fitimtare

Fitimtare e betejës me kancerin e gjirit

Kanceri i gjirit është sëmundja më e shpeshtë prej sëmundjeve kanceroze tek gratë. Normalisht, si kanceri më i shpeshtë tek gratë, ai është edhe i frikshëm, ku zbulimi i tij mund të jetë një eksperiencë jashtëzakonisht traumatike. Ajo që po shqetëson edhe më tepër kohët e fundit, është paraqitja e tij tek 20 vjeçaret, gjë që e bën edhe më vështirë të diagnostifikueshëm.

Në javët e para të muajit tetor, të njohur si ‘Muaji i sensibilizimit me gratë e prekura me kancer në gji’, na erdhi një mesazh, sa i dhimbshëm edhe frymëzues. Këtë mesazh, kishte marrë mundin që të na e shkruante, vajza 23 vjeçare, e cila pas diagnostifikimit, kishte hequr dy gjinjtë. Ajo, kishte dalë fitimtare në këtë betejë, dhe e ndjente obligim që moshatareve të saj, që përballen me të njëjtën semundje, tu jipte mbështetjen, të cilën ajo e kishte pasur. Pas bisedave me të, e lutëm që të na e rrëfente historinë e saj me kancerin, dhe ajo pranoi pa asnjë mëdyshje, por duke na lutur që të mbetej anonim.

Nuk ke si të refuzosh një kërkesë për anonimitet, në një vend ku stigma, mëshira e përjashtimi do të të përcjellë gjithë jetën. Më poshtë është rrëfimi i 23 vjeçares A.K, nga Prizereni:

“Jeta është dhurata dhe sfida më e madhe me të cilën përballet njeriu.

Edhe unë s’do i’a dija vlerën, pa e kuptuar sa të shtrenjtë e kisha secilën frymëmarrje që thith. Isha vajzë shumë optimiste, e përkushtuar pas studimeve, nxënëse e dalluar dhe e dashur, megjithatë një ditë ndjeva se diçka nuk shkonte me shëndetin tim, saktësisht me gjinjtë e mij.

Shkuam tek mjeku për kontrollë, bashkë me prindërit, dhe pas analizave të shumta, e kuptova se isha e diagnostifikuar nga kanceri i gjirit. Ishte diçka jo e zakonshme sepse ende as te 18-at nuk i kisha mbërri për tu diagnostifikuar nga një sëmundje e tillë. Ky lajm më erdhi si rrufe mua dhe familjes time, veçanërisht prindërve të mi.

U mërzitën, qanë para meje, por jo unë, pamvarësisht se më theu shumë ky lajm, vendosa me qëndru e fortë, fillimisht për veten, për andrrat që kam thurrur, për synimet e mia, pastaj edhe për familjen time dhe njerëzit që më donin fort!

Nga ai moment e tutje filluan terapitë e pafundme: medikamentet; procedurat dhe trajtimet e shumta mjekësore për një vit rradhazi. Gjendja ime nuk po bëhej mirë dhe kanceri veçse po rritej, prandaj e kisha me patjetër ti nënshtrohem operimit.

I’u nënshtrova dy operimeve rrjeshtë, dhe secilën herë teksa futesha në atë sallë operimi lutesha me qenë hera fundit që po i përjetoja ato dhimbje dhe ato hyrje në dhomën që po më shkulte pjesë nga trupi im . Është shumë e vështirë me jetu çdo ditë si të fundit, me jetu me frikën cka nëse nesër nuk ka mengjes për ty.

Ndonëse në moshë të re isha, por edhe jam, forca dhe durimi im e mundte çdo pesimizëm brenda meje, e dija se do t’ia dal. Kam me luftu këtë sëmundje të mallkuar, dhe …, I’a dola, u shërova. Mjekët më siguruan që nuk ka thujase asnjë gjasë të përsëritet dicka e tillë tek unë përsëri.

Mu heç një barrë e madhe prej shpirtit. Për më tepër në ato kohë, teksa shtrihesha nëpër spitale, e kuptova sa e bukur është jeta, kuptova rëndësinë e gjithçkaje, pash bukurinë e gjithçkaje, dhe u ndjeva se sa pak falënderuese kisha qenë! Sa pak u paskam dijtë vlerën shëndetit dhe frymës që mirrja më parë, deri sa nuk mu kufizua.

Vitet  kalonin, unë u shërova, më ishte dhënë edhe një mundësi për të jetuar, kësaj here kisha vendosur me jetu ndryshe, secilin moment.

Gjatë këtij rrugëtimi u njoha me dikë, me dikë shumë të mirë për atë kohë. Atij i rrëfeva gjithçka që kisha kaluar dhe përjetuar. Ai më shikonte me admirim sa e fortë isha tregu. Mu për atë shkak më donte dhe vlerësonte, sepse isha ndryshe sipas tij.

Madje mi donte edhe plagët e operimeve, nëpër gjinjë, donte secilën pjesë timen. Unë isha ndryshe! Kjo më mjaftonte edhe mua me qenë e fortë dhe me dashtë hala ma fortë trupin tim, plagët që kisha marrë teksa luftoja me sëmundjen.

Erdhi koha të më njoftojë me familjen dhe çdo gjë po shkonte si më se miri. Vendosëm një datë për fejesë.

Me gjithë dëshirën e tij, edhe pse për mua ishte herët sepse doja t’i përkushtohesha studimeve, që pamvarsisht sëmundjes për asnjë moment nuk i kam lënë anash.

Ishim dakord për gjithçka, edhe për fejesën, por pak javë  para asaj dite, përsëri gjendja ime shëndetësore filloi me pësu luhatje, dhe e bëmë një vizitë tek mjeku i cili përherë ka qenë pranë meje. Aty rezultoi që për të dytën herë përsëri ka fillu me mu kriju kanceri.

Kësaj radhe e përjetova pak më lehtë, edhe pse mërzia ishte diçka e pashmangshme, me pretekstin se e kisha familjen, por, edhe të dashurin, një forcë më shumë që do të më ndihmonte përsëri ta fitoja atë betejë.

Ai ishte me mua aty gjatë asaj vizite, bashkë me prindërit e mi, ku teksa ma dëftonte gjendjen mjeku, atij i rridhin lotët pa ndalë. I tregoi familjes së vet për gjendjen time shëndetësore, dhe si duket, atyre i’u kishte penguar me marrë në shtëpi për “nuse” dikë të sëmurë.

Filloi ngadalë që të largohej nga unë, me pretekstin se unë meritoja më shumë e më mirë, dhe në të vërtetë kisha meritu më mirë.

Në të tilla momente hoqi dorë prej meje, sepse mentaliteti shqiptar me përballu dicka të tillë e kishte shumë të vështirë. Besoj që secili nga ne nuk e ka zgjedhë vet me u sëmurë ose me u  sfidu nga dicka, si sëmundjet e rënda. Madje, unë i jam shumë falënderuese, më ka bërë njeri më të fortë.

Tani jam 23 vjeçe, shumë shpresë, shumë andrra, shumë optimizëm e jetë, i jam betu jetës se do ta mundë përsëri këtë sëmundje të mallkuar, do ta fitojë përsëri këtë betejë.

Një faleminderit të madhe për të gjithë ata që kanë qenë forca ime gjatë kësaj sfide, pa mu largu në asnjë moment! Shumë dashuri për të gjitha ato heroina që sikur unë janë duke luftuar betejën e njëjtë me kancerin e gjirit. Do t’i a dalim mbanë të gjitha së bashku.

Ne jemi më shumë se trupi ynë, më shumë se një palë gjokse. Ne jemi shumë më shumë, mos i’a lejoni askujte tu trajtojnë për më pak! Dalshim fitimtare nga kjo betejë./RevistaBarazia