, apo një bindje politike, shkolla duhet të shërbejë si mjedis steril nga politika dhe feja ku fëmijët mund të njihen me njeri tjetrin duke u përqëndruar te ato që i bashkojnë dhe jo te ato që i ndajnë. Krijimi i identiteteve fetare të ngurta dhe i një botëkuptimi “Ne dhe ata” që në moshë të herët është i dëmshëm në shoqëri. Shkolla ka mundësi dhe detyrim që ta zbusi këtë për hir të bashkëjetesës. Kuptohet, nuk i zgjidh tërësisht problemet që përmenda më sipër, por luan një rol të rëndësishëm drejt zgjidhjes së tyre.

Leni nje re