mesuesi korcar

Mësuesi korçar, që 70 vite më parë mësoi nxënësit kosovarë

Përgatiti: Rexhep Rifati

Është ky mësuesi 92 vjeçar nga Korça, SELAMI KREKA, që për dhjetë vite shërbeu në shkollat e Kosovës, me dashurinë e madhe për nxënësit e tij, por edhe dhembjen se shumicën e tyre më nuk janë në këtë jetë

Më datën 16 shtator të këtij viti, kur u zbulua pllaka përkujtimore në 70 vjetorin e themelimit të Gjimnazit Shtetëror Shqiptar në Ferizaj, askush nuk e dinte se nga ishte mësuesi Selami Kreka, që ishte i parafundit në këtë pllakë, me numrin rendor 24, pasi nuk figuronte vendi i prejardhjes.

Dhe pa u mbush një muaj, ndodhi e pa pritura. Befasia e vërtetë! Se mësuesi me emrin Selami Kreka jeton e gjallëron me një moshë mbi 90 vjeçare, përplot shëndet e vitalitet, duke lënë përshtypjen e një 70- vjeçari.

Pas propozimit që më dha kolegu Sylejman Shaqiri, për të gjurmuar këtë rast, gëzimin më të madh ma ofroj ekonomistja e shquar nga Korça, Vjollca Muka: se mësuesi Selami Kreka ka qenë edhe mësues i saj dhe se ai edhe më tej është në jetë dhe se gëzon një shëndet të mirë.
Po cili është mësuesi, Selami Kreka?!
Nga takimi me te dhe librat e botuara nga ana tij mësova, se Selami Kreka u lind më 25.07.1926 në katundin Krosnisht të krahinës së Gorës. Ndërsa aktivitetin antifashist e filloi që në shkollën e mesme në qytetin e Korçës , për të dalë edhe partizan në mars të vitit 1943, duke marrë pjesë në disa beteja.
Në dhjetor të vitit 1945 dërgohet nga qeveria shqiptare mësues në Kosovë , duke shërbyer në Gllogovc , në Prekaz, në Rahovec e Prishtinë dhe së fundi në gjimnazin e Ferizajt.

Nga 30 qershori deri më 25 tetor 1951 qëndroi i burgosur politik nga UDB-ja jugosllave e më pas vazhdon studimet në filozofi në Beograd.
Derisa ishte në Kosovë, mesësi Selami u martua dhe ka tre fëmijë, nga të cilët djali, Ylli që u kthye nga Kosova si 3 vjeçar, tash ka mbushur 63 vjet dhe ka ndjek rrugën e babait, atë të mësimdhënësit, duke qenë aktualisht profesor në një shkollë të mesme në Korçë.
Me tu kthyer në Shqipëri, Selami Kreka nga viti 1056-1961 përfundon studimet në Fakultetin filologji-histori në Tiranë, prej nga kthehet mësues në shkollën e mesme të qytetit të Korçës ku shërben deri në vitin 1982.

Ndonëse prej tri e sa dekadash gjendet në pension, mësuesi Selami edhe më tej është aktiv në jetën shoqërore dhe bënë edhe udhëtime mjaft të gjata për moshën e tij.

Selami Kreka është edhe autor i disa librave me karakter historik e didaktik, disa nga të cilat edhe na i dhuroi gjatë vizitës që i bëm në Korçë.

Në pritjen familjare që organizoi për mysafirët nga Ferizaj, në krye me Muharrem Sfarqen, mësuesi veteran 92- vjeçar, veçoi rolin e Kosovës në pavarësinë e Shqipërisë ndërsa që këtë takim e krahasoi për te personalisht të një rëndësie të jashtëzakonshme, sepse siç tha asnjëherë nuk i është shuar dashuria për Kosovën dhe nxënësit e tij, pasi pikërisht edhe në Kosovë e filloi karrierën e mësuesisë.

Ndërsa që veçoi, qëndrimin e tij në qytetin e Ferizajt, pasi që askund nuk e ka ndier vetën më shlirshëm se në këtë qytet, ndaj edhe ëndërron që edhe në këtë moshë të vizitoj edhe njëherë Ferizajn, për të përtërirë kujtimet si për qytetin ashtu edhe banorët e tij.

Ndaj edhe kryetari i komunës së Ferizajt, z. Muharrem Sfarqa, pasi që i dorzoi një mirënjohje mësuesit Selami, se shumë shpejt edhe këtë dëshirë do të ia realizojë. Theksoi gjithashtu se vetën e ndien sa korçar aq edhe kosovar, pasi në Kosovë edhe e filloi karrierën e tij prej edukatori e arsimtari, ndonëse në moshë djaloshare, nga e ndajnë 70 e sa vite më parë./Revista Barazia